Sidra Khan raporton për përpjekjet e Aishe Bhuttas për të konvertuar botën në Islam.
The Guardian (Londër), e enjte, maj 1997 Aishe Bhutta, e lindur Debbie Rogers, është e qetë teksa qëndron në dhomën e madhe të apartamentit të saj, në Cowcaddens, Glasgou (Skoci). Muret janë të mbushura me ajete nga Kur’ani, ndërsa një orë e veçantë i përkujton familjes kohët e namazit. Fytyra tipike skoceze e Aishes është e mbuluar me kujdes nga shamia
Për një vajzë të mirë të krishterë skoceze konvertimi në Islam dhe martesa me një musliman është e jashtëzakonshme, por Aishja ka shkuar më tej, duke u bërë shkak për konvertimin e prindërve të saj, të pjesës më të madhe të familjes dhe të paktën të 30 miqve dhe fqinjëve.
Aishja e ka takuar atë që do të bëhej bashkëshorti i saj, Muhamedin, që kur ishte 10 vjeçe, pasi ai ishte klient i rregullt i dyqanit të familjes së saj. Shpesh ajo do e shihte atë teksa falej.
“Veprimet e tij ishin plot qetësi dhe paqe. Ai më tregoi se ishte musliman dhe unë e pyeta se çfarë është një musliman”, tregon Aishja. Më vonë, me ndihmën e tij ajo nisi ta merrte në konsideratë Islamin. Ajo vendosi të konvertohej në moshën 16-vjeçare.
“Kur thashë shehadetin, ishte si të hiqja nga shpatullat një barrë të rëndë. U ndjeva si një foshnjë e porsalindur.”
Në moshën 17-vjeçare ajo kishte lexuar tërë Kur’anin në arabisht. “Çdo gjë që jetoja, kishte kuptim”, thotë Aishja.
Me gjithë konvertimin e saj, prindërit e Muhamedit ishin kundër martesës së tyre. Ata e shihnin atë si një vajzë perëndimore që do t’i jepte familjes një emër të keq. Babai i Muhamedit besonte se ajo ishte “armikja më e madhe”.
Megjithatë, ata u martuan, edhe pse babai i tij nuk ishte dakord. Me kalimin e kohës, Aishja u bë pjesë e familjes. Gjashtë vjet më pas, Aishja i hyri një misioni për të konvertuar prindërit e saj dhe pjesën tjetër të familjes në Islam (me përjashtim të së motrës). “Bashkëshorti im dhe unë u morëm me prindërit e mi dhe u treguam atyre për Islamin.”
Babai i Aishes ishte një “kockë e fortë”, prandaj ajo kërkoi edhe ndihmën e nënës së saj, që sapo e kishte pranuar Islamin.
“Mamaja ime (e cila tashmë ka vdekur nga kanceri) dhe unë i flisnim babait për Islamin dhe një ditë ishim ulur në sofanë e kuzhinës kur ai tha: “Cilat janë fjalët që thuhen kur pranohet Islami?”
Tre vjet më vonë, vëllai i Aishes e tha shehadetin “në telefon”. Pas tij e pranuan Islamin gruaja dhe fëmijët e tij, të ndjekur nga djali i motrës së Aishes. Por ajo nuk u ndal me kaq. Pas konvertimit të familjes së saj, Aishja e përqendroi vëmendjen te Cowcaddens.
Çdo të hënë, për 13 vitet e fundit, Aishja ka mbajtur kurse për Islamin për gratë skoceze. Deri tani ajo ka ndihmuar në konvertimin e mbi 30 grave me formime kulturore të ndryshme. Trudy, për shembull, një mësimdhënëse në Universitetin e Glasgout dhe një ish-katolike, e ndoqi kursin e Aishes sepse i duhej për një kërkim të sajin, por pas gjashtë muajsh u konvertua në Islam, por nuk e ka veshur hixhabin dhe nuk i ka treguar ende familjes së saj.
Kursi i Aishes sot ndiqet edhe nga vajza muslimane të tunduara nga idetë perëndimore, nga muslimane praktikuese të fesë, të cilat duan një forum për të debatuar, si dhe nga gra të interesuara për Islamin.
Përktheu dhe përshtati: Umu Unejsa