Problemi i veriut, shkak i përçarjeve në NATO

Problemi i veriut ka ardhur si pasojë e përçarjeve që kanë ndodhur në mes anëtarëve të NATO-s në atë kohë. Kjo ishte deklarata që e ka bërë ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.

Lidhur me gjendjen në veri, ai e ka mbështetur aksionin e Qeverisë së Kosovës bërë në veri për ta kthyer kontrollin në atë pjesë të vendit. Ai ka folur edhe për çështjen e investimeve që ai mendon t’i bëjë në Kosovë, ku ka thënë se është shumë i interesuar të investojë në Kosovë, duke shtuar se nëse ky projekt realizohet, atëherë Kosova do të përfitojë miliona e besa edhe miliarda dollarë, si dhe shumë vende të reja të punës.
Në një konferencë për media, ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se çështja e veriut të Kosovës zanafillën e ka në NATO, në të cilën ka pasur përçarje rreth anëtarëve të kësaj aleance se çka të bëhet me këtë pjesë të vendit.

“Ka pasur përçarje edhe brenda NATO-s se si të merremi me këto probleme. Tani pas 13 vitesh ne po i përjetojmë ato ndarje që kishin ndodhur atë kohë brenda NATO-s. Burrat dhe gratë e KFOR-it po bëjnë një punë të mrekullueshme dhe ata e bëjnë punën për të cilën janë këtu. Po ashtu i respektojnë urdhrat që u jepen. Problemi i veriut mbetet si problem që rrjedhë nga mospajtimet që kanë ndodhur brenda NATO-s nga shtetet e ndryshme sovrane. Dhe, në fund ata duhet të japin orientimet e sakta se çka kërkojnë nga KFOR-i në mënyrë që kjo të rregullohet”, ka thënë ai.

Sa i përket ndërhyrjes së qeverisë në veri të vendit, ai ka thënë se e mbështet atë aksion, pasi qëllimi i tij ka qenë të kthehet kontrolli dhe siguria edhe në atë pjesë të vendit.

“Isha pro asaj se çfarë bëri Qeveria e Kosovës për ta rikthyer autoritetin dhe hapjen e dy pikave në veri. Shumica e vendeve në Evropë dhe shumica e vendeve të tërë botën e njohin pavarësinë e Kosovës. Rritja ekonomike po vazhdon këtu dhe unë mendoj se vendi duhet të shkojë edhe më tej në vendosjen e kontrollit dhe sovranitetit të plotë në tërë vendin e Kosovës. Uë shpresoj se fqinjët e Kosovës do ta kuptojnë këtë dhe do ta respektojnë këtë”, ka thënë ai, transmeton KP.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët rreth interesimit të tij për të investuar në Kosovë, ai ka thënë se është shumë i interesuar ta bëjë një gjë të tillë në Kosovë, duke shtuar se ka lidhje emocionale me popullin e këtij vendi.

Sa i përket projektit të tij, ai ka thënë se është duke u hulumtuar rajoni i Ballkanit në përgjithësi, duke shtuar se Kosova është caku i tij ku mendon ta realizojë këtë projekt.

“Jemi duke punuar me disa vende të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Pra ju keni burime të ndryshme natyrore, ndër të tjera edhe thëngjillin, dhe shpresojmë që të ndërtojmë strategjitë e duhura në mënyrë që të zhvillohet edhe kjo pjesë e ekonomisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, bazuar në analizat dhe informacionet që ai ka, Kosova do të ishte një prej vendeve më ideale për projekte të tilla me thëngjill. Ai ka thënë se nëse këto investime do të ishin të mundshme në Kosovë, kjo e fundit do të përfitonte miliona e besa edhe miliarda dollarë.

I pyetur nëse qeveria e Kosovës nuk shpreh interesim për këtë investim dhe a rrezikon që ky projekt të zhvendoset diku në rajon, Clark ka thënë se do të bëjnë çka është e mundur që ky projekt të realizohet në Kosovë, duke shtuar se bëhet fjalë për një teknologji që nuk ekziston në këtë vend, prandaj, duke marrë parasysh këtë, ky projekt hynë në kategorinë e investimeve direkte në Kosovë.kohaislame

Artikulli paraprak“Bllaca e kërcënonte Shaban Sylën me fotografi”
Artikulli vijuesKrasniqi: PDK të mos emërojë ministra rrugaçë (VIDEO)