Është hera e dytë, që një gazetare, që nuk di sesi ta etiketojë, merr peng edhe njëherë tjetër një TV publik shqiptar, me intervistën e së vesë së diktatorit komunist shqiptar!
Njerëz si kjo gazetare, nuk janë edhe aq të paktë në Shqipëri, por më e keqja është se këta njerëz i gjen me shumicë pikërisht aty ku nuk duhet të jenë, dhe që absolutisht nuk reflektojnë ndërgjegjen e këtij populli, por janë manipuluesit e tij.
Ligësinë, deri në gjenezë të filozofisë komuniste dhe pjellën e tij kriminale, këta njerëz të paidentitet e përjetojnë si diçka ekzotike, si një e keqe interesante, pse jo edhe për t’i dhënë hapësirë të flasë dhe të shfajësojë vetveten…
Ka mjaft mënyra për të bërë show dhe tërhequr audiencën e publikut, por kjo është mënyra më e shëmtuar dhe perverse për të trazuar plagën dhe ndërgjegjen një populli të përvuajtur në gjysmëshekulli.
Shqiptarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë të vërtetat e vogla të N. Hoxhës për të shoqin, edhe nëse janë të tilla, sepse ajo që ata përjetuan gjatë pushtetit të tij dhe langonjve të tjerë komunistë, është një vërtetë më e madhe, të cilën e dëshmojnë plagët e qindra mijëra njerëzve të vrarë, torturuar, burgosur dhe internuar. E dëshmon dehumanizimi i “njeriut të ri socialist”, ky mutacion komunist nga i cili Shqipëria vazhdon të vuajë akoma.
Për respekt të jetës njerëzore, media dhe kushdo tjetër duhet t’i harrojë se këta njerëz si N. Hoxha jetojnë akoma. Por, nuk duhet harruar për asnjë çast e liga që soji i saj, i mbrujtur me një ideologji kriminale, i solli këtij vendi.
Të tilla të “vërteta” ironike, se diktatori ishte tolerant me festat fetare, se teprimet në ndalimin e fesë… etj dokrra si këto, ishin produkt i masave dhe jo i “udhëheqësit”, le t’i marrë me vete në varr dhe t’i tregojë Ditën kur do të dalë para Zotit, pa qenë nevoja të trazojë ditën e disa miliona njerëzve që e jetuan atë periudhë dhe shfytyrojë panoramën, për disa të tjerëve që nuk e jetuan atë mynxyrë.
Justinian Topulli
Kryetar i Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë