Nuk e lëshon postin e Presidentes

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk e ka ndërmend ta respektojë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, në bazë të së cilës është zgjedhur në postin e të parës së vendit. Ajo vazhdon ta shkelë dhe ta trajtojë si të parëndësishëm këtë dokument, ndërsa insiston se dorëheqja nuk është kategori kushtetuese në Kosovë.

“Dorëheqja nuk është pjesë e marrëveshjes dhe dorëheqja nuk është e paraparë as me Kushtetutë. Dhe unë them se ne duhet ta krijojmë një praktikë dhe njëfarë lloj të kulturës institucionale që duhet të punojmë drejt kalimit të rregullt apo të procesit të pranim-dorëzimit të detyrës nga presidentja aktuale në presidentin e zgjedhur”, ka thënë Jahjaga tw premten në një takim me gazetarë, shkruan “Zëri”.

Jahjaga është zgjedhur në krye të vendit pas krizës institucionale që kishte kapluar vendin me rrëzimin e Behgjet Pacollit nga posti i presidentit. Ajo kishte ardhur si produkt i marrëveshjes politike ndërmjet liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli. Me këtë marrëveshje parashihej që pas përfundimit të reformës zgjedhore dhe kushtetuese, Kosova duhet ta zgjedhë një president të ri, por Jahjaga ua ka bërë të qartë të gjithëve se ajo nuk e ka ndërmend ta lëshojë postin.

Pikërisht ky qëndrim i saj ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të tërhiqet nga Komisioni Parlamentar për Reformë Zgjedhore, me çka është bllokuar ky proces, pa përfundimin e të cilit pothuajse do të jetë e pamundur që vendi të shkojë në zgjedhje nacionale. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakMitrovicën e ndanë ndërkombëtarët
Artikulli vijuesAKSH fton për mobilizim: Do t’iu përgjigjemi sulmeve serbe në Kosovën Lindore