Para disa vitesh në lagjen time të vjetër kisha një fqinj të mençur dhe të gjallë, dëgjues shumë i mirë, bashkëbisedues i qetë, ishte njeri social dhe i dashur. I njihte të gjithë dhe të gjithë e njihnin, sa here që hynte në lagje apo dilte nga ajo e shihje si kalon rrugën me selame, përshëndetje dhe thirrje “eja të pish një filxhan kafe te ne”…
Një ditë prej ditëve, e pashë duke u bërë hazër për të dalë të shëtisë. Ishte duke vendosur disa sende në veturë. Më çuditën kutitë e çokollatave “Snickers”, “Mars”, “Bounty” dhe lloje tjera të shtrenjta. Ishin më shumë se 20 paketa. Nuk munda të duroj nga kureshtja dhe e pyeta: – Hajr inshallah o komshi, për ku kështu? Ma ktheu selamin dhe buzëqeshi ëmbël por unë s’e kuptova këtë nënqeshje. – Pa hajde me mua, si thua? Ma ktheu. – Do të vijë, i thashë, por inshallah nuk kemi shumë rrugë për të bërë, haha. – Në rregull, hajde me mua, inshallah nuk do të vonohemi. Duket sikur gruaja sot do të qerasë drekë që nuk dashke të vonohesh. Ma ktheu edhe ai me të qeshur.
U nisëm me veturë dhe e pashë se mori udhë drejt një lagjeje shumë të varfër të rrethit tonë, 45 minuta larg prej lagjes ku banonim ne. E parkoi veturën dhe zbriti. Mori disa paketa me çokollata dhe u nis drejt disa shtëpive. Trokiti në derën e parë dhe derën ia hapën disa fëmijë të vegjël. Kur e panë filluan të kërcejnë nga gëzimi dhe e thërrisnin nënën me gëzim: – Nënë, nënë! Erdhi burri që shet çokollata, erdhi burri që shet çokollata!
Komshiu im ua dha kutinë me çokollata, ndërroi ca fjalë me të fëmijët, mori leje dhe u largua.
I ra derës së shtëpisë së dytë, doli një grua e vjetër në moshë dhe kur e pa filloi të lutet: “Zoti t’i haptë dyert e mirësive”…”Allahu të ushqeftë me fryte xheneti”…”Vallahi o biri im, ti na kënaq, sillesh mirë me ne”…”Zoti u sjelltë mirë me ty”… Fqinji im foli ca fjalë edhe me të, mori leje dhe u largua.
Kështu veproi me të gjitha shtëpitë tjera, secila shtëpi ishte një tregim më vete, në secilën shtëpi kishte një simfoni të bukur dhe të mrekullueshme ndjenjash dhe emocionesh.
E kryem punën, i shpërndamë çokollatat dhe u kthyem në veturë të nisemi për në shtëpi. E pyeta me droje: – Zoti të dhëntë shëndet o komshi, shumë e këndshme kjo që pashë, po a s’më thua një gjë! Pse nuk u jep para? Me para mund të blejnë ç’të duan ata.
Qeshi me të madhe sikur të ishte gëzuar nga pyetja ime. Zgjati dorën në sedijen e pasme, mori një kuti dhe ma zgjati. – Hape doktor, m’u drejtua.
E hapa kutinë me shpejtësi të shoh se ç’ka. Veç çokollatave pashë se kishte edhe një zarf me para. M’u shtua edhe më shumë habia. Iu drejtova: – Po pse nuk ua jep paratë në dorë? Pse brenda një kutie me çokollata? Dhe pse të gjitha këto lloje të shtrenjta të çokollatave kur në qendra tregtare ka shumë çokollata shumë më të lira?
Më shikoi komshiu, buzëqeshi si zakonisht dhe më tha: Doktor, unë o mik i dua shuuumë çokollatat, po nuk hëngra një ditë çmendem. A nuk thotë Allahu: “Nuk do të arrini mirësinë derisa të jepni nga ajo që e doni?!”
Përktheu: Evzal Sinani nga faqja e Doktor Emxhed Korsha