Nishani reagon për incidentet në Kuvendin e Maqedonisë

“Presidenti Nishani dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të Maqedonisë, veçanërisht të atyre me origjinë shqiptare, dhe bën thirrje për qetësimin e situatës dhe kapërcimin e saj me maturi politike”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka reaguar lidhur me ngjarjet e dhunshme të ndodhura në Parlamentin e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përmes një deklarate me shkrim, Nishani thotë se ka ndjekur me shumë shqetësim dhunën e ushtruar mbrëmë në Parlamentin e Maqedonisë, menjëherë pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të Parlamentit me origjinë shqiptare, Talat Xhaferi, si dhe ka shprehur keqardhjen për daljen nga kontrolli të kësaj situate nga forcat e sigurisë së Maqedonisë.

“Presidenti Nishani dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të Maqedonisë, veçanërisht të atyre me origjinë shqiptare, dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve bën thirrje për qetësimin e situatës dhe kapërcimin e saj me maturi politike”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Presidenca e Shqipërisë.

Presidenti Nishani ka përshëndetur zgjedhjen e Xhaferit në postin e kryetarit të Parlamentit dhe e konsideron këtë si një zhvillim shumë pozitiv për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni që sipas tij duhen mbështetur gjerësisht.

Presidenti Nishani në deklaratën e tij vlerëson gjithashtu se tentativat për të inkurajuar dhunë duke keqpërdorur marrëdhëniet ndëretnike duhen dënuar me forcë pasi nuk rrezikojnë vetëm stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë, por sipas tij edhe marëdhëniet ndërshtetërore dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Ai shton se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit, në të gjitha elementët e saj, do të ishte garancia më e mirë për harmoninë dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni.

Ndërkohë lidhur me incidentet në Kuvendin e Maqedonisë mbrëmë reaguan edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, si dhe kryeministri Edi Rama.

Artikulli paraprakNdërprerjet e energjisë elektrike vështirësojnë jetën në Gaza
Artikulli vijuesKosova me potencial të lartë për investitorët