Refugjatët: Në këtë Bajram na mungojnë familjet dhe shtëpitë tona

Në qendrën e pranimit të refugjatëve në Gjevgjeli, në orët e hershme të mëngjesit arritën rreth 500 persona, ku shumica prej tyre ishin nga Siria. Pas arritjes dhe regjistrimit të tyre, ata u vendosën në qendrën e pranimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot është Kurban Bajrami, festa e madhe muslimane. Që refugjatët të ndjejnë sadopak frymën e kremtimit të Bajramit u kujdesën disa aktivistë të organizatës humanitare “Hilal” dhe “Legis” nga Shkupi, të cilët në kamp kishin përgatitur një hapësirë për faljen e namazit të sabahut (mëngjesit) dhe të Bajramit, shpërndanë bakllava, ndërsa fëmijëve u ndanë pako.

Në mesin e atyre që sot në mëngjes arritën në qendrën e pranimit është edhe Wasid-i nga Damasku, student i administrimit të biznesit. Ai tha se i vjen keq që në ditën e Bajramit është larg familjes dhe shtetit të tij, të cilat i mungojnë shumë. Është i rraskapitur, por thekson se është i lumtur se do të shkojë diku ku do të respektohen të drejtat e njeriut dhe ku ekziston sadopak një jetë më e mirë.

“Zakonisht, çdo vit në Siri ne e kremtonim Bajramin shumë më mirë, por u detyruam të braktisim shtetin tonë, dhe ndoshta në të ardhmen do të kremtojmë këtë festë bashkë me familjet tona në paqe”, thekson Wasid në intervistën për Anadolu Agency, duke folur për mënyrën e kremtimit të kësaj feste në vendin e tij. “Gjithë muslimanëve u dëshiroj paqe sepse kur ka paqe gjithmonë është Bajram”.

Me Wasid-in është edhe kushëriri i tij, Muhammaed po ashtu nga Damasku, i cili ka qëndruar në Stamboll një vit, ku ka punuar në një restorant. Ai rrëfen se ka mësuar gjuhën turke. I frikësuar për rrugën që ka marrë, tregon se në mesin e tyre ka shumë fëmijë, gra dhe njerëz të sëmurë. “Bajram është, po sikur të mos jetë, sepse njerëzit janë larg nga vendlindja dhe familjet e tyre”, thotë ai, I mërzitur ngaqë nuk ka parë familjen prej një viti, duke u shprehur se vetëm përmes telefonit u ka dërguar mesazh familjes për Bajram. “Ua uroj festën të gjithë muslimanëve, ne duam vetëm një jetë më të mirë, asgjë më tepër”, deklaroi për AA, Mohammed .

“Ndjehem mirë, në mëngjes kryem lutjen, u ndje një lloj uniteti”, deklaroi Husein nga Afganistani, duke pritur radhën për të hipur në trenin i cili sapo erdhi.

Në të njëjtën radhë është edhe Nabir-i nga Siria. “Nuk jam i lumtur, sepse në vendin tim ka luftë, kemi lënë gjithçka, por çfarë mund të bëjmë”, theksoi ai duke shtuar se beson se familja e tij është e lumtur meqë braktisi vendin në të cilin një kohë të gjatë zhvillohet luftë. Derisa një tren me rreth 600 refugjatë u nis drejt vendkalimit kufitar verior në Tabanoc, në qendrën e pranimit arrijnë grupe të reja të refugjatëve. Të lodhur nga rruga e vështirë, larg shtëpive të tyre, duke pritur Kurban Bajramin.

Artikulli paraprakRreth 4.400 emigrantë nga Gjevgjelia kanë arritur në Tabanovce
Artikulli vijuesTurqia dhuron 700 kurbane për familjet në nevojë në Maqedoni