Nuk është turp të jesh antiamerikan

ANDI BUSHATI
Vizita katërorëshe e zv/sekretares së shtetit Nuland në Tiranë, është një provë ekstreme se reforma në drejtësi është një draft, një produkt dhe një vullnet amerikan. Ajo dëshmon edhe njëherë atë që tashmë të gjithë e dinë. Ajo tregon se SHBA, e mbështetur edhe nga BE, po kërkon një rrugëdalje për një proces me anë të të cilit të filtrojë dhe kontrollojë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, që pastaj, në një fazë të dytë, me anë të tyre të ndëshkojë “të paprekshmit” e këtij vendi.

Por, pas shumë stërhollimesh, debatesh shterpë dhe kulisash, që nuk fshehin dot qëllimin, palët tashmë janë afishuar pro dhe kundër këtij qëndrimi.

Nga njëra anë janë socialistët e Ramës që do të ndiheshin më mirë nëse kjo reformë nuk do të bëhej, për shkak të korrupsionit të tyre galopant dhe implikimit me krimin gjatë këtyre tre viteve. Por, për shkak të komplekseve nga trashëgimia e tyre dhe me shpresën se kjo reformë do të dështojë për shkak të kundërshtarëve, ata kanë vendosur të sillen si pro amerikanë: t’i thonë po me sy mbyllur çdo propozimi që vjen nga selia e rrugës së Elbasanit.

Nga ana tjetër është qëndrimi i PD dhe deri diku ai i LSI. Gjithnjë, ose nga selitë e këtyre partive ose nga mbështetësit e tyre publikë, është krijuar ideja se kjo është një reformë, që po pritet si një kostum i qepur enkas për trupin e Ramës. Se kjo është një manovër që ai të kapë drejtësinë me duart e të huajve.

Në fakt ky alarm nënkupton një tjetër frikë.

Shpreh makthin që Berisha dhe ish qeveritarët e tij kanë nga të huajt dhe roli i tyre në proces.

Kjo fobi shprehet qartasi tek këmbëngulja e PD-së (dhe tek thirrja e LSI-së për konsensus me PD) që në komisionet e kontrollit dhe përzgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve, të ridimensionohet roli i ndërkombëtarëve. Që ata të mos jenë më vendimmarrës, por thjeshtë vëzhgues dhe monitories.

Pikërisht më këtë kërkesë, që Basha ia përsëriti edhe Victoria Nuland, mori kuptim edhe fitoi koherencë, një qëndrim i kakohshëm i opozitës i cili e bëri atë shpesh të dukej kontradiktore dhe penguese në rrugën e reformës.

PD-ja edhe me mbështetjen e LSI do një rol më të vogël dhe më pak protagonist të ndërkombëtarëve në organizmat që po ngrihen për ndëshkimin e politikanëve të lartë.

Duke thënë këtë, duket sikur sapo ke treguar me gisht një sakrilegj. Duket sikur ke etiketuar opozitën dhe aleatët e saj si antiamerikanë dhe antiperëndimorë.

Por në fakt nuk është kështu.

Pavarësisht nga arsyet se përse nuk e do modelin që propozojnë amerikanët, opozita teorikisht mund të ketë të drejtë.

Në këto 25 vjet, përfaqësuesit e Uashingtonit nuk kanë qenë gjithmonë në “anën e mirë” të historisë sonë të këtij çerek shekulli.

A nuk kanë mbështetur ata pushtetin e pakufishëm të Berishës në fillim të viteve ’90? A nuk ka shkelur Kris Hilli një sy, për burgosjen e liderit të parë të opozitës Nano në 1993? A nuk kanë heshtur amerikanët shumë gjatë për këtë proces të pastër politik?

Dhe a nuk e kanë mbështetur ata më pas “antiamerikanin” Nano që shërbeu si një lolo i administratës Bush për luftën e padrejtë në Irak?

Po le të shojmë më tej?

A nuk u bë ambasadori i ndjerë Limpreht, një partizan i flakët i qeverisë së korruptuar Meta në vitet 1999- 2001? A nuk heshtën diplomatët amerikanë për vjedhjet spektakolare që iu bënë opozitës në zgjedhje gjatë kësaj periudhe?

E në fund a nuk e shpallën ata Berishën “Burrë shteti” fiks pas katër të vrarëve në boulevard?

Mjafton pra kjo histori e shkurtër për të kuptuar se jo gjithmonë ajo që thonë emisarët e Uashingtonit është e drejtë. Dhe ne shqiptarët duhet të kemi guximin ta themi këtë sa herë mendojmë ndryshe nga ata.

Në fakt, megjithëse vetë besoj se rasti i reformës në drejtësi, nuk mund të shtohet në listën e mësipërme, megjithëse kam bindjen se sado demagogjike, e paplotë dhe pjellë kalkulimesh të jetë kjo reformë, ajo do të përbëjë sërish një hap parpara, pra megjithëse jam një nga ata që besojnë se është “më mirë me të, sesa me asgjë”, përsëri nuk e akuzoj dot PD dhe dhe LSI për antiamerikanizëm.

Vërtet ato janë kundër SHBA-së në këtë poroces. Vërtet ato po bëjnë gjithçka që të sabotojnë punën e ambasadorit Lu. Vërtet ato po i fusin shkopinj nën rrota punës së çdo emisari perëndimor.

Por, ato janë në të drejtën e tyre, sepse të jesh kundër një projekti të amerikanëve nuk të bën detyrimisht “fajtor”.

I vetmi faj që po bëjnë Basha dhe Meta është mungesa e sinqeritetit në këtë proces. Është fakti se ata po sillen edhe sikur janë pro Lu dhe Nuland dhe po punojnë kundër mesazheve të tyre. Ata po bëjnë sikur e duan reformën e servirur nga Amerika, por vetëm me një kush të vogël: që ajo të mos zbatohet nga amerikanët.

Artikulli paraprakE tmerrshme: E përdhunoi dhe e vrau 3-vjeçaren në pyll, pastaj u kthye të festonte në ditëlindje
Artikulli vijuesPasha All-llahun, me besimtarë jeton si në xhennet…