Nikoliqit i ndalohet hyrja në Kosovë, EULEX-i s'ka çka bon!

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se nuk do të shkoj për Krishtlindjet Ortodokse në Kosovë, pasi nuk dëshiron që Prishtina të vendos se a do të shkoj apo jo ai në Kosovë.

“Nuk shkoj për Kërshëndella në Graçanicë”, tha Nikolliq, dhe shtoi se “nuk dua që Prishtina të vendos se a mund të shkoj në Kosovën tonë”.

Mëtutje, ai i ka thënë gazetës Kurir se është e qartë se misioni EULEX në Kosovë “pret që për këtë të vendosin autoritetet në Prishtinë”.

Sipas zotit Nikolliq, misioni EULEX edhe njëherë ka treguar se nuk është netural ndaj statusit, ashtu siç paraqitet, por punon ashtu siç i thotë Prishtina.

“Nuk më patën lejuar të shkoj në Kosovë, kur isha përfaqësues i opozitës, dhe nuk më lejojnë as tash kur jam president i Serbisë”, tha Nikolliq.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, mbrëmë tha se nuk është pjesë e procesit të vendosjes se kujt i lejohet dhe kujt nuk i lejohet të hyjë në Kosovë.

 

EULEX-i hedh poshtë kritikat e Nikolliqit

Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se nuk është pjesë e zinxhirit që vendos se kujt i lejohet dhe kujt jo hyrja në Kosovë.

Deklarata pason atë të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i cili ka kritikuar “paaftësinë e EULEX-it” për t’iu përgjigjur kërkesës së tij që të marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve ortodokse në Graçanicë, më 7 janar.

“Kërkesa për hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë i dërgohet përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Beograd. Zyra e përfaqësuesit special të BE-së në Prishtinë ia pason atë kërkesë Qeverisë së Kosovës dhe përgjigjja kthehet në të njëjtën mënyrë”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, për Radion Evropa e Lirë.

Nikolliq ka thënë se i ka dërguar kërkesën misionit evropian më 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Artikulli paraprakItali: 6 turistë rusë e humbën jetën në Alpe
Artikulli vijuesProtesta antiqeveritare në Irak, pse protestohet?