Kërkesat e qeverisë turke për eleminimin e fyerjeve ndaj kombit turk dhe Perandorisë Osmane në tekstet shkollore të historisë vijojnë të jenë objekt i diskutimeve të shumta në shtypin shqiptar. Një ngacmim i madh në këto debate mbetet neo-osmanizmi, një ide e artikuluar prej Ministrit të Jashtëm të Turqisë Ahmet Davutoglu, në analizat e tij akademike, të cilat janë përfshirë tashmë në politikat kulturore të shtetit turk. Eshtë e natyrshme që këto ide të bëhen objekt diskutimi, por, nuk është e tillë kur ato bëhen sebep qendrimesh emocionale që vetëm sa ndezin një atmosferë rivalitetesh fiktive të panevojshme.
Në shtypin shqiptar, u diskutuan këto kohë disa teza të Davutoglusë, mbi realitetet shoqërore e politike në Ballkan e Turqi. Duke iu referuar Turqisë Moderne, tezat e tij skicojnë një relitet kulturor në krizë, gjë për të cilën analizat duhen mbështetur në teoritë psikologjike mbi identitetin. Davutoglu i referohet psikologut Laing, sipas të cilit, individi, kur humb elementë të vazhdimsisë personale, bëhet i huaj për vetveten dhe përpiqet të projektojë një vetvete false, duke u zhytur në labirintet e krizës. Në këtë premisë, Davutoglu përpiqet të paraqesë një tablo të problemeve të Turqisë së sotme, të cilat sipas tij, kanë të bëjnë me humbjen e dimensionit historik/hapsinor, gjë që e bën shoqërinë të kërkojë vetveten e saj false, në objekte artificiale identifikimi. Sipas tij, për Turqinë ky truall historik/hapsinor është Perandoria Osmane, së cilës ajo duhet ti rikthehet për të kërkuar rrënjët e saj. Për këtë arsye, ai e sheh rigjallërimin e Turqisë, në ridimensionimin e të kaluarës osmane, si truallin themelor mbi të cilin duhet ngritur identiteti i Turqisë moderne. Një gjë e tillë vjen në të kundërt me izolimin e rreptë nga e kaluara që imponoi ideologjia ataturkiste, gjë që do të thotë se tashmë, po vjen një epokë të re për shoqërinë turke, ku e tashmja moderne është në pajtimin me të shkuarën perandorake.
Kjo përsiatje, mund të thuhet se na çon në thelb të premisave teorike të neo-otomanizmit, që shqetëson kaq shumë intelektualët shqiptarë. Davutoglu e sheh Ballkanin si një mjedis i përbashkët kulturor dhe kjo thyerje me të kaluarën ndeshet pak a shumë kudo. Neo-otomanizmi, rrjedhimisht nuk është gjë tjetër vetëm se një perspektivë analitike e cila shtron problemin e vijimsisë historike, duke i inkuadruar dukuritë e reja shoqërore, në një sfond më të gjerë teorik, të orientuar në koordinatat e hapësirë/kohës, ndryshe nga shpjegimet mekaniciste të deritanishme. Mund të themi se ky lloj konceptimi përpiqet të ngrihet mbi ideologjitë aktuale ballkanike, të cilat nuk shkojnë më larg se fizika njutoniane, ku hapësira është e pavarur nga koha gjë do të thotë se gjeografia kulturore, apo edhe gjeopolitika, i kundërvihen historisë dhe trashëgimisë. Për pasojë, identitetet e sotme në Ballkan farkëtohen, ose në konflikt me të kaluarën dhe trashëgiminë, ose nëpërmjet konstruktimit të një perceptimi fiktiv për to, duke e prodhuar fillimisht në mënyrë sintetike të shkuarën, për të bërë të mundur një vetëdije historike që i shërben qëllimeve politike paraprake. Pra ajo çfarë shohim aktualisht në ideologjitë ballkanike, është përpjekja për të ndërtuar vetvete false në brumin e një historie flase.
Teza e shtruar në rastin e Davutoglusë, është interesante dhe duhet të bëhet objekt debati dhe kritike në shoqërinë tonë. Shqiptarët ndodhen në të njëjtat kushte në raport me të kaluarën dhe trashëgiminë e tyre kulturore dhe kjo duhet të kërkojë vëmendje të veçantë prej botës akademike e intelektuale. Kjo nuk do të thotë ti bëjmë “amin” në çdo gjë politikave turke, por të diskutojmë seriozisht mbi raportet tona me këtë pjesë të rëndësishme të së kaluarës, pa u druajtur nga shqetësime të kota mbi ndonjë neopushtim hipotetik. Në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XXI, njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë, do të duhet të kishim fituar tashmë emancipimin e duhur për ti parë gjërat më ftohtë e më qartë. Eshtë qesharake që lidhjet tona osmane të krijojnë ende kaq frustracion, në një kohë kur bota kulturore e akademike po shkon drejt hapjes ndaj konceptimeve shumë herë më objektive përballë kësaj trashëgimie.
Rishkrim apo përmbysje e historisë?
Në gazetën Mapo, një Profesoreshë historie e Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë, Emine Bakalli, i konsideronte kërkesat e qeverisë turke për rishikimin e teksteve shkollore që përmbajnë fyerje, si një imponim politik që synon të sjellë përmbysjen me kokë poshtë të të gjithë historisë shqiptare, duke nisur që me heronjtë e saj, si Skënderbeu, e duke vazhduar me Bushatllinjtë e Ali Pashën (të cilët sipas saj, patën si synim formimin e shtetit shqiptar), e më tej, duke dalë tek rilindasit, pra, me të gjithë ata “që janë shtyllë e vetëdijes qytetare e kombëtare të shqiptarëve”. E gjithë kjo, sipas saj, është në kundërshtim me “të vërtetën historike” që na thotë se shqiptarët u detyruan ta ndërtojnë identitetin e vet kombëtar e shtetëror në konfrontim të përhershëm me Portën e Lartë.
Ajo që spikat në këtë këndvështrim është qartazi vështirësia për të gjykuar në mënyrë të hapur, duke e parë çdo iniciativë për interpretime të reja mbi historinë, si një kërcënim për përmbysje. Rrjedhimisht, një perceptim tjetër, më normal, mbi jetën e shqiptarëve në një gjysëm mijëvjeçari, i shveshur nga epika absurde e një lufte pa fund, do të konsiderohet doemos si falimentim intelektual. Së pari, ky lloj historicizmi bëhet pengesë për t’i parë gjërat në realitetin e tyre të natyrshëm, së dyti, ai tregon pamundësitë për t’u çliruar nga hermetizmi doktrinar.
Por gjithkush që nuk vuan nga dogma të tilla, e kupton se këta 500 vjet shqiptarët i kanë jetuar dhe nuk i kanë kaluar në maratonë shekullore luftërash. Nuk ka asnjë të dhënë antropologjike që të na bëjë të besojmë se shqiptarët janë një specie e veçantë, krejt e ndryshme nga çdo qenie tjetër me dy këmbë, që t’i perceptojmë ata si sizifë fushëbetejash që përleshen prej shekujsh me pushtuesit, për më tepër, për një kauzë që nuk ka lindur ende, siç është nacionalizmi. Kjo përrallë, mund të jetë e bukur për mosha të hershme të fëmijërisë, mund të jetë e këndshme edhe për sedrën tonë kombëtare që guduliset nga çdo glorifikim epik, por nuk ka lidhje me realitetin, e madje nuk ka asnjë lidhje edhe me nacionalizmin e vërtetë, i cili parimisht beson tek vlerat e çdo kombi, e jo të ndonjë kombi në veçanti.
Për hir të së vërtetës duhet pohuar se askush në këtë debat nuk ka kërkuar që historia të përmbyset dhe fakti që hidhen disa ide dhe këndvështrime të reja, nuk do të thotë që çdo vlerë e mëparshme të shndërrohet në të kundërtën e vet. Problemi që ka historiografia shqiptare, sipas kritikave të historianëve të shumtë, kryesisht në perëndim, si Fischer, Clayer, Schmitt etj., qendron pikërisht në ideologjizimin e saj, siç shfaqet edhe në gjykimet të tilla bardhë e zi si hero/tradhëtar. Për këtë arsye, ridimensionimi i mendimit historik, nuk është përmbysje vlerash, por shveshje nga klishetë ideologjike. Nevoja për të rishkruar historinë nuk ka për qëllim që heronjtë dhe tradhëtarët të këmbejnë rolet, por ka për qëllim të na ofrojë një metodologji më objektive, në qasjet studimore ndaj tyre.
Pamja nga dy anët e dylbive
Duke lënë mënjëanë diskutimin se sa e vërtetë është se identiteti kombëtar u zhvillua në konfrontim me Portën e Lartë, vërejmë se znj. Bakalli nuk bën dallimin midis çështjeve kulturore nga ato politike. Fakti se shqiptarët kanë bërë kryengritje ndaj Portës, nuk do të thotë se ata nuk kanë patur ndikime prej kulturës osmane. Ndryshe nga ç’thuhet në shkrimin e saj, shqiptarët dhe turqit, nuk kanë dallime të thella kulturore, ashtu siç nuk ka dallime të tilla midis të gjithë popujve në Ballkan. Ballkani është një mozaik kulturor me ngjashmëri të mëdha, ku sidoqoftë, çdo popull ka ruajtur njëkohësisht edhe veçantinë e vet. Mjafton të shohësh arkitekturën, muzikën, veshjet, por edhe zakonet, traditat, vlerat dhe nuk ka nevojë të procedojmë më thellë. Të paktën, mund të themi se jemi shumë herë më të ngjashëm me njëri-tjetrin sesa me europianët, për të cilët brohorasim me të madhe se u përkasim.
Besoj se është e tepërt të shpjegojmë se shqiptarët ngjajnë më shumë me turqit, grekët, sllavët, sesa me britanikët, suedezët, gjermanët, apo edhe francezët dhe italianët që i kemi më afër. Problemi në këtë rast është se klishetë ideologjike na pengojnë të shohim ngjashmëritë aty ku ato janë krejt të dukshme, ndërkohë që nga ana tjetër na bëjnë t’i theksojmë fortë këto edhe aty ku nuk ekzistojnë. Duke qenë një kulturë në krizë, jemi të prirur të gjejmë më shumë ngjashmëri me të largëtit sesa me të afërtit. Kjo na bën që të largëtit t’i shohim me dylbi për të zmadhuar ngjashmëritë, ndërsa të afërtit t’i shohim duke përdorur anën e kundërt të dylbive, për t’i bërë ato sa më të padukshme. Kjo do të na japë me siguri rezultatin e kërkuar paraprakisht.
Një luftë kulturore 500 vjeçare
Por ajo që është më thelbësore në këtë debat, është mosdallimi midis ndikimeve kulturore dhe qendrimeve politike. Sido të kenë qenë raportet midis lëvizjeve nacionaliste shqiptare me Portën e lartë, kjo nuk ka të bëjë me kulturën. Sociologjikisht, kulturat nuk janë hermetike si ideologjitë. Historikisht popujt kanë dhënë e kanë marrë me njëri-tjetrin, dhe kjo është mënyra kryesore sesi kulturat janë zhvilluar. Kultura shqiptare nuk bën dhe nuk ka përse të bëjë dallim. Shqipëria ka një trashëgimi kulturore të pasur, dhe kjo edhe falë pasurisë së ndikimeve me të cilat ajo është difuzuar. Antropologët vërejnë se kudo kulturat e zhvilluara, janë ato që këmbejnë me mjedisin përreth, ndërsa kulturat hermetike janë të prirura të mbesin në primitivitet.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se kultura shqiptare ka humbur nga këmbime të tilla duke u asimiluar nga fqinjët apo turqit e bizantinët. Përkundrazi, difuzioni kulturor kryhet sipas një procesi të natyrshëm këmbimesh, ku zhvillimi ndodh duke ruajtur thelbin. Për këtë arsye, veçantia e kulturës shqiptare nuk vjen si pasojë e ndonjë rezistence sizifiane përballë pushtuesit, por vjen në mënyrë të natyrshme, duke shfaqur origjinalitetin e vet në mënyrën sesi ajo ka integruar të gjitha ndikimet e veta. Në këtë mënyrë shqiptarët kanë huazuar nga të tjerët duke ruajtur veçantinë e tyre, nëpërmjet përshtatjes së këtyre ndikimeve me konstruktin kulturor autokton. Pra kulturat zhvillohen duke këmbyer me njëra-tjetrën, por këmbimet nga ana e tyre, përkthehen në përputhje me formacionin kulturor ekzistues, duke u harmonizuar me stukturën ku ai impotohet. Asgjë të veçantë dhe të jashtëzakonshme nuk ka në këtë mes.
Neo-otomanizmi si një qasje që orienton politikat kulturore turke, nuk ka asgjë për t’u trembur. Ajo përpiqet të rikthejë në vëmendje ngjashmëritë dhe vlerat e popujve të Ballkanit, të trashëguara nga periudha osmane, kohë kur këta popuj kanë jetuar së bashku, duke synuar të rikthejë një pjesë të lidhjeve të dikurshme. Patjetër që Turqia e sheh këtë në funksion të politikave të saj, duke dashur të shtrijë ndikimin e saj tek këta popuj. Por këtu nuk ka asgjë të re dhe të veçantë nga ajo që bëjnë të gjithë popujt e botës. Këtu nuk ka asgjë më shumë se ajo që bën politika franceze në mbështetje të programeve kulturore që përhapin e mbështesin frankofoninë kudo në botë. Çdo vend normal do të përpiqet të zgjerojë rrethin e ndikimit të vet kulturor, për të fituar afrimitet me vende të tjera, për më tepër kur miqësitë mes popujve sot përkthehen në këmbime ekonomike, apo edhe mbështetje politike të ndërsjellta. Normalisht, lidhur me këto të fundit, politika shqiptare duhet të orientohet nga interesat e Shqipërisë, por nuk ka përse të krijohen alarme të tilla, thua se u rrethua përsëri Kruja.
Së fundmi, duam apo nuk duam, e pranojmë apo jo, trashëgimia kulturore e shqiptarëve zë pjesën e saj në trashëgiminë osmane, ashtu siç kultura jonë zë pjesën e saj në atë evropiane. Mbi të gjitha, trashëgimia osmane nuk është trashëgimi turke. Turqit kanë pjesën e tyre, ndoshta më të rëndësishmen në këtë trashëgimi, por ajo nuk është ekskluzivisht e tyre. Përkundrazi, të gjithë popujt në Ballkan, kanë pjesën e tyre në këtë formacion dhe nuk kanë përse të mos e promovojnë gjurmën e tyre në të. Shqiptarët dhe turqit, ashtu si të gjithë popujt e Ballkanit, kanë qenë pjesë e mozaikut kulturor osman, me të përbashkëtat dhe veçantitë e tyre. Kulturalisht jemi të gjithë të ngjashëm, ashtu siç jemi edhe të veçantë. Eshtë e pafalshme të vijojmë të mbetemi në komplekset ndaj së shkuarës, të cilat, ashtu siç thotë Laing më sipër, na zhysin në labirintet e krizës së identitetit që rreket, në mënyrë të dëshpëruar, të sajojë një vete të re artificiale./e-zani i nalte
Ergys Mërtiri