Një përplasje e madhe për burimet ujore

Nili është njohur gjithmonë si lumi i Egjiptit. Por Etiopia e ka gjithashtu të vetin dhe po kërkon ta shfrytëzojë duke shkaktuar retorikë lufte me Egjiptin dhe Sudanin.

 

Etiopia dhe Nili

Barry Malone, Al Jazeera

Nëse shtrohet pyetja se çfarë është Nili, përgjigjja është menjëherë “Egjipt.” Egjipti është pothuajse tërësisht “i varur” nga Nili për ujë dhe bujqësi.

Por përpjetë rrjedhës së Kajros është një vend ku ky lum është po aq i shtrenjtë – ku njerëzit as nuk e quajnë Nil dhe nga ku rrjedh 85 për qind e ujërave të këtij lumi. Ai vend është Etiopia. Së fundmi e ka zemëruar Egjiptin, pasi ka filluar të ndërtojë një digë të stërmadhe mbi lumë.

Vetë diga, që do të përdoret për të prodhuar energji elektrike, është një bishë. Ajo do të prodhojë 6 mijë megawatt elektricitet dhe do të jetë 170 metra e lartë e 1800 metra e gjatë. Do të jetë diga më e madhe në Afrikë deri tani dhe e 13-a më e madhe në botë.

Etiopia e quan atë Diga e Madhe e Rilindjes Etiopiane dhe qeveria e populli i vendit e shohin thjesht kështu – një ripërcaktim i pasurisë dhe ndikimit historik të vendit.

Pak më sipër lumit nga pika e ndërtimit në Etiopinë Veriperëndimore gjendet gjiri i vogël Gish Abaj. Atje mund të gjesh tri rrëke të vogla uji, të fshehur pas barit, të cilat besohet se janë burimi i Nilit Blu, kontribuuesit nga ku vjen shumica e ujërave të Nilit.

Al Jazeera vizitoi këto rrëke pasi Etiopia njoftoi planet për digën më 2011 dhe pa radhë të gjata me priftërinj dhe banorë vendës në radhë te fusha që të shpie te burimi, me enë me ujë në duar, pasi besojnë se kanë ujë të shenjtë – madje edhe magjik. Ata e quajtën lumin “Tis Abaj” dhe e kuptojnë tërësisht rëndësinë strategjike të digës e me krenari mbështesin planin e qeverisë për të vjelë këtë burim energjie.

Qeveri e re, takime të reja

Ndërtimi ka qenë duke u kryer tashmë që prej dy vjetësh, dhe megjithëse Egjipti, Etiopia dhe nëntë vende të tjera që ndajnë Nilin kanë pasur mosmarrëveshje mbi ujërat prej shumë kohësh, gjërat u bënë veçanërisht të nxehta kur Etiopia filloi të devijojë një pjesë të lumit majin e kaluar. Dhe, megjithëse situata që nga ajo kohë është qetësuar, mosmarrëveshja nuk është zhdukur dhe ndërtimi vijon përpara.

Egjiptianët e shqetësuar

Ministrat e ujërave të Egjiptit, Etiopisë dhe Sudanit do të takohen sërish në Khartum të hënën, këtë kohë për të argumentuar mbi ndërtimin e një komiteti ekspertësh që duhet të shohin mbi ndikimin potencial të këtij projekti mbi Egjiptin dhe Sudanin, vende që prej kohësh kanë marrë pjesën dërrmuese të ujërave të Nilit. Megjithëse paneli që duhet të përbëhet nga ekspertë nga të tre kombet e ka përfunduar sakaq një raport, Egjipti nuk qe i lumtur dhe kërkon konsulentë ndërkombëtarë.

Sudani, i cili tradicionalisht mbështeti Egjiptin mbi çështje të Nilit, tashmë thotë se mbështet mega-projektin, duke e lënë Kajron jashtë.

Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, dhe Kryeministri i Etiopisë, Hailemariam Desalegn, u takuan këtë javë, theksuan mbështetjen dhe në mënyrë domethënëse inauguruan një linjë elektrike ndërkufitare, përmes të cilës Etiopia do të shesë më shumë energji te Sudani – këto eksporte elektriciteti përbëjnë një element kyç në përpjekjet e Adis Abebës për të bindur fqinjët e vet se diga do të jetë në shërbim të ekonomive të të gjitha vendeve.

Zyrtarët egjiptianë nuk kanë shumë kohë në vendet e tyre të punës që kur ish-presidenti Mohamed Mursi u rrëzua dhe autoritetet e reja të mbështetura nga ushtarakët morën pushtetin. Gjithsesi të tri palët kanë përdorur një gjuhë më konstruktive në takimet e fundit.

Por në lojë ka edhe shumë kujtime për armiqësi institucionale, qoftë të reja, qoftë të vjetra. Në maj, një nga veprimet e fundit të Mursit kur qe në pushtet qe që të pretendonte se “të gjitha opsionet” janë në tavolinë për mbrojtur furnizimet ujore të vendit të tij. “Ne nuk po bëjmë thirrje për luftë, por nuk do të lejojmë kurrë që të kërcënohet siguria jonë ujore”, tha ai, duke shtuar se “gjaku jonë është alternativa” ndaj humbjes së çdo pike uji.

Etiopia, e cila po rritet në ndikimin diplomatik dhe ekonomik, nuk u tremb. E vetëdijshme për citimin e famshëm të Herodotit, ata gjithmonë kanë thënë: “Nëse Egjipti është dhuratë e Nilit, atëherë Nili është dhuratë e Etiopisë”.

Duke iu përgjigjur Mursit, Adis Abeba tha se ekzistenca e digës qe e panegociueshme. Egjiptianët nuk do të mendojnë për luftë “për sa kohë nuk janë çmendur”, deklaroi Hailemariam në atë kohë.

Lufta e pagjasë

Nëse zyrtarët e Etiopisë i kanë lejuar vetes të sfidojnë shqetësimet e Egjiptit, ikja e Mursit i ka dhënë edhe disa kohë për të punuar te diga të pashqetësuar. Por ata duket se e kanë gabim. Edhe ndërsa në nëpër Kajro kishte luftë me protestuesit, autoritetet ia dolën të lëshojnë paralajmërime të ashpra ndaj Etiopisë. Por tashmë që situata politike është më e qëndrueshme, Egjipti mund t’i kushtojë më shumë vëmendje politikës së jashtme. Dhe Nili është prioriteti më i madh.

“Unë nuk jam i shqetësuar se egjiptianët do të pushtojnë papritur Etiopinë. Askush që është përpjekur për diçka të tillë nuk ka mbijetuar për të treguar se çfarë ndodhi”. Ky është komenti i ish-kryeministrit të Etiopisë, Meles Zenavi.

Shkëmbimet luftarake mes dy vendeve nuk janë të reja. Më 1979, Presidenti i Egjiptit në atë kohë, Anuar Sadat tha, “E vetmja çështje që mund ta shpjerë Egjiptin në luftë sërish është uji”.

Kryeministri tashmë i ndarë nga jeta i Etiopisë, Meles Zenavi, i cili më 2011 e bëri digën një çështje personale, tha në 2011 se Egjipti është përpjekur të destabilizojë Etiopinë për shumë dekada duke mbështetur rebelë dhe armiq. Ai qe i bindur gjithsesi se sulmi ushtarak i hapur qe i pagjasë.

Disa gazetarë dhe analistë janë joshur kaq shumë nga mosmarrëveshja sa parashikuan se bota do të shohë luftën e parë masive për shkak të ujit. Analistë të tjerë qenë të kujdesshëm duke argumentuar se bashkëpunimi dhe jo konflikti është rruga për të dyja vendet.

Dhe lufta duket me të vërtetë e pagjasë për të ardhmen e afërt. Etiopia e dha lajmin e ndërtimit të digës dy muaj pas rrëzimit të Hosni Mubarakut, i cili ka qenë gjithmonë shumë kërcënues.

Sipas disa dokumenteve të firmës së informacionit të klasifikuar Stratfor, Mubarak ka pasur plane për të lëshuar sulme ajrore nga Sudani mbi ndonjë digë të mundshme të ndërtuar nga Etiopia. Por të njëjtat dokumente thonë se Egjipti ka gjasa të mos e ketë shumë të lehtë opsionin ushtarak. Egjipti do të jetë në varësi të mbështetjes nga Sudani, i cili duket se tashmë ka ndryshuar krah. Edhe dërgimi i forcave speciale atje mund të jetë i vështirë. Etiopia ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të rrahura në fushëbetejë në të gjithë Afrikën.

Nëse nuk ka Nil, nuk ka as Egjipt

Mosmarrëveshja varet në atë që duhet se është çështje numrash. Bëhet fjalë për atë pjesë të lartë të ujit që përdoret nga Egjipti dhe Sudani, si dhe fakti që të dyja vendet pretendojnë se uji vjen nga marrëveshjet e epokës koloniale të ndërmjetësuara nga britanikët dhe që nuk janë nënshkruar nga askush tjetër më sipër sesa Khartumi.

Meles iu përgjigj këtyre argumenteve më 2010. “Egjiptianët duhet të ndajnë mendjen nëse duan të jetojnë në shekullin e 21 apo në shekullin e 19…”

Nili ka dy kontribuues kryesorë – Nilin Blu dhe Nilin e Bardhë. Nili Blu, i cili e ka origjinën te lumi Tana në Etiopi, jep shumicën e ujit dhe dheun e pasur. Nili i Bardhë, i cili është më i gjatë, takohet në kryeqytetin e Sudanit Khartum me Nilin Blu dhe shkon drejt Egjiptit.

Diga zemëron edhe të tjerë

Sipas paktit të vitit 1929, Egjipti duhet të marrë 55.5 milion metra kub ujë në vit, pjesën më të madhe të 84 milion metrave kub që jep Nili. Sudani merr 18.5 milionë metra kub. Të dyja vendet kanë fuqi vetoje për projektet më sipër, ndërsa vendet e tjera ku rrjedh ky lumë thjesht janë injoruar.
Por, ndërsa vendet sipër rrjedhës zhvillojnë fuqi ekonomike, ushtarake dhe diplomatike, ata po kërkojnë një marrëveshje të re për të përfituar më shumë ujë dhe për eliminimin e vetos së vendeve poshtë rrjedhës.

Megjithëse shumë pak njerëz debatojnë mbi faktin që këto numra janë të pandershëm, Egjipti ka gjithashtu një argument të fuqishëm. Egjiptianët vërejnë se ata nuk përfitojnë nga shirat siç përfitojnë vendet e tjera përpjetë rrjedhës. Dhe për shkak se bujqësia e tyre varet prej shekujsh nga aksesi te lumi, nuk kanë alternativë. “Nëse nuk ekziston Nili, nuk ekziston as Egjipti”, thotë Kajro.

Disa analistë të besueshëm gjithsesi thonë se marrëveshja është e vetmja gjë që ka kuptim për të gjitha vendet e basenit të Nilit. Në vend që të ndërtohet një digë etiopiane, thonë ata, duhet të ndërtohet një digë afrikane. Në vend që të quhet lumi i Egjiptit, duhet të quhet lumi i Afrikës. Etiopia natyrisht ka nevojë për ndihmë për të ngritur 4.3 miliardë dollarët që nevojiten për ndërtimin që po kryhet nga një kompani private italiane.

Në fund të fundit, diga do të gjenerojë shumë energji elektrike të nevojshme për të gjitha vendet, duke përmirësuar infrastrukturën, industrinë dhe tregtinë. Etiopianët sakaq po japin marrëveshje eksporti. Etiopianët shpresojnë gjithashtu se digat do të ndihmojnë në reduktimin e avullimit të ujit, njësoj siç ndihmoi diga Asuam e Egjiptit. Një marrëveshje e re mund ta bëjë eficencën e përdorimit të ujit një realitet dhe rrjedhimisht as Egjipti e as Sudani nuk do të dalin të humbura.

Por për momentin, egjiptianët janë skeptikë dhe etiopianët mbeten të vendosur, të dyja vendet janë kundërshtare ndërsa kanë të përbashkët lidhjen pothuajse mistike me lumin më të gjatë në botë.

Rreth 30 për qind e punimeve të digës kanë përfunduar. “Abaj është Etiopia”, më tha një prift i moshuar në vitin 2011. “Etiopia është Abaj. Unë dëshiroj që egjiptianët të përfitojnë bashkërisht. Por unë jam i moshuar dhe mbaj mend se ne kurrë nuk kemi qenë miq. Nëse nuk biem dakord tani, atëherë do të ketë rrezik për të dyja vendet”./gsh/kohaislame.com

Artikulli paraprak5 shpikjet e 5 viteve të ardhshme
Artikulli vijuesBelgjika lejon bartjen e shamisë edhe në administratë