Ministria e Çështjeve Fetare të Sulltanatit të Omanit në bashkëpunim me Fondacionin “Qendra e Civilizimit Islam – FOCIC” nga Maqedonia, në kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë në Shkup realizuan hapjen e ekspozitës “Toleranca Fetare në Oman”, e cila do të zgjasë deri më datë 12 mars, raporton Anadolu Agency (AA).
Përmes kësaj ekspozite, e cila tashmë është ekspozuar në vende të ndryshme të botës, si në SHBA, Gjermani, Francë, Itali, Japoni, Brazil dhe vende të tjera, Shteti i Omanit synon të promovojë kulturën fetare, tolerancën ndërfetare, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë të popujve dhe komuniteteve në Sulltanatin e Omanit.
Ekspozita përbëhet nga 24 posterë me shpjegime të detajuara të përthyera në gjuhën maqedonase dhe shqipe, piktura, skulptura, maketa, dorëshkrime të vjetra, përfshirë këtu edhe kopjen e letrës së profetit Muhammed dërguar në atë kohë mbretit të Omanit. Përmes këtyre punimeve synohet po ashtu të theksohet jeta islame në Omanin modern. Organizatorët janë përkujdesur edhe për shpërndarjen e filmit dokumentar, gjithashtu të përkthyer në gjuhën maqedonase dhe shqipe, me qëllim që të ofrojnë një pikturë sa më të plotë të jetës së Sulltanatit të Omanit.
Në kuadër të këtij projekti është përfshirë edhe kampanja “Act for tolerance” (Vepro për tolerancën), kampanjë e cila fton qytetarët në mbarë botën që të marrin pjesë në garën për filmin apo foton më të mirë që demonstron tolerancën.
Në hapjen e kësaj ekspozite, e cila vë në pah traditën dhe kulturën e lashtë Omanase si rezultat i gërshetimit të qytetërimeve të Afrikës, qytetërimit Indian dhe Kinez, i pranishëm ishte edhe këshilltari kryesor i ministrit të Çështjeve Fetare të Sulltanatit të Omanit, Dr. Mohammed Said al Marmari, njëherësh edhe projektues dhe drejtor i këtij projektit.
Këshilltari kryesor i ministrit të Çështjeve Fetare të Sulltanatit të Omanit, Dr. Mohammed Said al Marmar, duke veçuar këtë ekspozitë si një përvojë të re për vendin, pasi që është vendi i parë në Ballkan që organizohet ky aktivitet, shtoi se qëllimi i organizimit të ekspozitës është afirmimi i vlerave të tolerancës dhe bashkëjetesës, posaçërisht në kohën kur këto vlera hyjnore dhe njerëzore shkelen nëpër këmbë.
“Qëllimi tjetër i organizimit të ekspozitës janë edhe marrëdhëniet ndërmjet Omanëve dhe Maqedonisë, si dhe trojet në përgjithësi në gjirin Ballkanik me anë të kulturës marrëdhëniet të përforcohen sepse kultura është një derë kryesore për marrëdhëniet njerëzore”, u shpreh Mohammed Said al Marmar.
Nga ana tjetër, kryetar i FOCIC-it, Benjamin Idriz, në fjalën e tij theksoi se kjo ekspozitë edhe njëherë përkujton rëndësinë e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës. “Në fakt toleranca apo respektimi i tjetrit, i të ndryshmes nga ajo që jemi ne, është një vlerë tipike orientale. Me të gjithë paragjykimet dhe stereotepet për orientin e prapambetur e vërteta është se lidhja është ai gurrë shpirtëror që në gjirin e saj mban të gjitha religjionet monoteiste, madje edhe në hapësira shumë të ngushta fizike”, u shpreh ai.
Në kopjen e letrës së profetit Muhammed dërguar në atë kohë Xhaferit dhe ‘Abdit, sundimtarëve të Omanit thuhet: “Paqja qoftë mbi atë që pason rrugën e drejtë. Këtej e tutje ju ftoj juve të dyve në Islam. Përqafoni Islamin. Në të qëndron siguria. Allahu më ka dërguar mua si Pejgamber për krijesat e Tij, me qëllim që të mbjell frikën ndaj Allahut tek krijesat e pabindura ndaj Tij dhe kështu të mos ketë më justifikim për ata që e mohojnë Allahun.
Pejgamberia ime është gati duke mbërritur në vendin tuaj. Nëse ju të dy pranoni Islamin, vendi juaj, si zakonisht, do të mbesë me ju. Por nëse ju refuzoni apo kundërshtoni, kjo është një çështje që zgjidhet shpejt”.
Këshilltari Dr. Mohammed Said al Marmar, në fund ndau çmime të çmuara për kryetarin e FOCIC-it, Benjamin Idriz, dekanit të Fakultetit të Teologjisë në Shkup, Aco Girevski, presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të cilin e mori çmimin këshilltari politik i tij, Zoran Ilievski, si dhe disa personave të tjerë. Ndërsa, kryetari I FOCIC-it, Benjamin Idriz, në shkëmbim i dhuroi një fotografi të qytetit të Shkupit nga periudha osmane./AA