Dr. Mustafa Mahmud
NËSE ALL-LLAHU I KA
CAKTUAR VEPRAT E MIA,
PËRSE ATËHERË MË THËRRET
NË PËRGJEGJËSI?!
Duke menduar se kësaj here s’kam rrugëdalje, miku me dashakeqje tha:
Pohoni se Zoti e cakton çdo gjë madje edhe veprat tona. Nëse është ashtu, nëse Ai i ka caktuar edhe veprat e mia të këqija, përse atëherë më thërret në përgjegjësi për to?
Mos më thuani, sipas traditës suaj, se unë kam të drejtë të zgjedh, sepse s’ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ju pyes: A mos e kam zgjedhur unë lindjen, gjininë, lartësinë, ngjyrën, vendlindjen time?
A lind Dielli dhe a perëndon Hëna sipas zgjedhjes sime?
A vjen sipas zgjedhjes sime caktimi im; më befason vdekja dhe më ndodh tragjedia, dhe bëj krim.
Përse Zoti më detyron të bëjë diçka, e pastaj për këtë shkak më dënon?!
Nëse pohoni se jeni të lirë sepse përveç vullnetit të Zotit keni edhe vullnetin vetjak, a nuk po i përshkruani me këtë bashkëpjesëmarrje dhe reciprocitet të shumë vullneteve?!
Përveç kësaj, ç’thoni për ligjet e mjedisit, kushtet dhe domosdoshmërinë për të cilat flasin meterialistët historikë?!
I kënaqur me këto pyetje të shkrepura sikur të shtëna (arme), miku u qetësua, i bindur se me to përgjithmonë më ka varrosur.
Krejtësisht i qetë ia fillova:
Ke rënë në disa gabime: Veprat tua i janë të njohura Zotit dhe të shkruara në Librin e Tij, por me këtë nuk të janë caktuar detyrimisht. Ato janë caktuar vetëm në dijen e Tij. Kjo caktueshmëri deri diku mund të krahasohet me këtë që vijon: Ti ke njohuri për veprat e birit tënd dhe në to ekziston mundësia që biri yt të bëjë kurvëri. Nëse ai këtë e bën, a mos e ke detyruar ti në këtë ose kjo vetëm është parashtruar dhe ka ndodhur që dituria jote ka qenë e saktë?
Sa u përket fjalëve tua për lirinë dhe mundësinë e zgjedhjes se kjo është vetëm gënjeshtër e kulluar dhe se kjo dëshmon këtë çka nuk e ke zgjedhur lindjen, gjininë, ngjyrën, vendlindjen tënde, se nuk mund të ndikosh në Diellin dhe Hënën; këto tregojnë gabimin tjetër të cilin e ke bërë. Gabimi është në atë që ti lirinë e kupton krejtësisht ndryshe nga ne besimtarët. Ti flet për lirinë absolute dhe po thua pse s’kam mundur veten ta krijoj të bardhë apo të zi, të gjatë apo të shkurtër dhe a është në mundësinë time ta bart Diellin nga vendi i tij apo ta ndalë në orbitën e tij.
Ne kësaj i përgjigjemi: Ti flet për lirinë absolute, lirinë e zotërimit të lirë me kozmosin që i përket vetëm Zotit. Për ne është e vërtetë e vetme: “Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh. S’është (e drejtë) e tyre të zgjedhin.” (El-Kasas, 68).
Askush nuk ka të drejtë zgjedhjeje në çështjen e krijimit, sepse Zoti xhele shanuhu është Ai i cili krijon çka të dojë dhe zgjedh çka të dëshirojë. Zoti i lartmadhëruar nuk do të të ftojë në përgjegjësi për shkak të lartësisë tënde, as që do të të dënojë për shkak se nuk e ke ndalur Diellin në orbitën e tij. Por, fusha e pyetjeve është fushë e ngarkimeve. Ti në këtë fushë je i lirë dhe ata janë kufijtë për të cilët po flasim. Ti je i lirë t’i kultivosh pasionet tua, ta përmbash urrejtjen tënde, t’i kundërvihesh vetvetes, t’i largosh qëllimet e këqija, ndërsa t’i vazhdosh prirjet tua të mira. Ti mund të bëhesh bujar me vetveten dhe pasurinë. Mund të flasësh të vërtetën ose të gënjesh. Mund ta përmbash dorën tënde nga e ndaluara. Mund ta përmbash shikimin tënd nga trupi i të tjerëve. Mund ta përmbash gjuhën tënde nga sulmi, përgojimi dhe intrigat.
Në këtë fushë ne jemi të lirë, dhe vetëm për atë që është brenda saj do të pyetemi dhe do të jemi përgjegjës.
Fjala është për lirinë relative e jo absolute, lirinë e njeriut në planin e obligimeve. Kjo liri është e vërtetë, kurse atë tek ne e dëshmon ndjenja e lindur për të. Ne ndiejmë përgjegjësi, pendim për gabimin e bërë, ndërsa kënaqësi kur bëjmë punë të mirë. Ne në çdo rast zgjedhim dhe krahasojmë disa alternativa. Madje edhe detyra e parë e arsyes sonë është përcaktimi dhe zgjedhja ndërmjet disa alternativave.
Ne krejtësisht qartë e dallojmë lëvizjen e dorës e cila dridhet nga ethet dhe të dorës e cila shkruan letër, dhe themi se lëvizja e parë është e caktuar, e detyruar, ndërsa lëvizja e dytë e zgjedhur, e lirë. Sikur të mos kemi vullnet të lirë, nuk do të mund as të bënim dallime.
Gjithashtu, këtë liri e dëshmon edhe ndjenja jonë e paaftësisë ta detyrojmë zemrën në diçka me çka ajo s’është e kënaqur. Femrën mundemi me detyrime dhe kërcënim ta shpiejmë në situatë të bëjë çka të dëshirojmë, por me kurrfarë mjetesh detyruese nuk mund ta detyrojmë që në të vërtetë të na dojë. Kjo qartë tregon se All-llahu xhel-le shanuhu i ka çliruar zemrat tona nga nënshtrimi i çfarëdo detyrimi, duke i krijuar plotësisht të lira.
Për këtë arsye All-llahu xhel-le shanuhu e ka bërë qëllimin – nijetin, burim i të cilit është zemra, shtyllë e përgjegjësisë. Besimtari i cili nën presion e blasfemon fenë nuk do t’i përgjigjet Zotit deri atëherë kur me zemër të bëjë blasfemi:
“… Përveç nëse në këtë është i detyruar, kurse zemra e tij është e bindur thellë në besim…” (En-Nahl, 106).
Pikëpamja tjetër e gabueshme e kësaj qëndron në atë që disa njerëz kuptojnë se liria e njeriut është mbi vullnetin e Zotit, dhe duke i akuzuar rekomanduesit e lirisë së Zotit i përshkruajnë bashkëpjesëtarë në urdhërdhënie dhe vendim. Kështu edhe ti, o mik, e ke kuptuar dhe ke folur për vullnetin e shumënumërt, që është, pa dyshim, botëkuptim i gabueshëm. Liria e njeriut nuk ngrihet mbi vullnetin e Zotit. Njeriu është i lirë të bëjë diç që i kundërvihet kënaqësisë së Zotit, por ai nuk mund të bëjë asgjë që i kundërvihet vullnetit të Zotit.
Zoti xhel-le shanuhu na ka dhënë liri që t’i kundërvihemi kënaqësisë së Tij në dëmin tonë, por askujt s’i ka dhënë liri që t’i kundërvihet vullnetit të Tij. Këtu është ana tjetër e lirisë relative të njeriut. Çdo gjë që ne veprojmë është në kuadër të vullnetit të Zotit, madje edhe atë që e veprojmë e që nuk është në pajtim me kënaqësinë e Zotit dhe me Sheriatin.
Liria jonë është begati nga Zoti dhe shpërblim të cilin Krijuesi na ka dhuruar krejtësisht, pavarësisht nga vullneti jonë. Liria jonë është vetëm vullneti i Tij.
“Dhe ju nuk doni tjetër përveçse çka do All-llahu.” (El-Insân, 30).
Të flasish për lirinë në këtë kuptim, nuk do të thotë t’i shoqërosh Zotit shok. Liria jonë është e njëjtë me urdhëresat e Tij, vullnetin e Tij dhe caktimet e Tij.
Pikëpamja e tretë e gabueshme e kësaj pyetjeje është të kuptuarit e gabueshëm të caktimit dhe fatit të vullnetit të lirë dhe zgjedhjes së lirë, nga ana e atyre të cilët janë të preokupuar me studimin e këtyre pyetjeve. Ata caktimin dhe fatin e kanë kuptuar se kjo është të detyruarit dhe të shtrënguarit e njeriut në atë çka nuk është në karakterin e tij dhe në natyrën e tij. Të njëjtin gabim e ke bërë edhe ti o mik! All-llahu i madhëruar e mohon detyrimin nga ana e vet:
“Nëse kishim dashur, Ne nga qielli do t’ua zbritnim një shenjë para së cilës ata qafat e tyre do t’i ulnin.” (Shu’arâ, 4).
Domethënia e këtij ajeti është e qartë: ka qenë plotësisht e mundur që njerëzit të detyrohen në besim, por kjo s’është bërë për shkak se All-llahu nuk detyron:
“Nuk ka shtrëngim në fe. Rruga e vërtetë qartë dallohet nga ajo lajthitëse.” (El-Bekare, 256).
“Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në Tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?” (Jûnus, 99).
Në ligjshmëritë të cilat i ka dhënë Zoti nuk ka kurrfarë detyrimi. Caktimi dhe fati nuk guxohet të kuptohen si detyrim i njerëzve në diçka çka nuk është në natyrën e tyre. All-llahu xhel-le shanuhu i jep secilit atë që është në vetë qëllimin e tij, i dëshiron atë çka ai vetë dëshiron dhe do atë çka ai vetë e do. Të qeverisurit e Zotit është zgjedhja e njeriut, sepse Zoti xhel-le shanuhu e drejton çdo njeri nga ajo nga synon zemra e tij dhe çfarë qëllimi ka:
“Kush dëshiron shpërblimin e Ahiretit, do t’ia shumëfishojmë atë, ndërsa atij kush dëshiron shpërblimin e kësaj bote, do t’ia japim…” (Esh-Shûrâ, 20).“
Zemrat e tyre janë të sëmura, kurse All-llahu sëmundjen e tyre edhe më e shton…” (El-Bekare, 10).
“Kurse ata të cilët janë në rrugë të drejtë, Ai edhe më tej do t’i shpjerë…” (Muhammed, 17).
Do ta përmendim edhe ajetin në të cilin All-llahu xhel-le shanuhu u drejtohet robërve:
“Nëse All-llahu e di se në zemrat tuaja ka diçka të mirë, do t’ju japë më mirë se ajo që është marrë nga ju…” (El-Enfâl, 70)
All-llahu i lartësuar na e mundëson atë që e kemi zgjedhur në zemrat tona dhe çfarë janë qëllimet tona dhe së këtejmi nuk ka dhunë, detyrim as shtrëngim në diç që nuk është në pajtim me natyrat tona.
“Sa i përket atij që jep dhe ruhet (nuk gabon), dhe atë më të bukurën e konsideron të vërtetë, atij do t’ia lehtësojmë për në lehtësi. Kurse ai që është koprrac dhe ndihet i mëvetësishëm, dhe atë më të bukurën e konsideron gënjeshtër, atij do t’ia lehtësojmë për në vështirësi.” (El-Lejl, 5-10.)
“Ti nuk gjuajte kur gjuaje, por gjuante All-llahu…” (El-Enfâl, 17).
Këtu po identifikohet akti i të gjuajturit të njeriut me gjuajtjen e bërë nga ana e All-llahut xhel-le shanuhu, dhe se ekziston vetëm një gjuajtje. Njeriu ka qëllimin, ndërsa All-llahu i madhëruar e mundëson realizimin e tij, dhe këtë, nëse është i mirë, me të mirë, kurse nëse është i keq, me të keq. Liria njerëzore nuk ka masë të përhershme por vetëm aftësinë relative, e cila zmadhohet dhe zvogëlohet. Njeriu mund ta rritë lirinë e vet me shkencë: me ndihmën e zbulimeve dhe risive të ndryshme ai ka arritur ta pushtojë Tokën, ta ngadhënjejë hapësirën dhe të çlirohet nga prangat e kohës. Duke i zbuluar ligjet në natyrë njeriu ka arritur që të zotërojë me to dhe që vetes ato t’ia nënshtrojë: ka zbuluar si ta ngadhënjejë ngrohtësinë, ftohtësinë, errësirën dhe kështu e ka rritur lirinë e vet në planin e aktivitetit të tij. Shkenca pra, është mjet i zgjerimit të kufijve të lirisë së njeriut.
Mjeti i dytë është feja. Të drejtuarit Zotit dhe kërkimi i ndihmës së tij, gjithashtu i zgjeron kufijtë e lirisë dhe këtë mjet e kanë përdorur të gjithë Të dërguarit e Zotit dhe ithtarët e tyre. Sulejmani (a.s.) i ka nënshtruar xhinnët, ka zotëruar me erën dhe ka folur me zogjët, të gjitha këto me përkrahjen dhe ndihmën e Zotit; Musa (a.s.) e çau detin; Isa (a.s.) i ngjallte të vdekurit, i shëronte të verbërit, të zgjebosurit dhe të verbërit. Lexojmë, gjithashtu, për evlijatë – dashamirët e Zotit – të cilëve u mbulohet Toka dhe u zbulohen sekretet, të rëndomtëve të paarritshme.
Të gjitha këto janë shkallët e lirisë të ngritura mbi liritë mesatare njerëzore, të cilat ata i kanë arritur me përpjekjet më të larta në të drejtuarit e tyre All-llahut xhel-le shanuhu dhe të shprehurit e dashurisë ndaj Tij. Atyre u janë dhuruar pjesët e diturisë sekrete. Dituria paraqitet sërish. Mirëpo, këtë herë kjo është dituria e tesavvufit – misticizmit (el-’ilm-ul ledûnij). Ç’ështjen e zgjedhjes së lirë dhe vullnetit jo të lirë Ebu Hamid El-Gazaliu e shtron dhe e shkoqit shkurt dhe thjesht me dy fjali:
“Njeriu është i lirë në atë që ka dituri” dhe
“Nuk është i lirë në atë që nuk ka dituri”.
Me këtë ai mendon se sa më shumë që të zgjerohet dituria e tij, zgjerohet njëkohësisht edhe sfera e lirisë së tij, qoftë dituria e tij objektive apo dituri mistike (ledunij).
Mendimtarët materialistë gabojnë kur pohojnë se njeriu është rob i domosdoshmërisë historike, duke parë në të vetëm nyjen në zingjirin e ndodhive shoqërore-ekonomike, plotësisht të nënshtruar ligjeve të ekonomisë dhe lëvizjes së shoqërisë.
Nocionin të cilin ata pa lodhje e përsërisin, sikur ai të ishte ligj, “domosdoshmëri e konfliktit klasor”(hatmijet-us-sira-it-tabekijj), është i gabueshëm në shkoqitjen shkencore, sepse nuk ka domosdoshmëri në sferën njerëzore, por më së shumti që ka, janë gjasat dhe mundësitë dhe në këtë edhe qëndron dallimi ndërmjet njeriut dhe dhëmbëzave, mjeteve dhe trupave materialë.
Është e mundur të parashihet të zënit e Diellit në minutë dhe sekondë, kurse është e mundur të parashihet edhe lëvizja e tij në ardhmëri. Mirëpo, është e pamundur të dihet çka fsheh njeriu në qëllimet e tij, ç’do të bëjë nesër ose pasnesër. Kjo është e pamundur të dihet përveç nëpërmjet mundësisë, probabilitetit dhe hamendjes dhe këtë, me kusht të posedimit të të dhënave të mjaftueshme për sjelljen e vendimit.
Sa u përket pohimeve të materialistëve për ndikimin e mjedisit dhe shoqërisë, dhe se njeriu nuk e jeton jetën e tij të pavarur, të mëvetësishme, u përgjigjemi se ndikimi i mjedisit dhe shoqërisë si kundërveprim lirisë individuale, konfirmon domethënien dialektike të kësaj lirie, sepse liria individuale konfirmohet vetëm në të ballafaquarit me kudërveprimet; nëse nuk ka kundërveprim në lirinë e njeriut, atëherë ai edhe s’është i lirë, nëse liria kuptohet në kuptimin e vërtetë, sepse nuk ekziston kurrfarë pengese të cilën duhet mposhtur dhe të vërtetohet nëpërmjet saj liria jonë.