Në Gjeorgji, arsimtarët dështuan në provim

Bazuar në rezultatet preliminare të Ministrisë së Arsimit në Gjeorgji, pjesa më e madhe e arsimtarëve në këtë vend, ka dështuar në provimet kualifikuese.

86% e arsimtarëve dështuan ta arrijnë së paku 60% të poenëve të nevojshëm në provimin e matematikës, 91% dështuan në kimi, 96% dështuan në fizikë, 83% dështuan në studimet shoqërore, ndërsa 77% dështuan në biologji.

Vetëm në gjeografi 51% patën sukses dhe e kaluan provimin. Këtë vit një provimet e arsimtarëve morën pjesë 26 mijë vetë. Këto rezultate shokuese menjëherë kanë nxitur lojën e fajësimit.

Sergo Ratiani, anëtar i Parlamentit të Gjeorgjisë, nga Lëvizja e Bashkuar Kombëtare e presidentit Mikheil Saakashvili, i tha Radios Evropa me Lirë se politikat e koalicionit Ëndrra Gjeorgjiane, e kryeministrit Bidzina Ivanishvili, që e mori qeverisjen pas zgjedhjeve të muajit tetor të vitit 2012, kanë çuar në këto rezultate të dobëta të arsimtarëve.

“Trajnimi dhe ndihma metodike për arsimtarë, që është bërë gjatë pak viteve të kaluara, nuk është udhëhequr këtë vit. Ëndrra Gjeorgjiane ka shpenzuar shumë kohë në përpjekje për të diskredituar provimin gjatë fushatës zgjedhore dhe kjo ka krijuar pritje se provimi nuk do të jetë aq i vështirë, siç ka qenë në të kaluarën”, tha Sergo Ratiani.

Por, ekspertët e arsimit theksojnë se rezultatet nuk paraqesin asgjë të re.

Tamar Mosiashvili është specialiste e arsimit në Institutin e Zhvillimit Civil në kryeqytetin Tbilisi. Ajo është pak e befasuar nga kundërthëniet lidhur me provimin e këtij viti, meqë ajo thotë se rezultatet janë të njëjta prej vitit 2011, kur ka filluar mbajtja e këtyre provimeve.

“Unë jam e befasuar përse kësaj çështjeje këtë vit i është kushtuar kujdes kaq i madh, pasi ne kemi pasur rezultate të njëjta statistikore për gati tri vitet e fundit. Në këto tri vite, vetëm 9895 arsimtarë ia dolën ta marrin certifikatën. Ne ndoshta nuk ka pëlqen ky realitet, por ky është realiteti jonë”, tha ekspertja Mosiashvili.

Provimi ka për qëllim matjen e nivelit të përgatitjes së arsimtarëve dhe për ta ndihmuar qeverinë në përpilimin e programeve për përmirësimin e kualifikimeve. Dështimi në provim nuk do të thotë se ka ndodhur diskualifikim nga arsimi.

Eventualisht, qeveria planifikon ta përdorë provimin si pjesë e programit të certifikimit të detyrueshëm për edukatorët.

Qendra Kombëtare e Provimeve e Ministrisë së arsimit, që i administron provimet e mësuesve, po ashtu, duket se është e trazuar nga rezultatet e dobëta.

Zëvendësdrejtori i kësaj qendre, Iva Mandadze, thotë se qeveria duhet të fokusohet më tepër në zhvillimin e qasjes afatgjatë në ngritjen e nivelit të mësimit, e më pak në provim.

“Qeveria duhet t’i drejtoj burimet e veta kah mësuesit. Por, jo kah ndihma e arsimtarëve individualë nëpërmjet procesit të provimit. Ajo duhet të fokusohet më tepër në përmirësimin e profesionit të mësuesit në përgjithësi. Mendoj se shumë burime duhet të lejohen për arsimin e mësuesve të ardhshëm”, thotë Mindadze.

Ekspertja Tamar Mosiashvili pajtohet se përmirësimi i arsimit nuk është diçka që bëhet brenda natës.

“A duhet ne vazhdimisht të mendojmë për zhvillimin profesional të ndonjë mësuesi 60 vjeçar, ose mbase do të jetë më mirë të reflektojmë në përmirësimin e programin tonë universitar dhe për tërheqjen e studentëve të talentuar për tu bërë mësues? Nëse ne fillojmë të mendojmë për këto çështje tash, ne do të shohim rezultate brenda 10 vitesh”, tha Tamar Mosiashvili. (f. bujupi)

Artikulli paraprakSHBA ndryshon taktikën në Lindjen e Mesme, bëhet me diktaturat dhe puçistët anti islam
Artikulli vijuesFrancë: një ushtar francez u arrestua për përgatitjen e një sulmi terrorist ndaj një xhamie