Qeveria Thaçi do t’i nënshtrohet presionit

Sinjalet e dërguara nga Bashkimi Evropian, pas takimit të shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, flasin se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të rifillojë së shpejti, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Ndryshe, siç ka njoftuar zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, pas takimit me kryeministrin Thaçi Ashton “ka theksuar se këto bisedime duhet të ripërtërihen sa më parë që të jetë e mundshme, atëherë kur në Beograd të fillojë punën qeveria e re”.

Në anën tjetër, kohë më parë, kryeministri Thaçi pati deklaruar se Kosova nuk do ta rinisë dialogun me Serbinë, nëse kjo e fundit nuk i zbaton marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun teknik, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Por, Shenoll Muharremi, analist i çështjeve politike dhe njohës i rrethanave integruese, vlerëson se duke pasur parasysh faktin se BE-ja dhe veçanërisht baronesha Ashton kanë investuar shumë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presioni ndaj Qeverisë së Kosovës nuk do të mungojë për vazhdimin e dialogut.

“Unë mendoj që Republika e Kosovës dhe liderët e saj nuk kanë as kredibilitet politik, por as Kosova, si shtet, nuk është aq e fuqishme për t’i vënë kushte BE-së apo ndonjë shteti tjetër. Mos harroni që në tetor ka për t’u publikuar Studimi i Fizibilitetit, ku do të përcaktohet rrugëtimi i Kosovës në agjendën evropiane. Mos harroni që ne jemi duke dialoguar për liberalizim të vizave dhe mos harroni që Kosova është vendi i fundit në rajon sa i përket procesit të integrimeve. Andaj, nuk shoh se si ka mundësi kryeministri të këmbëngulë se nuk do të futet në dialog”, vlerëson Muharremi.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe analisti i çështjeve politike, Shpend Kursani nga Instituti për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED). Ai shpreh mendimin se Thaçi dhe qeveria do të lëshojnë pe para presionit të BE-së dhe do ta rinisin dialogun me Serbinë, kurse temë kryesore do të jetë veriu i Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës gjithmonë u është nënshtruar presioneve. Tash, sa i përket veriut të Kosovës, edhe pse kryeministri thotë se nuk do t’i nënshtrohet këtyre presioneve dhe nuk do të bisedojë me Serbinë sa i përket veriut, është vështirë të besohet, pasi që të njëjtën gjë kryeministri e ka bërë edhe për fusnotën, për të cilën pati thënë se nuk do ta pranonte.

Po ashtu, pati thënë se nuk do të pranojë që zgjedhjet e Serbisë të mbahen në Kosovë… dhe i ka pranuar. Kështu që presioni për veriun dhe shumë rrethana të tjera që janë krijuar, si për shembull përmbyllja e pavarësisë së Kosovës, bashkë me këtë presion, do ta fusë kryeministrin e Kosovës në biseda me Serbinë, për veriun”, pohon Kursani.

Ndryshe, ngritja e dialogut teknik në formatin politik, ndonëse edhe ai i deritashmi kishte primesa politike, sipas analistit Muharremi, do të ishte krejtësisht normal, nëse Serbia do ta kishte ndryshuar qasjen ndaj Kosovës. Por, siç thotë ai, duke marrë parasysh se kjo qasje nuk ka ndryshuar dhe duke marrë parasysh të kaluarën e liderëve aktualë serbë, Kosova duhet t’i qaset dialogut eventual me shumë kujdes.

“Pikë së pari, le të kthehemi pak te kërkesat e zonjës Merkel (kancelares gjermane) që i ka bërë vitin e kaluar. Njëra prej tyre është largimi i strukturave paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë në Kosovë, të cilat e sabotojnë zhvillimin e vetë Kosovës.

Andaj, këto janë çështje të ndjeshme dhe dialogu politik duhet t’i ketë disa parakushte, në mënyrë që ne të bindemi se Serbia dëshiron ta ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës. Por, fatkeqësisht, deri tash nuk kemi pasur sinjale të tilla dhe po shihet një vazhdimësi e politikës së rëndë ndaj Kosovës, e cila nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës, qofshin ata qytetarë shqiptarë apo serbë”, thekson Muharremi.

Në anën tjetër, Kursani vlerëson se Kosova duhet të bëjë çmos që t’i shmanget temës së veriut të vendit në dialogun eventual me Serbinë, i cili, sipas tij, mund të fillojë në shtator të këtij viti.

“Absolutisht nuk ka nevojë të bisedojë Kosova me Serbinë sa i përket veriut të Kosovës, sepse ky i fundit mund të integrohet edhe pa biseda me Serbinë. Ndërkaq, presioni ndërkombëtar që ushtrohet ndaj Qeverisë së Kosovës për veriun, është vetëm një opsion më i lehtë i komunitetit ndërkombëtar për ta zgjidhur çështjen e veriut, por nuk është i vetmi. Komuniteti ndërkombëtar, në fakt, duhet t’i bëjë presion Serbisë, për t’i hequr strukturat paralele në veri dhe Kosova t’i kryejë ‘detyrat e shtëpisë’, të bëjë gjithçka për popullatën në veri që ta integrojë dhe ta bindë se kjo është e vetmja zgjidhje”, vlerëson Kursani.kohaislame

Artikulli paraprakSIRIA, DHE FRIKA E IZRAELIT
Artikulli vijuesSerbët bllokojnë magjistralen e Ibrit, në afërsi të Jarinjës