Në Shqipëri do të përdoret zhdoganimi online

Dogana Shqiptare më në fund ka nisur aplikimin e asaj që quhet procedurë e thjeshtuar e deklarimit në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin, ose e zhdoganimit online. Përfituesi kryesor i kësaj procedure është biznesi i cili do të ketë lehtësi, shpejtësi gjatë procesit dhe përfitime monetare.

dogana onlineNë testimin e parë të kësaj teknologjie të re në një nga firmat në Tiranë ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali. Tanimë malli pas futjes në doganë nuk do të qëndrojë më në ambientet e kësaj të fundit, por do të transportohet direkt në mjediset e kompanisë përkatëse aty ku personi i autorizuar do të përpilojë deklaratën e plotë doganore dhe më pas do ja dërgojë në mënyrë elektronike pikës së doganës duke deklaruar kështu të gjithë mallin e mbërritur. Më parë kjo procedurë kërkonte 1 ditë kohë, ndërsa tani mund të përfundojë në pak minuta.

Teknologjia e re e aplikuar është një lehtësim tepër i madh për të gjithë bizneset pasi i kursen kohë dhe para. Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali u shpreh se pikërisht ky është qëllimi i administratës doganore të krijojë lehtësira për biznesin, të rrisë transparencën dhe të luftojë korrupsionin. Aktualisht është autorizuar vetëm një kompani për përdorimin e këtij shërbimi, por në ditët në vazhdim kjo mundësi do tu jepet dhe kompanive të tjera serioze që do të përfitojnë nga kjo risi. (PCWorld Albanian)

Artikulli paraprakAmbasadorit të Turqisë në Beograd i është dorëzuar notë proteste për shkak të vrasjës së tifozit
Artikulli vijuesSpanje, autoritetet në përgatitje të “listës së zezë” për tifozët e dhunshëm