Nju Jork: për herë të parë fëmijët myslimanë marrin pushim nga shkollat për Bajram

Nju Jorku shënoi një arritje të rëndësishme në respektimin e të drejtave të njeriut kur të enjten 1.1 milionë fëmijë morën pushim nga shkolla për të festuar Kurban Bajramin.

Eshtë një fitore e vogël, por e kërkuar mes shumë vështirësive në një kohë që myslimanët amerikanë flasin për rritje të islamofobisë në Amerikë dhe retorikave anti-myslimane që pasuan sulmet e 11 Shtatorit 2001.

Për herë të parë, më shumë se 1800 shkolla publike në Nju Jork u mbyllën për të respektuar festën myslimane të Kurban Bajramit, ditën e sakrificës, ashtu sikundër u mbyllën një ditë më herët për Yom Kipur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik.

Kryebashkiaku Bill de Blasio e njoftoi politikën e re që në muajin Mars kur tha se shkollat publike në shtetin e Nju Jorkut do të marrin dy ditë pushim për Bajramin që u festua në verë, dhe për Kurban Bajram, duke i shtuar këto dy ditë në kalendarin e festave fetare që deri më tani përfshinte festat e krishtera dhe hebraike.

“Eshtë një fitore e madhe që ta shohim të realizuar këtë premtim”, tha Linda Sarsour, aktiviste që edhe vetë ka tre fëmijë.

“Si imam dhe si prind jam shumë i lumtur”, bie dakord me të edhe imami Shamsi Ali, drejtor i Qendrës Muslimane në Queens.

“Jam i sigurtë se me këtë vendim nga qeveria muslimanët do të nxiten në ndjesinë e tyre se i përkasin këtij vendi”, tha ai.

Më parë, prindërit myslimanë në Nju Jork përballeshin me dy zgjidhje: të mos i dërgonin fëmijët në shkollë për festa ose t’i dërgonin duke devijuar disi rrjedhën e ditës së shënuar që festohet nga e gjithë familja.

Në Amerikë vlerësohet se jetojnë rreth 7 deri në 10 milionë myslimanë, nga të cilët një million jetojnë në Nju Jork duke përëbërë kështu 10 për qind të popullsisë.

Nju Jorku bëhet kështu shteti që mbyll shkollat për Kurban Bajram pas Nju Xhersit, Massachusetts dhe Vermontit, por aktivistët po punojnë që kjo të ndodhë edhe në pjesë të tjera të vendit.

Aktivistët shpresojnë se përfshirja e Bajramit në kalendarin shkollor të festive do ta bëjë Islamin më të pranuar e do të ngrejë më shumë kundër islamofobisë.

“Eshtë një kohë e tensionuar”, tha Sarsour për AFP-në.

Vetëm në dy javët e fundit, ka pasur disa incidente, një person në Chicago u rrah dhe u quajt terrorist për shkak të mjekrës dhe veshjes që mbante.

Në Texas, një 14-vjeçar musliman që vjen nga një familje emigrantësh sudanezë u arrestua se kishte ndërtuar një orë, që mësuesit menduan se ishte bombë.

Gjatë fundjavës së kaluar, kandidati republikan për president,

Ben Carson, tha se myslimanët nuk duhet të jenë presidentë të Shteteve të Bashkuara sikundër me herët pati retorikë islamofobe në tubimete fushatës së kanddiatit tjetër, Donald Trump./tesheshi

Artikulli paraprakIslam gjithandej: Kisha uron për Bajram
Artikulli vijuesPersonalitete të famshme që u konvertuan në Islam