Neuroekonomia, fusha e re e studimit që po merr zhvillim

Tradicionalisht e përkufizuar si një përzirje ndërmjet psikologjisë dhe ekonomisë, e cila shërben si strukturë bazë në vendimmarrjen e një individi, neuroekonomia është e bazuar në dy elemente kryesore: së pari vërteton që efekti psikologjik i individit në treg të hapur (qoftë si rezultat i lëvizjeve të tregut apo edhe preferencave individuale) mund të ndikojë në vërtetim apo refuzim të teorive ekonomike dhe së dyti, në një aspekt më psikologjik, tregon që jo domosdoshmërisht zgjedhjet më optimale nga individë të ndryshëm përcaktojnë nivelin e kënaqësisë që sjellin ato.

Ideja e trajtimit të ekonomisë si një fushë e përgjithshme studimi nuk përkon me principet e neuroekonomisë. Përkrahësit e kësaj fushe argumentojnë se ekonomia duhet të distancohet nga modeli i thjeshtësuar i vendimmarrjes dhe interesit racional për shkak të një kompleksiteti të pallogaritur të natyrës njerëzore.

Njëri nga sukseset më të hershme, i cili daton nga vitet e 1980-ta erdhi nga përdorimi i neuroshkencës si mënyrë për të hedhur dritë mbi të metat e metodave të “ekonomiksit” të përgjithshëm dhe atij klasik. Si shembull bazë është edhe “loja e ultimatumit” e njohur në ekonomi si eksperimenti, i cili përfshin dy individë, ofertuesin, i cili propozon një ndarje të një shume të parave midis një lojtari/individi të dytë apo mbajtjen e të hollave për vete. Lojtari/individi i dytë duhet ose të pranojë shumën e caktuar ose ta refuzojë atë.

Në rast refuzimi, të dy mbesin pa të holla.

Sipas teorisë klasike të ekonomisë, përderisa lojtari/individi i parë i ofron të dytit një shumë të caktuar parash, ky i dyti gjithmonë do të pranojë duke u nisur në principin “më mirë diçka se sa asgjë”. Mirëpo, të menduarit nga pikëpamja e neuroekonomisë shtyn shpesh lojtarin/individin e dytë të refuzojë ofertën e lartpërmendur për aryse se oferta e ndarjes së parave ndërmjet dy lojtarëve mund të shihet si e padrejtë në aspekt të përqindjes.

Kjo fushë relativisht e re studimi e ekonomisë ka edhe kundërshtarët e saj, respektivisht dy profesorët e Universiteti të Princeton, Faruk Gul dhe Wolfgang Pesendorfer, të cilat konkludojnë që neuroshkenca nuk mund ta tranformojë ekonominë si fushë më humane pasi që ajo që ndodh brenda trurit të njeriut është pak e rëndësishme për ekonominë në përgjithësi. Ajo që ka rëndësi shtojnë ata, janë vendimet që njerëzit marrin si tërësi dhe jo procesi se si arrihen ato vendime.

Në fund, neuroekonomia si shkencë shihet potencialisht si një fushë studimi në rritje, e cila mund të rezultojë në zbulime të mëdha socio-ekonomike, por edhe mund të ngelë në vend në mungesë të eksperimenteve apo teorive të duhura. Një kuptim më i thellë dhe më i detajuar i neuroekonomisë është dekada larg, por nuk mund të arrijmë atje pa filluar diku.

Artikulli paraprakZbuloni se në cilën prej llojeve të inteligjencës bëni pjesë
Artikulli vijuesSi i fiton dhe shpenzon Bill Gates miliardat e tij?