Zeqirija Ibrahimi
Nuk dimë të pimë “Skënderbe”, por kemi të drejtë ta përfaqësojmë vetveten dhe popullin tonë “E duan apo e urrejnë, u pengon ose e admirojnë, e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni është në ndërtimin e një opsioni politik autentik dhe autokton, që përkon me vlerat tradicionale shqiptare në Maqedoni, që nuk është importim as nga Lindja, por as nuk është ideologjik enverist e, aq më pak, liberal-jugosllav. Nëse dikujt i pengoi që vajzat e reja shqiptare me shami e pa shami, por me flamur kuq e zi, protestuan në protestat e 9 majit të këtij viti në Shkup ose që nënat shqiptare, rëndom me shami, dolën me flamur kombëtar e me flamur të BE-së në protestë, kjo nuk është problem i shqiptarëve në Maqedoni, por problem i atyre që kanë perceptim të gabuar për shqiptarinë. Nëse ne, shqiptarët e Maqedonisë, kemi respekt për bindjet ateiste, madje kemi dashuri për vëllezërit tanë shqiptarë të besimeve të tjera, bile i tolerojmë edhe ata që me sjelljet e tyre nuk e nderojnë fort shqiptarinë e projektuar nga ne dhe këtë e bëjmë në emër të ruajtjes së kohezionit brendakombëtar, kujtoj se do të ishte e drejtë që edhe ne, që nuk dimë të pimë “Skënderbe”, që mund t’i kemi nënat dhe gratë me shamia, që shkojmë në xhami (por, pa bërë fotografi për Facebook) dhe që agjërojmë, të kemi të drejtë ta përfaqësojmë vetveten dhe popullin tonë. Fundja, nëse e shtyjmë më larg krahasimin, ofendohem rëndë nëse një enverist e konsideron veten më shqiptar se unë. Sepse, më shumë se që i ka dëmtuar Enver Hoxha shqiptarët, në përgjithësi, dhe më shumë se që i ka dëmtuar e poshtëruar BDI-ja enveriste shqiptarët e Maqedonisë, nuk mund ta bënte askush. Por, lajmi i mirë është se enverizmi po shkulet edhe nga trevat tona”, – ka shkruar nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrajimi në shkrimin e tij të fundit.