Një hulumtim që mund të ndryshojë të nesërmen

Prej tetë muajsh, Elmedina Hasani, Rina Purrini nga Universiteti “Shën Kiril dhe Metodij” dhe Rejhan Bajrami nga Universiteti i Tetovës kanë punuar së bashku për të gjetur rolin dhe ndikimin e vitaminës D në personat e prekur nga sëmundjet neurogjenerative. Dhe e kanë një rezultat që ka marrë miratimin për t’u prezantuar në kongresin e Berlinit

 

Janë vetëm tre studente kurajoze të mjekësisë që kanë guxuar të shkelin aty ku të tjerë nuk kanë arritur ende. Dhe e kanë një rezultat. Tek të sëmurët e diagnostifikuar me Parkinson ose Alzheimer – vitamina D vjen duke u reduktuar. Prej tetë muajsh, Elmedina Hasani Rina Purrini nga Universiteti “Shën Kiril dhe Metodij” dhe Rejhan Bajrami, nga Universiteti i Tetovës kanë punuar së bashku për të gjetur rolin dhe ndikimin e vitaminës D në personat e prekur nga sëmundjet neurogjenerative. Hulumtimi i vitaminës D dhe roli në sëmundjet neurodegjenerative në botë ka filluar pesë vitet e fundit dhe kërkimet e bëra prej tre vajzave dhe rezultati i arritur në klinikat e Shkupit kanë intriguar ekspertët e kësaj fushe, duke e pranuar këtë punim që të prezantohet në konferencën evropiane që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Berlin. Tre studentet kanë punuar për të bërë krahasimin mes personave të sëmurë dhe të shëndetshëm, për të parë nëse kjo vitaminë luan rol në shfaqjen e sëmundjes, por edhe më pas. Qëllimi i parë ka qenë për të parë nëse ka dallim në koncentrimit të vitaminës tek grupi i pacientëve të sëmurë dhe të shëndetshëm dhe më pas vendosën që të shohim nëse ka ndonjë rol, përkatësisht nëse është faktor për përkeqësimin e sëmundjes dhe nëse ekziston një korrelacion mes koncentrimit të vitaminës D dhe vitit kur kanë qenë të diagnostifikuar pacientët. “Rezultatet tona janë bindëse dhe tregojnë se sa më shumë kohë të ketë kaluar nga diagnoza, aq më i ulët do të jetë koncentrimi i vitaminës D, dhe ky është një nga faktorët që e bëjnë punimin tonë që të jetë kaq i veçantë dhe që ka qenë i pranuar nga Kongresi ‘Charity’ në Berlin”, thotë Rina Purrini.

 

Neurologjia, një fushë e hulumtimit të cilën e dimë shumë pak

Hulumtimi po ashtu i ka ndihmuar për të parë se ku dallohen nga punimet e profesorëve në katedrat prestigjioze në botë. “Ne kemi hulumtuar edhe për të parë se ku mund të dallohemi nga punimet e profesorëve në Harvard, universitetit në Japoni, të cilat janë të fokusuara në sklerozën multiple, si edhe tek Parkinsoni. Ne e kemi përfshirë edhe sëmundjen e Alzheimer, ndërsa dallimi ynë me punimet e tjera është se ne kemi arritur të vërtetojmë se ka varshmëri mes kohës kur ka filluar sëmundja dhe uljes së vitaminës D, gjë që e bën hormonin D, ashtu si është klasifikuar tani, të jetë një faktor shumë relevant. Ishte një supozim i propozuar nga një profesor në ‘Harvard Biomedical Studies’, grupi që ka punuar për vitaminën D, i cili thotë se çfarë ndodh nëse një gjë shumë e thjeshtë, si vitamina D dhe ekspozimi në diell – të jenë ilaç për këto sëmundje neurodegjenerative. Po ashtu, ky hulumtim është i rëndësishëm, pasi vitamina D luan rol edhe në kancoregjenezë, sipas studimeve më të fundit që janë bërë dhe kështu ne menduam ta japim kontributin tonë edhe në këtë sferë”, thotë Elmedina Hasani. Pasi, ashtu siç ajo thekson, neurologjia është një fushë e hulumtimit dhe studimit në të cilën ne dimë shumë pak. “Dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore që na motivoi për hulumtim në këtë fushë. Në Maqedoni, numri i persona që vuajnë nga këto sëmundje neurodegjenertative sa vjen e rritet. Një pjesë janë të diagnostifikuar, të tjerë ende nuk dihen, pasi dy sëmundjet nisin më herët në organizëm dhe para se të shfaqen simptomat. Zakonisht mendohet se personat që vuajnë nga këto sëmundje i takojnë një moshës së pleqërisë dhe për ta nuk ia vlen të hulumtohet. Ky studim, po ashtu është motivuar edhe nga nevoja për të ndërgjegjësuar opinionin shoqëror në përgjithësi për kurimin e sëmundjeve që janë shumë të rëndësishme, por pak të njohura që të mund të kontribuojnë duke sjellë rezultate të reja, por edhe duke nxitur hulumtime”, thotë Rejhan Bajrami. Ata kanë punuar nën mbikëqyrjen e mentorit Arben Taravari në Klinikën e Neurologjisë në Shkup, por kanë pasur mbështetje edhe nga biokimistja Jasmina Mecevska-Joçevska dhe drejtoresha e Klinikës universitare të biokimisë klinike, Sonja Kuzmanovska. Punimin e kanë prezantuar në Klinikën universitare “Charity” në Berlin dhe punimi i tyre është i vetmi nga Ballkani dhe i përzgjedhur nga 500 ekstraktet e prezantuara nga e gjithë bota për të marrë pjesë në “26-th European Students Conference Charity” që do të mbahet nga 23-26 shtator. Prezantimi në Berlin është përkrahur edhe nga Komuna e Çairit, Fondacioni Dauti dhe Ordinanca gjinekologjike “Nëna”. “Mezi presim të shohim sesi do të jetë feedback-u i tyre ndaj punimit tonë. Është sukses për ne vetë pranimi në një kongres të tillë dhe shpresojmë që rezultatet që kemi arritur nga ky hulumtim, të jenë hipotezë edhe për hulumtimet e tjera që do të bëhen, sepse mund të gjendet edhe terapia e Alzheimer-it apo edhe kontrollimi më i mirë i sëmundjes së Parkinsonit”, thotë Purrini.

 

Apeli: Guxoni të hulumtoni!

Tre studentet kur thonë se ajo që ndahet nga buxheti i shtetit për shkencën jo vetëm që është e vogël, por asnjë qindarkë prej tyre nuk shkon tek të rinjtë që duan të merren me kërkime shkencore, cekin po ashtu se në Maqedoni nuk ka ekipe shkencore, që një hulumtim të drejtohet nga një profesor me eksperiencë, por në ekip të marrin pjesë si studentë e nxënës, që një projekt të mos pezullohet deri në arritjen e rezultateve. Ato kanë vërejtje sa i takon pjesë shqiptare, të rinjve që janë jashtëzakonisht pak të interesuar për të studiuar në shkencat natyrore, por edhe për tu marrë më hulumtime. Duke bërë që niveli të jetë shumë i ulët për pjesën shqiptare dhe shumë vite pas arritjeve në vendet evropiane. Ato, duke u nisur nga eksperienca e tyre i apelojnë të gjithë të rinjve që merren me shkencë që të provojnë, të merren me studime dhe të mos kufizohen vetëm me lexime. “Të rinjtë shqiptarë regjistrohen vetëm nëpër fakultetet e shkencave politike, ekonomike, juridike, e kështu me radhë, ndërsa në ato të biokomisë, fizikës matematikës, e të tjera ka me nga dy studentë në çdo gjeneratë që është humbje e kapaciteteve intelektuale. Më shqetësues është fakti se studentët shqiptarë në përgjithësi janë të kufizuar. Vetëm në lexim dhe jo në kërkime. Punimi pavarësisht rezultatit mund të jetë pikënisje, apo pikëmbarimi për një studim tjetër. Po ashtu, kufizohen duke paragjykuar se nuk do të mbështeten. Ne e kemi marrë përkrahjen”, thonë tre studentet.

Artikulli paraprakMoska i vjen në ndihmë Assadit, furnizon me armë ushtrinë siriane
Artikulli vijuesKE me apel: Ballkani Perëndimor të pranojë më shumë refugjatë