Arabia Saudite që ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, ka marrë vendim për të ndërprerë edhe marrëdhëniet tregtare me këtë vend.
Udhëheqja e Riadit deklaroi se ka ndaluar udhëtimet nga të dyja anët për në Iran.
Në deklaratën e bërë në rrjetin social Twitter nga ana e Institutit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Arabisë Saudite shkruhej: “Pas deklaratës se janë prerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, Instituti i Përgjithshëm i Avionit Civil ka marrë vendimin për të ndërprerë fluturimet me këtë vend në të dyja drejtimet”.
Në deklaratë bëhet e ditur gjithashtu se për pasagjerët që kanë prerë biletën më parë, do të hidhen hapat e duhura brenda një koordinimi me qëllim që ata të mos dëmtohen.
Kurse për hanxhinjtë iranianë vizita në Mekë dhe Medine është e mundshme.
Presidenti i Iranit Hasan Ruhani, vlerësoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite; “Riadi duke prerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, nuk mund të mbulojë “krimin e madh” të prerjes së kokës së një dijetari fetar”.
Ruhani që pranoi Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Kristian Jensen që gjendet për kontakte në Iran, dënoi ekzekutimin e liderit fetar shiit Nemr të Arabisë Saudite dhe shtoi: “Nuk duhet prerë koka e dikujt vetëm pse kritikoi”.
“Sigurisht që krimi i bërë kundër njerëzimit dhe të drejtave të islamit do të ndeshet me reagimin e opinionit publik. Ne shpresojmë që në këtë çështje, Evropa të përmbushë detyrën e të drejtave të njeriut”.
Gjatë takimit, edhe Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Kristian Jensen u shpreh se vendi i tij dënoi ekzekutimin e dënimit me vdekje të liderit fetar shiit.
Ndërkaq udhëheqja e Riadit vazhdon të bëjë deklarata që përshkallëzojnë tensionin.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Adil Cübeyr bëri deklarata spikatëse në lidhje me ekzekutimin ditën e shtunë të 47 personave përfshi edhe liderin shiit
Ayetullah Nemr.
“Në vend të kritikave për shkak të ekzekutimeve ne duhet të duartrokitemi” tha ministri saudit duke e cilësuar Nemr si një “terrorist” që ka marrë pjesë në sulme.
Ministri saudit bëri të ditur se pezullimi i marrëdhënieve me Iranin është një rezultat i politikave agresive që ky vend ndjek prej vitesh dhe shtoi se për rifillimin e marrëdhënieve duhet që udhëheqja e Teheranit të heqë dorë nga sjellja si një “vend i revolucionit” dhe duhet të kthehet në një “vend normal” duke treguar respekt për normat ndërkombëtare.
Pas Arabisë Saudite edhe Bahrejni edhe Sudani deklaroi se kanë ndaluar marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Udhëheqja e Kuvajtit thirri ambasadorin e Iranit në Ministrinë e Jashtme dhe i dorëzoi atij notën e protestës si dhe njoftoi se kanë thirre në bazë ambasadorin e tyre në Iran.
Nga ana tjetër, mijëra njerëz në Bagdad, kryeqytetin e Irakut, kanë protestuar ekzekutimin ditën e shtunë të liderit shiit në Arabinë Saudite.
Ndërsa në qytetin Hilla, u sulmuan 2 xhami që i përkisnin myslimanëve suni.
Në këtë sulm humbën jetën 2 persona, njëri prej të cilëve myezin.
Ndërsa Kina, Franca dhe Gjermania i bëri thirrje palëve për reduktimin e tensionit.
Edhe Rusia deklaroi se mund të jetë ndërmjetësuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
Ndërkaq, edhe Liga Arabe ditën e diel do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme dhe do të shqyrtojë këtë çështje.
Liga Arabe në mbledhjen që do të zhvillohet në rang ministrash të jashtëm, me kërkesë të Arabisë Saudite do të dënojë sulmet ndaj ambasadës dhe konsullatave të Arabisë Saudite në Iran.