Një pjesë e elitës nën hetime

Një pjesë e elitës politike kosovare ka qenë dhe është nën hetime, thotë zëvendës-shefi i misionit evropian për sundimin e ligjit, Andy Sparkes, në një intervistë për Jeta në Kosovë në mbarim të qëndrimit të tij prej rreth katër vjet e gjysmë në Kosovë.
Sparkes ka përmendur dënimin e drejtorit të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) më 2010 për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të kryetarit të Kuvendit të Kosovës më 2010 për keqpërdorime, të disa biznesmenëve lidhur me mashtrime në Bankën Kreditore të Prishtinës më 2011 dhe dënimin e sivjetmë të gjyqtarit Kolë Puka për lëshimin e vendimeve jo të ligjshme.

Po ashtu, tha ai, EULEX-i ka ngritur akuza për korrupsion ndaj një zëvendëskryeministri, një sekretari permanent, disa ish-ministrave dhe një ish-gjyqtari të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Prandaj, nuk mund të thuhet që nuk është bërë asgjë (nga EULEX-i)”, tha Sparkes. “Dhe madje edhe nga vendorët shohim se ka biznesmenë prominentë, kryetarë komunash, zyrtarë të lartë të policisë (të dënuar). Ka njerëz të rëndësishëm, ndoshta jo nga ata më të mëdhenjtë, megjithatë ka të dënuar nga vendorët”.

Sidomos nëpër komuna, tha ai, “individë të caktuar mendojnë se janë përmbi ligjin”. “Do të shohim për këtë”, u shpreh Sparkes.
Por, diplomati anglez pranoi se “ka pasur tendenca që të ndërhyhet politikisht” në drejtësi.

“Personalisht mendoj që ka pasur diçka të tillë në rastin e guvernatorit (Hashim Rexhepi, aktakuza ndaj të cilit nuk ishte konfirmuar) dhe njëri nga gjyqtarët përgjegjës në këtë rast (Nazmi Mustafi) është akuzuar për korrupsion”, tha Sparkes.
Sparkes pranoi se Brukseli ende supozon se ka nevojë për ta ruajtur stabilitetin dhe zgjidhjen politike në sfond të gjerë në rajon, prandaj nuk dëshiron ta trazojë situatën.

“Ka raste kur kjo nuk përkon me kërkesat për sundim të ligjit”, tha ai. “Shembulli më i mirë është veriu i Kosovës. Nuk është e pamundur për EULEX-in të arrestojë disa persona të cilët duhet arrestuar atje. Mirëpo sikur ta bënim këtë në rrethanat e tanishme jo vetëm që do të përfshinim shumë njerëz tanë dhe qindra ushtarë të KFOR-it në operacione të tilla dhe do t’i ekspozonim ndaj rrezikut të vërtetë, por do ta irritonim edhe popullatën lokale e cila ende nuk po i referohet realitetit se kush po punon për të mirën e tyre e kush jo”.

Megjithatë, shton Sparkes, EULEX ka keq-menaxhuar pritjet e qytetarëve kosovarë në fillim të mandatit duke i bërë ata të mendojnë se “ne do të vijmë si kalorës dhe do ta luftojmë korrupsionin brenda disa muajve”.

“Kemi krijuar një përshtypje të rrejshme. Prandaj për ne është më mirë të mos ekspozohemi shumë në media dhe të bëjmë punën tonë në mënyrë të zellshme ashtu si duhet ta bëjmë me këto rastet e ndjeshme”, tha Sparkes.

“Mendoj që duhet të vijë koha që ne të tërhiqemi dhe ta lëmë Kosovën që ose të ‘fundoset’ ose të ‘notojë’”, shtoi Sparkes. “Dua ta sqaroj një gjë: Mendoj që gjithnjë e më tepër jemi të varur nga vullneti i mirë i elitës politike të cilën jemi duke e hetuar”.

“Megjithatë, nëse elita politike në Kosovë vendos që EULEX-i është i papërballueshëm dhe duhet përzënë, atëherë Kosovës do t’i duhej të priste shumë e shumë vite para se t’i bashkohej Bashkimit Evropian dhe ky është një çmim shumë i lartë për ta paguar”.

Përgjimet: Ligji do të ishte abuzim i ndarjes së pushteteve

Në lidhje me përgjimet e famshme të liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që rrodhën në publik në fund të nëntorit, Sparkes thotë se nuk kanë qenë jo-ligjore, por se as qëllimi nuk ka qenë që ato të dalin në publik.

Ndërkohë, tha diplomati anglez, kishte një kohë që projektligji për ndryshimet ishte duke u shqyrtuar, mirëpo “paraqitja në publik e këtyre bisedave e ka rritur prioritetin e kësaj çështjeje”.

Projekt-ligji, ashtu siç është, kufizon fuqinë EULEX-it për të hetuar si dhe e koncentron të drejtën e përcjelljes së përgjimeve, përfshirë edhe ato me urdhëresë të gjyqtarëve, tek Agjencioni Kosovar i Intelegjencës (AKI) në selinë e të cilit duhet edhe të zhvillohen ato.

Sparkes thotë se duhet siguruar që ligji i ri të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndarjen e pushteteve. “Projektligji, tha ai, nuk është në linjë me standardet e Bashkimit Evropian”

Këshilltari që më mirë të punonte në spiunazh

Përgjatë viteve EULEX-i është kritikuar se ka qenë më dorëlirë karshi lidershipit kosovar. Televizioni francez De Canal +, në një dokumentar të titulluar “Shërbimet sekrete, ana e errët e Republikës”, i transmetuar më 2011 edhe në Klan Kosova me titullin

“A është Thaçi njeriu i Francës”, tregonte lidhjet e kryeministrit kosovar me Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë së Jashtme (DGSE) me seli në Paris.

Dy zyrtarë të shërbimit shfaqen me fytyrë duke treguar kontaktet me Thaçin që nga viti 1998. Pierre Siramy thotë se “Thaçi u bë njeriu i Francës”, kurse Arnaud Denjean, i cili e kishte takuar liderin kosovar edhe në një tren në Bruksel, thotë se ky i fundit ishte “kontakt i Francës”.

Në vjeshtë 2011, “Blic” e Beogradit raportonte se një këshilltar politik i gjeneralit Xavier Bout De Marnac, shefit të EULEX-it, me emrin Romuald Pichard, i cili kishte punuar më parë me Arnaud Denjean, kishte kontakte të afërta me njerëzit e kryeministrit Thaçi dhe me zyrtarë të lartë të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Ai mendohet të jetë edhe “francezi” i EULEX-it i përmendur në aktakuzën e prokurorit në rastin e korrupsionit “Tolaj dhe të tjerët” që kishte pranuar të takohej me persona të afërt me ish-Sekretarin Permanent të Ministrisë së Shëndetësisë për tu ndihmuar që t’ia dërgonin një letër shefit të misionit kundër drejtueses së hetimeve.

Prichard nuk i ka mohuar publikisht asnjëherë pohimet në gazetën serbe dhe pohimet në aktakuzë.

Zëvendës-shefi i EULEX-it, Andy Sparkes, thotë se është në dijeni të këtyre deklaratave. “Ju përmendet mediat franceze ndërsa këto deklarata janë shfaqur edhe në mediat serbe dhe duhet të kemi parasysh propagandën”, thotë ai. “Por, e gjitha që mund të them për personin në fjalë është që ai më mirë do të ishte sikur të punësohej në shërbime të inteligjencës sesa në një mision të sundimit të ligjit”.

Pendimet

Andy Sparkes thotë se në përfundim të mandatit brenga më e madhe e tij është përse nuk u shpjegoi EULEX-i njerëzve se nuk ka mundur të bashkëpunojë me Qeverinë lidhur me embargon ndaj produkteve serbe që e vendosi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, prej 25 korrikut deri më 16 shtator 2011.

“Arsyeja për këtë nuk ishte neutraliteti ndaj statusit apo mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar me autoritetet kosovare”, thotë Sparkes. “Por sado e arsyeshme ishte kjo embargo, Bashkimi Evropian nuk mund ta përkrahte atë për shkak të parimeve të tij. Kjo bëri që qeveria të hidhërohej dhe më 25 korrik 2011 kjo çoi në përpjekjen për ta kthyer me forcë sovranitetin e Kosovës në veri dhe pasojat i dimë…”. /Telegrafi/

Artikulli paraprakBE mbyll 2012, përparojnë sllavët dhe ngelin shqiptarët
Artikulli vijuesUshqimet dhe pijet që largojnë stresin