Një përgjigje e shkurtër, por e qartë rreth UFO-ve dhe xhindëve

Pyetja:

Në të kaluarën, para Islamit tim, unë kam parë gjëra të pashpjegueshme. Si fëmijë, unë dhe vëllai im më i vogël vërtet kemi parë një UFO dhe e kemi fotografuar. Edhe në disa raste të tjera ne të dy kemi parë UFO. Si mund të shpjegohet një gjë e tillë nga ana islame? A ka krijuar Allahu i Plotfuqishëm diçka tjetër në këtë galaksi për të cilën ne nuk dimë? Kur ne ndonjëherë ndiejmë prezencen e ndonjë gjëje jonatyrale, a mund të jetë ajo xhind?

Përgjigjja:

Bismi’l-lahi’rr-Rrahmani’rr-Rrahim

Krijimtaria e Allahut të Plotfuqishëm është e tillë që qenia njerëzore kurrë nuk mundet që ta përshkojë krejtësisht atë me hulumtimin dhe dijen e saj të kufizuar. Mendja njerëzore është shumë e kufizuar. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“… Dhe Ai krijon çka ju nuk dini.” (Kur’an, En-Nahl: 8)

Prandaj, nëse është parë diçka jonatyrale, atëherë ajo nuk është përtej fuqisë së Allahut të Lartmadhërishëm.

Në lidhje me xhindët, ekzistenca e tyre është provuar nga shumë ajete të Kur’anit Fisnik dhe nga Sunneti i Pejgamberit s.a.v.s., ku hadithet mbi këtë tematikë kanë arritut shkallën e ‘tevaturit’ (sigurisë).

Për shembull, Allahu xh.sh. thotë në suren El-Hixhr:

“E xhindët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë.” (Kur’an, El-Hixhr: 27)

Në Kur’anin Fisnik ekziston një kapitull i tërë mbi xhindët.

Pejgamberi s.a.v.s., shumë nga shokët e tij dhe shumë njerëz të dëvotshëm (e edhe njerëz jofetarë) kanë takuar (dhe vazhdojnë të takojnë) xhindë. Ata (xhindët) janë thjesht krijesa të tjera të Allahut Fuqiplotë, të cilët gjithashtu do japin llogari në Ditën e Gjykimit. Ata hanë, pinë, udhëtojnë, martohen, kanë fëmijë, adhurojnë Allahun xh.sh., përfitojnë dije, japin fetva, transmetojnë hadithe, besëlidhen me një shejh, etj. Tamam sikurse ne njerëzit, nga mesi i tyre ka edhe të mirë, por edhe të këqinj.

Prandaj, nëse hetohet pjesëmarrja e diçkaje jonatyrale, atëherë ka mundësi që të jetë xhind. Megjithatë, duhet që t’i shmangemi të menduarit e shumtë rreth këtyre gjërave. Nganjëherë është thjesht mendja që luan lojra dhe ajo mund të jetë e dëmshme për mirëqenien e personit.

Çfarë duhet bërë?

Lexojeni Ajeti Kursinë, suren Kafirunë, Ihlas, Felek dhe Nas përpara se të shkoni për të fjetur. Gjithashtu lexoni du’atë për hyrje-dalje nga shtëpia.

Allahu i Madhërishëm na ruajtë nga të këqiat e kësaj dhe asaj bote, Amin!

Autor: Mufti Muhammed ibn Adem, Leicester, UK

Përktheu: Daim Abazi

(Islampress)

Artikulli paraprakLlojet e zuhdit
Artikulli vijuesSi ta menaxhoni stresin dhe ankthin nga provimet