Mbrëmë në emisionin “Ekonomia me Erëzën” është transmentuar hulumtimi për Ligjin mbi faljen e borxheve publike.
Sakip Imeri, drejtor i Administratës Tatimore, ka shpalosur detaje të zbatimit të këtij ligji që nga hyrja në fuqi, në shtator të vitit 2015, e deri më tash.
Imeri ka deklaruar se Administrata Tatimore deri në dhjetor të vitit 2015 ka inkasuar një shumë prej 8 milionë eurosh nga bizneset që kanë paguar një pjesë të vogël të borxhit, për t’iu falur pjesa e madhe e borxhit.
Ndërsa në tre mujorin e parë të vitit 2016, Administrata Tatimore ka inkasuar mbi 1 milion e katërqind mijë euro.
Administrata Tatimore pret që ligji do të prodhojë rezultate më të mira tre muaj para skadimit të tij, në muajt qershor, korrik e gusht të këtij viti
Imeri thotë se deri në fund të vitit 2016, Administrata Tatimore do të inkasojë rreth 10 milionë euro nga zbatimi i Ligjit për faljen e borxheve publike.
“Për vitin 2016 të hyrat e planifikuara për ATK-në janë 388 milionë euro. Nga viti i kaluar ka një diferencë prej 48 milionë eurosh, nga 340 milionë të inkasuara në 388 milionë euro të hyra, që pritet të inkasohen. Prej tyre 10 milionë euro janë parashikuar të mblidhen prej zbatimit të Ligjit për faljen e borxheve publike”, ka thënë drejtori i Administratës Tatimore, Sakip Imeri.