Në Kosovë 10.7% e fëmijëve nga 5-17 vjeç angazhohen në punë

Përfshirja e fëmijëve në punë të rënda dhe të rrezikshme është një problematikë me të cilën thuajse në mënyrë të vazhdueshme ballafaqohen shtete të ndryshme të botës. Në Republikën e Kosovës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç të cilët janë të angazhuar në punë, ka dalur të jetë 10.7 për qind. Përderisa numri i përgjithshëm i fëmijëve në punë të rënda i evidentuar nga Qendrat për Punë Sociale në gjithë Kosovën për vitin 2014, ishte 206 fëmijë.
Marrë parasysh këtë, shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, detyrohen të sillen si të rritur, duke mos pasur mundësi ti gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë.
Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten përballë edhe rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), vlerëson punën e bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për krijimin e bazës ligjore dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së fëmijëve .
Megjithatë, KOMF konsideron që akoma nuk ka vullnet të mjaftueshëm institucional në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në punë të rënda, ku kjo vihet re qysh nga mungesa e planifikimit buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar, e si pasojë dhe mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do ti mbronin fëmijët nga përfshirja në punët e rënda.
Përkundër decentralizimit të shërbimeve sociale, komunat kanë bërë pak veprime konkrete për të ndarë buxhet me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve në komunën e tyre. Mungesa e një granti specifik për komunat për shërbimet sociale pamundëson ofrimin e shërbimeve cilësore për mbrojtjen.
Edhe përkundër këtyre kufizimeve, në disa komuna, institucionet publike ndërmarrin aksione sporadike të herëpashershme, por megjithatë numri i fëmijëve të cilët janë tërhequr nga punët e rënda, fatkeqësisht mbetet i vogël.
Prandaj, KOMF kërkon vëmendjen e Kryeministrit dhe kryetarëve të komunave, për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel qendror dhe komunal. /Telegrafi/
Artikulli paraprakDita e jetuar e çlirimit, gjashtëmbëdhjetë vjet më pas
Artikulli vijuesQeveria shpreson ta heqë barrikadën e Ibrit këtë muaj në Bruksel