Nesër e më 8 shtator testi i maturës

Prishtinë, 30 gusht – Rreth 16 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë kaluar provimin e maturës në afatin e parë do t’i nënshtrohen testit nesër në afatin e dytë. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e provimit shtetëror.

Provimi shtetëror i maturës edhe në afatin e dytë do të organizohet në dy ditë të ndara. Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën, se dita e parë e testit do të jetë nesër, më 31 gusht, ku maturantët të cilët nuk e kanë kaluar testin në afatin e parë, do të përgjigjen në 120 pyetje, ndërsa dita e dytë e testit do të jetë më 8 shtator, i cili do të përmbajë 80 pyetje.

Mustafa tha se janë koordinuar edhe më Universitetet Publike, në mënyrë që konkurset për pranimin e studentëve të rinj të shpallet me kohë.

Mustafa, gjithashtu bëri të ditur se provimi i maturës në afatin e dytë nuk do të jetë ndryshe nga i pari dhe nuk do të ketë ulje të kriterit. Ai tha se kushti për të kaluar provimin e maturës është 50 për qind nga numri total i pikëve. Maturantët do të kenë në dispozicion gjithsej 180 minuta për plotësimin e testit të parë dhe po aq për testin e dytë./koha/kohaislame

Artikulli paraprakI SHQIPTOHEN 13 VITE BURG
Artikulli vijuesJovanoviq: Po ndryshon politika fataliste e Serbisë