Nuk miratohen rekomandimet për 100 ditët e punës së Qeverisë

Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar dje rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje, për performancën e qeverisjes në Kosovë dhe kontrollin parlamentar.
Rekomandimet pasuan debatet prej dy ditëve për 100 ditët e para të punës së Qeverisë së Kosovës, të zhvilluar me kërkesën e opozitës.
Sponsoruesi i këtyre rekomandimeve, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se rekomandimet, ndër tjera, kishin për qëllim rritjen e transparencës. Mirëpo, ato u mbështetën vetëm nga partitë opozitare dhe jo nga partitë e koalicionit qeverisës që përbëjnë shumicën në Kuvend.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar sërish një ekspoze, ku ndër tjera ka potencuar se programi i tij qeverisës mbështetet në zhvillim ekonomik, punësim, sundim të ligjit si dhe në përmbushjen e agjendës evropiane dhe reformave në arsim e shëndetësi.
“Programi është i realizueshëm dhe se ai u përgjigjet nevojave aktuale të Republikës së Kosovës. Nuk them se është program ideal, por vlerësoj se në Qeverinë e Kosovës, në këtë koalicion ka vullnet që të bëhen ndryshime”, u shpreh Mustafa.
Si ditën e parë, edhe dita e dytë (3 prill 2015) u karakterizua me debate e polemika të shumta.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vlerësuar se me këtë qeveri, Kosova do të ketë ditë edhe më të vështira. Sipas tij, koalicioni aktual i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk mund të garantoj zhvillim e as mirëqenie për qytetarët e Kosovës.
“Ditët më të mira me këtë qeveri tashmë i kemi parë. Ato njëmend ishin shumë të këqija, por ditët në vijim do të jenë edhe më të këqija. Mbase nuk mund të jetë ndryshe me një qeveri e cila është themeluar me marrëveshjen e Rashkës së 9 dhjetorit 2014″, ka theksuar Kurti.
“Kjo Qeveri do të hap më shumë vende pune në Serbi sesa në Kosovë dhe këtu nuk e kam fjalën për transportuesit e shqiptarëve nëpër Serbi për në Hungari, e as për hotelet e restorantet në Suboticë, por për lejimin që këta do t’ua bëjnë mallrave të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar ish lideri i Vetëvendosjes.
Deputetët opozitar shprehën shqetësime edhe në lidhje me deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa, se Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) nuk do të mund të shkojnë në veri të vendit të populluar nga shumica serbe pa marrëveshje me NATO-n. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se kjo paraqet shkelje të Kushtetutës./on
Artikulli paraprakOfendoi Erdogan, adoleshenti turk përballet me akuza në Gjykatë
Artikulli vijuesRreth 500 familje në muaj aplikojnë për ndihma sociale