Në Gjilan nxënësit nuk mbajtën mësim për 10 ditë sepse nuk kishte mësuese

Për 10 ditë, nxënësit e klasës së dytë në shkollën e fshatit Përlepnicë nuk kishin mësuese pasi nuk ishte gjetur me kohë zëvendësim për mësuesen që shkoi në pushim të lehonisë.

Fëmijët e klasës së dytë në shkollën fillore “Skënderbeu” të fshatit Përlepnicë në Gjilan të enjten i janë kthyer bankave të shkollës pas 10 ditësh për shkak të mungesës së mësueses.
Mësuesja e tyre ka shkuar në pushim të lehonisë më 10 janar dhe për të nuk ka ardhur zëvendësues për 10 ditë.
Një qytetar i Përlepnicës e ka raportuar këtë problem në KALLXO.com dhe është ankuar se fëmijët kanë mbetur në mëshirë të asaj se cili mësues është i lirë për ta ‘arnuar’ ditën e mësimit.
Këshilli i prindërve të kësaj shkolle në shenjë proteste nuk i kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë derisa të bëhet zëvendësimi zyrtar.
Bejtullah Hajrullahu, anëtar i këshillit të prindërve, e ka arsyetuar veprimin e këtij këshilli me shqetësimet e tyre për kualitetin e mësimit për nxënësit e klasës së dytë të kësaj shkolle.
“Nga 10 janari, fëmiu im nuk ka pasur mësues të rregullt por janë bërë zëvendësime nga mësuesit e klasave tjera. Duke parë mosangazhimin e një mësimdhënësi në këtë klasë, këshilli i prindërve bashkë me prindërit e tjerë më 18 janar vendosëm që fëmijët t’i marrim në shtëpi”, tha Hajrullahu.
Prindërit e kësaj shkolle kanë drejtuar ankesat e tyre edhe te drejtori komunal i arsimit në Gjilan, Nazmi Musa.
Ky i fundit e arsyetoi vonesën e rezultateve të konkursit me nevojën e rishqyrtimit të tij për ta evituar, siç u shpreh, ndonjë parregullsi eventuale.
“Vonesa për pak kohë e publikimit të rezultateve është bërë për shkak të verifikimit të saktësisë së punës së komisionit intervistues dhe u vërtetua se komisioni ka punuar plotësisht në bazë të ligjit, udhëzimit administrativ dhe kritereve të konkursit” , tha Musa.
Gjatë kohës kur mësuesja mungonte , drejtori i shkollës, Fidan Shaqiri ka bërë zëvendësimin e orëve me mësues të tjerë të kësaj shkolle të cilët kanë zëvendësuar në mënyrë vullnetare.
‘Ne si shkollë nuk kemi pasur mundësi të caktojmë punëtor të ri dhe jemi detyruar të angazhojmë mësimdhënësit tanë që të zëvendësojnë deri në zgjidhjen e këtij problemi”, tha drejtori Shaqiri.
Ai është zotuar se orët e humbura do të zëvendësohen duke mbajtur nga një orë shtesë për çdo ditë deri në plotësimin e tyre.
Artikulli paraprakLëvizja BESA – Gostivar: Nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Gostivarit u anulohet e drejta për transport falas
Artikulli vijuesVIDEO – Para ardhjes së Enver Hoxhes daveti në Shqipëri ishte në vdekje