Binak Bytyçi me të përfunduar deklaratën e tij në Stacionin policor në Pejë, të martën, nën cilësinë e të dyshuarit për mundësim prostitucioni iu vunë prangat dhe u dërgua në Qendrën e ndalimit, shkruan sot Koha Ditore.
Bytyçi që është zyrtar në Drejtorinë e Tatimeve në Komunën e Pejës, do të qëndrojë deri të premten kur pritet të dalë para trupit gjykues në seancën e parë dëgjimore.
Njësia e inteligjencës policore kishte siguruar informacione se Bytyçi së bashku me Nazmi e Valon Shalën – pronarë të hotelit “Shala” në Pejë, me shtetasen e Shqipërisë me kombësi egjiptiane Xhuljeta Ruqaj, dhe Egzon Ademajn, mundësuan prostituimin e grave dhe vajzave në këtë hotel.
Bytyçi dyshohet të ketë qenë menaxher i pazareve që janë bërë në këtë hotel dhe se hetuesia kishte rënë në prova kundër tij gjatë zbatimit të masave të fshehta të përgjimit ndaj tij dhe të tjerëve. Që të gjithë u arrestuan të martën. Njoftimin për arrestimin e personave të dyshuar për “trafikim me qenie njerëzore” dhe “mundësim prostitucioni”, në dy raste të ndara, të enjten, e ka bërë Zyra për komunikim e Policisë së Kosovës.
Për arrestimin e zyrtarit të tij është njoftuar po atë ditë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri.