Kalimi i të Djelës pasdite në divan duke parë programe argëtuese në televizor mund të jetë thjesht përtaci ose dembelizëm, e cila mund të pasohet nga një veprim energjik adhurimi apo shërbimi ndaj të tjerëve. Kjo nuk është plogështi[1], e cila është një sëmundje e thellë e rrënjosur në një neveri të përsëritur dhe të ngulitur ndaj të vepruarit në përputhje me Sunetin. ‘Punoni!’ urdhëron Liber Asian “se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. (Kuran 9:105).
Në kopështin e Xhenetit, Ademi dhe Havaja nuk patën punë. Ata vepruan sipas fitrës, në harmoni me shenjat e krijimit. Në këtë botë tonën, ekziston domosdoshmëria për të punuar. Njeriu i verbër shpirtërisht punon për egon e tij, për pasuri ose për pëfitime dynjaje. Besimtari “punon drejtësisht” (21:51), domëthënë në përputhje me Sheriatin dhe njetin e sinqertë.
Një person përtac nuk është domosdoshmërisht edhe i plogësht. Nieti i tij dhe veprimi i tij i mundshëm e tregojnë një gjë të tillë. Ngjashëm, një person i plogësht mund të mos jetë përtac. Në mënyrë që të shmangë Krijuesin e tij ai mund të gjejë njëmijë detyra për të kryer. Këto mund të marrin formën e biznesit apo kënaqësisë. Ai mund të punojë dymbëdhjetë orë në ditë dhe të neglizhoj namazet. Presioni i punës e mpin ndjenjën e tij të detyrimit shpirtëror: Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar (pasurinë, familjen, pushtetin)” (Kuran 102:1). Ai mund edhe të marrë pushime për tu ngjitur me këmbë në Tibet, duke vënë në rrezik madje edhe jetën e tij, në mënyrë që të arrijë të njëjtin efekt qetësues të mpirjes. Në kohët tona, njerëzit më aktivë janë të plogështit. Në fakt, koha jonë është një kohë e plogështisë. Njeriu i plogësht është një maniak supresiv.
Por “Shejtani u premton atyre vetëm gënjeshtra” (Kuran 4:120). Njerëzit e plogësht lëvizin në mënyrë energjike nga një veprim në tjetrin, por në thellësi ata janë të amullt/të ndenjur. Besimtari mund të jetë i qetë në pamje të jashtme, indiferent ndaj shtimit të përfitimeve në këtë dynja, por zemra e tij është është një burim i përmendjes së Zotit.
Selefizmi i gënjeshtërt dhe fanatizma të tjerë fetarë mund gjithashtu që ta urrejnë formalisht përtacinë, ndërkohë që bien në krahët e ëmbëla të plogështisë. Ruaju energjisë së ‘aktivistit’ zemra e të cilit është e trazuar dhe kënaqësia më e madhe e të cilit, qoftë kjo e ndrydhur apo jo, është të gjej gabime tek të tjerët. Energjia e tij fetare rrjedh nga tmerri i tij për tu përballur me detyrën e tij të vërtetë, e cila është përkujtimi i përunjur dhe vetëkritik i Zotit të tij. Për atë Islami është kibla, njësoj si biznesi, makinat apo statusi janë për atë qe rend pas dynjasë.
Për të shpëtuar prej vesit ne duhet të dimë se për ku duhet të arratisemi. I arratisuri potencial prej Colditz-it[2] duhet të bëjë një listë me hapat që duhet të ndërmarr nëse dëshiron të shmang gardianët dhe grackat e mundshme. Lista për Arratisjen e Madhe përfshin udhëzimet e dhëna nga një sheh, të cilat janë trupëzim i udhëzimeve të vetë Profetit të Bekuar, i cili i udhëhoqi njerëzit e tij nga ëndërrimi me sy hapur drejt njohjes së vetes.
[1] Këtu plogështia i referohet prirjes për të mos vepruar ose për të mos punuar, apatizmit shpirtëror dhe pasivitetit. Në anglisht autori përmend fjalën “sloth” (plogështi) e cila është një term që vjen nga teologjia e krishterë, duke qenë se në krishterim “plogështia” është një nga shtatë mëkatet vdekjeprurëse. Ajo i referohet përtacisë shpirtërore dhe plogështisë në të përmbushurit e vullnetit hyjnor dhe në të kryerit e veprimeve që sjellin shpëtimin (shën. i përk.).
[2] Golditz është një kështjellë e kohës së Renesancës e cila ndodhet në qytetin Golditz afër Leipzigut. Gjatë luftës së dytë botërore kështjella u shndërrua në një burg të sigurisë së lartë për robërit e luftës. Ajo konsiderohej nga gjermanët si një burg i pathyeshëm, por megjithëkëtë shumë robër lufte mundën të arratisëshin prej tij. Njeri prej tyre ishte kapiteni Patrick R. Reid i cili u arratis nga Colditz në vitin 1942 dhe i cili pas arratisjes shkroi dy libra në të cilat përshkruan kushtet e burgut dhe përpjekjet e ndryshme për tu arratisur prej tij. (shën. perkth.)
T.J. Winter (Abdul Hakim Murad)