Nga tetori, NATO sjell në Kosovë 700 forca speciale

Nga fillimi i tetorit NATO do të dërgojë 700 trupa të forcës së saj speciale në veri të Kosovës.

E përditshmja gjermane Spiegel shkruan se NATO ka kërkuar sërish përdorimin e një force gjermano-austriake për ndërhyrje në Kosovë në vjeshtën e vitit 2012, transmeton gazeta Panorama.

Do të jenë 700 forca të njësisë ushtarake gjermane dhe austriake që nga fillimi i tetorit do të zëvendësojnë një forcë paqeruajtëse italiane.

Kjo është hera e tretë brenda këtij viti që ushtarët gjermanë të batalionit të të ashtuquajturit Operacioni Rezervë (ORF) do të duhet të lëvizin jashtë në drejtim të Kosovës. Pavarësisht kësaj, Berlini u pajtua me kërkesën e NATO-s, shkruan Spiegel, me qëllim vazhdimin e operacioneve të suksesshme, stabilizimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë në veri të Kosovës.

Gazeta gjermane Spiegel thotë se përshkrimi i situatës në Kosovë tingëllon alarmues. Pavarësisht nga prania e rreth 5 800 ushtarëve ndërkombëtare dhe një force italiane prej 700 ushtarësh, situata vazhdon të jetë e brishtë sidomos në veri, në pjesën kufitare të Kosovës me Serbinë.

Pas zgjedhjeve në Serbi, në fillim të verës, në të cilat forcat nacionaliste u shfaqën si fituese atje, në muajt e ardhshëm ka një potencial të rëndësishëm për një përkeqësim të situatës, citon Spiegel gjeneralin Rainer Glatz.

Kjo task-forcë (ORF) është krijuar nga NATO për situata të rrezikshme dhe në rast se forcat e rregullta nuk mund të kontrollojnë situatën. Në Ballkan, njësia është përdorur kryesisht në zonën kufitare për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakOpozita kundër dialogut pa kërkimfalje të Serbisë për krimet në Kosovë
Artikulli vijuesLogitech prezanton tastierën që mund të lahet