Nishani në OKB: Të respektohet vendimi i GJND-së për Kosovën

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në New York, në një sesion kushtuar shtetit ligjor. “Historia e njerëzimit është në fakt edhe historia e evolucionit të ligjit. Sa herë kemi humbur vizionin për ligjin jemi përballur me trazira”, ka deklaruar Nishani.

Gjatë fjalimit të tij presidenti Nishani u ka kujtuar të pranishëmve ndryshimin e shtetit ligjor në Shqipëri, nga periudha e errët e komunizmit e deri në ditët e sotme. “Shqipëria ka pasur marrëdhënie të ndërlikuara me ligjin. Mijëra qytetarë ishin bërë pre e ndëshkimeve kolektive gjatë periudhës së komunizmit”, ka thënë presidenti, i cili ka përsa i përket ditëve të sotme ka theksuar: “Sot konsolidimi i ligjit në Shqipëri është kthyer në parimin për një demokraci të konsoliduar. Sundimi i ligjit është gur themeltar në një shoqëri demokratike, por nuk është diçka e lehtë”.

Nishani ka thënë se Shqipëria ka mbështetur dhe gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë mandatet e gjykatave ndërkombëtare për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në luftën ndaj pandëshkueshmërisë, si dhe në vendosjen e standardeve të një drejtësie botërore në interes të paqes dhe sigurisë.

Më tej presidenti i është referuar rastit të Kosovës, pavarësia e të cilës u shpall legjitime në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por që vendimi i të cilës nuk njihet nga Republika e Serbisë. “Është për të ardhur keq që nganjëhere vendimet dhe mendimet e gjykatave ndërkombëtare nuk merren parasysh nga shtetet, të cilat i kanë ngritur dhe paraqitur fillimisht si çështje gjyqësore. Kështu ishte edhe rasti me mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Nishani.

“Në rajonin tim, atë të Ballkanit, popujt e etnive të ndryshme: shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë kanë përjetuar disa nga luftërat më të tmerrshme në emër të nacionalizmit të keqpërdorur. Mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioritetit të tyre mbi popujt e tjerë duke legjitimuar genocidet dhe masakrat që pasuan”, ka vijuar ai.

“Dy dekadat e fundit kanë treguar se nuk është një detyrë e lehtë që ta kthesh këtë faqe në librin e historisë së Ballkanit. Shkaktarët e këtyre tragjedive dhe gjenocidive natyrisht që nuk mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë vetëm. Ajo që nevojitet është miratimi i të gjithë popujve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, nevojitet miratimi i viktimave që kërkojnë drejtësi. Vërehet me shqetësim se në Ballkan, në vend të kërkesave faljesh të sinqerta për masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar, ne na serviren deklarata mohuese dhe mbi të gjitha, deklarata të bëra nga nivelet më të larta”.

“Kështu që është e natyrshme për ne që të respektojmë Shtetin e së Drejtës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar: zbatimi i tij është në të vërtetë i pasqyruar në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet tona të drejta, paqësore dhe të mira me fqinjët tanë në rajon dhe më gjerë”.

“Ne vlerësojmë veçanërisht punën e bërë nga EULEX-i në Republikën e Kosovë, duke e konsideruar atë një kontribut shtesë e të çmuar ndaj paqes dhe sigurisë në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ne besojmë se në rajon, objektiva jonë për të vendosur, për të respektuar dhe për t’iu bindur sundimit të ligjit është një domosdoshmëri që duhet përqafuar plotësisht nga të gjitha vendet, të cilat synojnë seriozisht dhe sinqerisht të përparojnë drejt bashkëpunimit dhe harmonisë së plotë rajonale dhe të përmbushin qëllimin e përbashkët të integrimit evropian, ka thënë ndër të tjera presidenti Nishani.kohaislame

Artikulli paraprakThaçi: Qytetarët e Kosovës janë qytetarët më të izoluar të Evropës
Artikulli vijuesLDK nën presionin e Qeverisë