Në Kosovë hapet një fabrikë e re me 80% të prodhimit për eksport

Në Kosovë është përuruar fabrika “Orient Kosova”, një investim kosovaro-gjermano-turk që prodhon mozaikë, dhe që 80% të prodhimit synon ti eksportojë.

Është përuruar në Mitrovicë, Fabrika për përpunimin e qelqit e cila synon që 80% të prodhimit të eksportojë. Në përurim të kësaj fabrike e cila deri në fund të vitit planifikon ti punësojë 100 vetë, mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi.

Fabrika “Orient Kosova” e cila është një investim kosovaro-gjermano-turk prodhon mozaikë, një traditë e re jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, tha drejtori i fabrikës Faruk Kosumi.

“Prodhimi i mozaikut ndodhë në 3 sektorë në riciklimin e qelqit, përpunimit të qelqit dhe në sektorin e montimit të mozaikut.”

Kosumi tha se aktualisht mbulojnë gjithë tregun vendorë, kurse 80% të prodhimit planifikojnë të dedikojnë për eksport.

“Shpresoj se shumë shpejt do të fillojmë me eksport në rajon dhe më gjerë. Aktualisht kemi rreth 40 të punësuar në fabrikën tonë dhe nëse donë i lumi Allah e shkon gjithçka sipas planit deri në fund të vitit do të arrihet numri 100.”

Kurse presidenti Hashim Thaçi, tha që ndihet i nderuar që merë pjesë në përurimin e kësaj fabrike.

“Sipërmarrja dhe prona private janë themele të mirëqenies dhe zhvillimit të një shoqërie, prandaj kam besim të plotë se këto ndërmarrje të vogla e të mesme do të jenë një bazament i fuqishëm e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.”

Presidenti Thaçi tha se do të punohet maksimalisht që të krijohen kushte edhe më të mira për biznesin e Kosovës.

“Ky investim që po ndodhë në Mitrovicë është shembull më i mirë se në Kosovë ka klimë të mirë biznesi, ka siguri atrektivitet, ka fuqi punëtore e mbi të gjitha është mesazhi më i mirë se Kosova po ndryshon për të mirë.”

Thaçi më tutje tha se ky investim është mesazh edhe për gjithë Kosovën, mesazh për bashkatdhetarët tanë që të vinë të investojnë në vendin e tyre.

Në Prishtinë është mbajtur Panairi i Turizmit, Hotelerisë dhe Edukimit. Përfaqësuesit e agjencive turistike nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia janë zotuar se janë duke punuar që të krijojnë mundësi sa më të mirë për pushim për të gjithë turistët.

Ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami, duke folur për panairin e Turizmit, Hotelerisë dhe Gastronomisë “Travel Fair 2016”, në 13 vjetorin e tij, tha se Kosova ofron mundësi të mira të turizmit malor për të gjithë ata që duan ta vizitojnë.

“Ne kemi shumë asete të çmueshme në mënyrë që të marrim një identitet. Kemi turizmin malor i cili kish me qenë një masë krahasuese përkrah turizmit në Shqipëri dhe Ulqin. Nëse ne shkojmë atje t’i kalojmë pushimet e verës atëherë ftojmë edhe përfaqësuesit dhe qytetarët nga Mali i Zi dhe Shqipëria që të shijojnë lartësinë e bjeshkëve tona”, tha ajo.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi theksoi nevojën e hartimit të një plani rajonal, me qëllim të tërheqjes së numri më të madh të turistëve.

“Nuk ka rëndësi se ku krijohen, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, mjafton që të jenë kuadro, që të jenë teknikë e ti shërbejnë këtij tregu shumë të fuqishëm siç është turizmi, jo vetëm në shkallë rajonale, por edhe më gjerë”, u shpreh ambasadori shqiptar.

Në panair janë ekspozuar pika të shumta turistike si: nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

“Si ta shndërrojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit MSA, në proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës”, ishte tema që i bëri bashkë pozitën dhe opozitën në Kosovë në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike si dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike. Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Samuel Zbogar u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e gjithë spektrit politik, duke thënë se kjo tregon orientimin evropian të Kosovës.

“Nëse e shikojmë marrëveshjen çka ka të përbashkët, është e rëndësishme edhe implementimi i saj politikisht edhe ekonomikisht është gjithëpërfshirëse dhe konfirmon perspektivën e qartë evropiane për Kosovën”, tha Zbogar.

Kryeministri Isa Mustafa në fjalën e tij, e vlerësoi nënshkrimin e MSA-së, dokumentin më të rëndësishëm pas pavarësisë, ndërsa kërkoi që të gjithë të jenë bashkë në realizimin e kësaj marrëveshje.

“Dëshirojmë që në implementimin e marrëveshjes të jemi së bashku të gjithë sepse në këtë formë do të arrijmë më shumë. Një fjalë thotë, se kur njeriu ecë vetëm ecë më shpejt, por kur ecë në grup ecë më larg dhe ne duam të arrijmë më larg”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosje u shpreh kritik për qasjen ndaj integrimit evropian, duke thënë se BE-ja nga të gjitha qeveritë në Kosovë është keqpërdorur si një lloj flamuri prapa të cilit janë fshehur të gjitha të pabërat e tyre. Ai pati kritika për MSA-në, duke thënë se me këtë marrëveshje Kosova nuk është e ndarë nga Serbia, por e trajton si një entitet pa status të definuar.

“Kjo marrëveshje po që se kjo pjesë politike nuk ndryshon, do të jetë më shumë pengesë e aderimit të Kosovës në BE-së, sesa që do ta ndihmojë aderimin e Kosovës në BE”, tha Ymeri.

Edhe Ardian Gjini i AAK-së e Jakup Krasniqi i Nismës kishin mjaft kritika. Ky i fundit madje kërkoi që të ndryshohet formati i dialogut në Bruksel.

Ndërsa krye-parlamentari Kadri Veseli, i cili fillimisht deshi t’i dëgjojë opozitarët, tha se Kosova ka nevojë edhe për dialog me fqinjët, por edhe për dialog të brendshëm, ndërsa e vlerësoi lart MSA-në, por u shpreh mjaft kritik për vonesën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ukraina i ka mbi 50 kritere të cilat nuk i ka plotësuar. Ose Turqia, ose Gjeorgjia. Po flasim për një moral politik, të cilin duhet ta bartim si standard të BE-së tek qytetarët tanë. Është vërtetë momenti vendimtar për t’iu jep shpresë njerëzve në këtë vend”, tha Veseli.

Veseli tha se dialogu në Kosovë duhet të vazhdojë jo vetëm për MSA-në, por edhe për problemet tjera të brendshme, ndërsa i ftoi opozitarët që t’i kthehen punës në Kuvendin e Kosovës.

***

Në Kosovë u festua Dita e Turqve. Festa e këtij komuniteti shënohet si festë e Kosovës, duke vlerësuar angazhimet e përbashkëta të komuniteteve, në ndërtimin e shtetit të Kosovës, tha kryeministri Isa Mustafa, në hapje të konferencës ceremoniale me rastin e festimit të Ditës së Turqve në Kosovë organizuar nga Zyra për Çështje të Komunitete në Qeverinë e Kosovës.

“Vlera dhe rëndësia e komunitetit turk në Kosovë ka qenë dhe është e madhe në të gjitha fushat e jetës. Kjo vlerë shtohet dhe rritet edhe më shumë kur dihet se komuniteti ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të mbetet urë lidhëse e miqësisë tonë me shtetin turk”, u shpreh kryeministri Mustafa.

“Këtë vit bashkë me festën e turqve festojmë edhe pavarësinë e Kosovës”, tha ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, ndërsa potencoi se shumë çështje në dobi të komunitetit turk, janë diskutuar për t’u përmirësuar.

“Ose së paku janë hapur debate dhe janë kërkuar zgjidhje institucionale. Krahas përparimeve, ende ka çështje për të cilat duhet të vazhdojmë me angazhime institucionale”, tha Jaggjëllar.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Kadir Huseyin, theksoi problemet dhe sfidat me të cilat përballet komunitetit turk në Kosovë.

“Përfaqësimi i drejtpërdrejt politik i komunitetit turk në institucione komunale është minimal. Përfaqësimi më i fuqishëm është në Prizren. Problemin më të madh si komunitet e kemi papunësinë dhe mendoj se informatat lidhur me të papunët janë të mangëta”, theksoi Hyseyin.

Ndryshe, nga 38 komuna të Kosovës, Mamusha, në rajonin e Prizrenit, është e vetmja komunë e banuar me shumicë nga komuniteti pakicë turk.

***

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti Zëvendëskryeministrin e Republikës së Turqisë, Numan Kurtullmush, i cili me një delegacion nga Ankaraja qëndroi në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Komunitetit Turk në Kosovë.

Duke iu dëshiruar mirëseardhje në Kosovë, presidenti Thaçi uroi zëvendëskryeministrin Kurtullmush, delegacionin dhe përfaqësuesit e komunitetit turk për festën.

Zëvendëskryeministri Kurtullmush u shpreh se është “kënaqësi të shihen të arriturat e shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë” dhe konfirmoi përkrahjen e Turqisë për shtetin e Kosovës me projekte konkrete, por edhe përmes lobimit nëpër shtete dhe organizata ndërkombëtare, për njohjen dhe pranimin e shtetit të Kosovës.

Presidenti Thaçi theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë të shkëlqyera dhe se mes dy shteteve nuk ka çështje të hapura.

***

Ministria e Punës dhe Oda Ekonomike e Kosovës si dhe ajo amerikane, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për trajnimet për punë. Në projekt pritet të angazhohen 600 punëkërkues dhe të rinj të papunësuar nëpër komunat e Kosovës. Ministri i Punës Arban Abrashi tha se marrëveshja do të ndikojë në krijimin e tregut afatgjatë të punësimit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi se këto aktivitete do të ndikojnë në zbutjen e papunësisë.

“Ne kemi edhe 3-4 orientime. Orientimi themelor është që ne ta rrisim zhvillimin ekonomik, tërheqim investime të huaja direkte dhe përmes kësaj të rrisim edhe kërkesën për punëtorë në treg. E dyta që po bën Ministria e Punës por edhe Ministria për Zhvillim Ekonomik, ajo e Tregtisë e Industrisë është që ne të mundësojmë që një pjesë e njerëzve tanë të gjejnë punë përkohësisht në tregun evropian të punës, në marrëveshje qarkore me ta”, tha Mustafa.

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se kjo marrëveshje do të ndikojë në ngritjen e shkathtësive dhe krijimin e një tregu afatgjatë të punësimit. Abrashi u shpreh se sektori privat është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

”Me këtë marrëveshje ne po synojmë të përfshijmë në trajnim në punë diku rreth 600 punëkërkues varësisht nga suksesi I kësaj marrëveshjeje në do të rrisim numrin si në numër ashtu edhe në kohëzgjatje.”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se ky aktivitet do të ndikojë në motivimin e të rinjve për punësimin.

“Ky hap i MPMS është mbështetje që barra e punësimit bartet në sektorin privat i cili do të investoj ne edukim. Do të jetë motivim të të rinjve për pune.”

Ndryshe më këtë marrëveshje synohet që të merren masa në fushën e punësimit.

***

Gjatë muajve të parë të këtij viti, deri në 1500 kosovarë kanë aplikuar për viza pune në Gjermani. Ministri i Punës e Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, tha se tash është shumë më lehtë të emigrohet legalisht në këtë vend të zhvilluar evropian.

Ministri Abrashi thotë të ketë kontaktuar me disa shtete për punësim sezonal të punëtorëve nga Kosova, mirëpo me Gjermaninë kishte arritur më së shumti, thotë vet ministri.

“Me Gjermaninë është arritja më e madhe dhe më e konsiderueshme dhe qeveria në Gjermani e ka ndryshua ligjin e punës dhe ka jap mundësinë qytetarëve të Kosovës të aplikojnë për punë në shtetin gjerman nga janari i këtij viti.”

Nga 1 janari i këtij viti është hapur mundësia që qytetarët e Kosovës të shkojnë të punojnë në Gjermani në të gjitha profesionet. Por nuk ka asgjë të organizuar nga ministria sa i përket gjetjes së vendeve të punës, sepse ministri Abrashi thotë se të gjithë qytetarët mund të kërkojnë punë individualisht.

“Ne si shtet i kemi hap mundësitë qytetarëve tanë që të aplikojnë. Nuk ka marrëveshje të asnjë forme ku bëhen lista e shkojnë, por tani janë vet qytetarët tanë që aplikojnë direkt në vende të punës në Gjermani edhe nëse fiton punën e merë edhe vizën e punës.”

Sidoqoftë ministri Abrashi thotë se qytetarët mund të informohen për mundësitë e punësimit në Gjermani, përmes një zyre në Prishtinë, e cila ofron edhe komunikim online në Facebook.

“Që tu dalim në ndihmë qytetarëve tanë për këshilla ose konsultime se si gjendet punë më lehtë në Gjermani ne kemi hapur edhe një zyre të përbashkët mes ministrisë tonë dhe ministrisë së zhvillimit ekonomik të Gjermanisë në Prishtinë. Quhet Dimak, është në qendër të Prishtinës dhe ofron këshilla për qytetarët tanë të cilët janë të interesuar të punojnë atje.”

Duke u bazuar në shifrat jo zyrtare që i posedon ministri, janë deri 1500 persona që kanë aplikua për viza pune në Gjermani, disa e kanë marrë, kurse disa ende janë në procedura. Ministri pranoi se janë duke u ballafaquar me procedura paksa më të vështira për tu pajisur me viza pune.

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se panairet e biznesit në Kosovë janë një mesazh i mirë për zhvillimin e ekonomisë në vend. Gjatë takimit që pati me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, presidenti Thaçi tha se qeveria e Kosovës do t’i mbështes vazhdimisht prodhuesit vendor.

“Do të vazhdoni ta keni mbështetjen time të plotë edhe si president i vendit. Ju jeni këtu së bashku me njerëzit që i kanë dhënë shpirt dhe fuqi zhvillimit ekonomik të Kosovës, që kanë krijuar me mijëra e mijëra vende të punës dhe e kanë rritur mirëqenien e qytetarëve të vendit. Ajo që sot na bënë të ndihemi mirë në Kosovë është se po krijohet një klimë më e mirë për biznes, një atraktivitet dhe besoj që institucionet duhet të jenë afër bizneseve dhe biznesi duhet të jetë afër institucioneve në kuptimin e një partneriteti të fuqishëm që ta ndërtojmë edhe më mirë shtetin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurse kryetari i Odës ekonomike Safet Gërxhaliu tha se është koha kur duhet të luftohet papunësia në vend.

“Jemi këtu t’ju ofrojmë partneritet, siç e kemi kalitur në të kaluarën dhe besojmë që objektivi juaj ka qenë diplomacia ekonomike dhe në këtë drejtim ne bashkërisht do të bëjmë shumëçka. Neve na duhet autoriteti dhe imazhi juaj si lider që e keni krijuar jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë dhe definitivisht është koha kur në këtë mënyrë t’i shpallim luftë kundërshtarit tonë të përbashkët, çfarë është papunësia, çfarë janë mungesa e investimeve të huaja direkte”, ka thënë Gërxhaliu.

Gjatë takimit u tha se pas nënshkrimit të MSA-së do të krijohen dhe mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të vendit.

***

Qeveria e Republikës së Kosovës ka hequr të hënën masat e reciprocitetit me Serbinë, për mosnjohjen e certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR.

Në këtë mënyrë, ka hyrë në fuqi marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Artikulli paraprakIbrahimi: Të luftojmë për rininë shqiptare!
Artikulli vijuesBozkir: Presim që raporti i KE-së të propozojë liberalizimin e vizave