Ndryshimi i kufijve çështje ndërkombëtare

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka deklaruar se çështja e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk është çështje dëshire individësh apo e dy vendeve, por një çështje e së drejtës ndërkombëtare.

Nishani ka thënë se prioritetet më të afërta janë ato që lidhen kryesisht me një bashkërendim më të mirë të shqiptarëve kudo që janë, në fushën ekonomike të tregut, pasi që edhe sot ka një ndryshim shumë të madh të konceptit të kufijve.

“Ndryshimi i kufijve nuk është çështje dëshire individësh apo dy vendeve të ndryshme. Çështjet e kufijve janë çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe shikohen në një kontekst shumë më të gjerë.

Historia tregon sesi janë vendosur kufijtë, si janë trajtuar kufijtë, si kanë funksionuar kufijtë, kështu që ne nuk mund të shkojmë në një mënyrë kaq të ngushtë e kaq të ngurtë në mënyrën e interpretimit të ndryshimit të kufijve. Kjo është një çështje e së drejtës ndërkombëtare, funksionon brenda një rajoni, brenda një konteksti të caktuar”, ka thënë Nishani.

Me tutje presidenti shqiptar është shprehur se sot shqiptarët kanë një liri të lëvizjes nëpër të gjitha trojet shqiptare pa kurrfarë pengese.
“Besoj që prioritetet tona më të afërta janë ato që lidhen kryesisht me një bashkërendim më të mirë të shqiptarëve kudo që janë, në fushën ekonomike të tregut, pasi unë besoj që edhe sot ka një ndryshim shumë të madh të konceptit të kufijve.

Shikoni se çfarë lirie kanë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri apo dhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, të lëvizin dhe të shkojnë tek njëri-tjetri pa më të voglin problem, po ashtu dhe mallrat.

Nëse ne i hyjmë analizës, ngulmojmë fort, përcaktojmë stategji dhe plane veprimi në unifikimin e tregut, në forcimin e tregut dhe lidhjeve ekonomike, unë besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë”, ka deklaruar Nishani për televizionin “UTV NEWS”.

Ndërsa, deklaratat e krerëve të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës për bashkim kombëtar pati nxitur reagimin e SHBA-së, pasi sipas tyre do të ishte rrezik për rajonin e Ballkanit perëndimorë.

Por, Nishani thotë se nuk ka pasur një shqetësim në presidencën shqiptare rreth deklaratave të tilla.
“Nuk ka pasur asnjë rast të tillë, jo”, ka theksuar Nishani.kohaislame

Artikulli paraprakDezerton shefi i policisë ushtarake të Sirisë
Artikulli vijuesArrestohet shqiptari me 30 identitete false