Mediumet që kanë përfituar shuma të majme gjatë qeverisjes së koalicionit VMRO-DPMNE-BDI, po e shfrytëzojnë rrezikun që gjoja vjen nga Kosova, si arsyetim për amnistinë skandaloze të presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov për politikanët e dyshuar për vepra penale.
Revista “Republika” në numrin e vet të fundit, shkruan se një nga shkaqet kryesore për amnistinë e Ivanovit, ka qenë që të arrihet “pajtim” kombëtar me qëllim që Maqedonia të përballet më lehtë me kërcënimet për situatën e sigurisë, që sipas kësaj reviste kohën e fundit vijnë nga refugjatët në kufirin jugor dhe nga “një grup terrorist kosovar” në kufirin verior, transmeton “Lajm”.
“Deri sa nga territori grek u realizuan së paku katër tentime mirë të koordinuara për hyrje të 1.000 refugjatëve në katër lokacione të ndryshme, kërcënimi kryesor sërish vjen nga Kosova, ku me muaj po përgatiten operacione terroriste në Maqedoni. Burime mirë të informuara, thonë për “Republika” se deri sa refugjatët në jug i harxhonin dhe dekoncentronin shërbimet e sigurisë, një grup prej 40 terroristëve ka tenuar të futet në territorin e Maqedonisë me një kamion plotë me armë. Shërbimet sekrete e kanë pranuar këtë informacion me ç’rast janë ndërmarrë masa të shtuara në teren, dh për këtë arsye mbi qiellin e kryeqytetit vazhdimisht fluturonin helikopterët.
Shërbimet maqedonase të sigurisë tashmë i kanë informuar kolegët e tyre nga vendet aleate të BE-së dhe NATO-s se vendi po përballet me kërcënim direkt nga njerëz të afërt me liderët e Grupit të Kumanovës. Ky grup i udhëhequr nga vëllai i Sami Ukshinit (komandat Sokolit), kurse i afërt me Daut Haradinajn, ka planifikuar sulme mbi gjykatat, kidnapim të policëve që më vonë do të shkëmbeheshin me të arrestuarit në Kumanovë dhe për terrorizëm urban”, shkruan Republika.
Sipas informacioneve të kësaj reviste, njëri nga terminet kohore që grupi i ka shqyrtuar për sulme në Maqedoni, joja ka qenë 30 marsi, gjatë kohës së gjykimit të arrestuarve në Kumanovë.
“Sipas analizave të shërbimeve të sigurisë, ky sulm është penguar nga operativët maqedonas, mirëpo grupi që tani është i stacionuar në një fshat të Kosovës, afër kufirit me Maqedoninë në rajonin e Tanushës, ende paraqet rrezik. Grupi që ka arritur të fusë në Maqedoni armatim dhe municion, ka pasur për qëllim që ta shfrytëzojë përçarjen në skenën politike maqedonase, që ka reperkusione edhe në Ministrinë e punëve të brendshme dhe të shkaktojë akte terroriste me qëllim të destabilizimit afatgjatë të Maqedonisë”, ka shkruar Republika.
Shefi i shtetit vendimin e tij për abolicion e solli në kushte jashtëzakonisht të komplikuara të sigurisë në të cilat kufiri verior dhe jugor ishin cak i sulmeve nga grupe të ndryshme, kurse njëkohësisht armata bullgare dhe greke, me siguri pa ndonjë koordinim të ndërsjellë, grumbullojnë ushtri në kufirin me Maqedoninë dhe relizojnë stërvitje ushtarake dhe fluturime në rajonin kufitar. Thuhet më tej në këtë tekst.
“Me siguri gjatë sjelljes së vendimit është udhëhequr edhe nga kërcënimet e për situatën e sigurisë, të cilat janë shumë më serioze kur vendi është para përplasjes së brendshme dhe për këtë arsye ka tentuar që përmes pajtimin kombëtar ta forcojë aftësinë për mbrojtje nga kërcënimet ndaj sigurisë. Çdo logjikë flet se në kushte kur edhe Ministria e punëve të brendshme ekziston strukturë e dyfishtë, të udhëhequra nga parti të ndryshme, për secilin nga jashtë është më lehtë ta realizojë qëllimin e tij. Ivanov me siguri i ka analizuar mirë të gjitha rreziqet, para se ta sjellë abolicionin”.
Ndryshe kjo nuk është hera e parë sivjet që mediumet maqedonase të spekulojnë me informacione për gjoja kosovarë të armatosur nga Kosova në kufirin me Maqedoninë. Mirëpo këto informacione janë demantuar edhe nga banorët e rajonit kufitar edhe nga ata që përmenden si gjoja udhëheqës të grupit, shkruan “Lajm”.