Medreseja “Isa Beu”, paralelja e vajzave në Tetovë funksionon si degë e Medresesë “Isa Beu” të Shkupit, që nga viti 2004. Numri i nxënësve që nga viti i parë i hapjes së kësaj dege është rritur dukshëm, kështu konfirmon drejtori i kësaj shkolle Bahri Aliu.
Fillimisht ka pasur vetëm një paralele ndërsa tani kjo shkollë ka nga tri paralele për secilën gjeneratë dhe për këtë sigurisht që ndjehet krenarë drejtori , i cili vlerëson se kjo ka ndodhur si pasojë e planprogramit të suksesshëm dhe sigurisht punës së palodhshme të profesorëve që janë të angazhuar në këtë shkollë.
Nga vizita që bëri Agjencioni i Lajmeve Zhurnal në këtë shkollë shihej se ambientet në të ishin mjaft komode për realizimin e suksesshëm të procesit edukativo arsimor. Klasë të lyera mirë, dysheme të pastërta, një kuzhinë e rregulluar mjaft mirë dhe sigurisht edhe bibliotekë solide dhe kabineti i informatikës, ishin këto ambientet të cilat vërehej që ishin të ruajtura mirë.
Në bashkëbisedim me drejtorin e kësaj shkolle ai tregoi më detajisht se si funksionon shkolla e tyre nga aspekti teknik dhe sigurisht edhe nga aspekti arsimor. Fillimisht kur është hapur kjo degë e medresesë që funksionon vetëm për vajza, kushtet në të nuk kanë qenë aq të mira sa janë sot. Në vitin 2008 pjesës së shkollës së vjetër i është shtuar një objekt i ri që përmban 12 klasa, bibliotekë, kabinet të informatikës, banjo dhe kuzhinë. Tani funksionojnë si një i vetëm këto dy objekte, domethënë objekti i vjetër dhe objekti i ri. Në objektin e vjetër është zyra e drejtorit, zyra e profesorëve dhe biblioteka, ndërkaq në objektin e ri janë 12 klasat, kuzhina dhe kabineti i informatikës.
Planprogrami i kësaj shkolle është i ndarë në tri pjesë: në pjesën e parë janë të përfshira gjuhët, aty mësohet gjuha shipe, gjuha maqedone, gjuha angleze, gjuha turke dhe gjuha arabe. Në pjesën e dytë janë të përfshira lëndët profesionale, gjegjësisht lëndët fetare dhe në pjesën e tretë janë të përfshira lëndët e tjera si biologjia, kimia, gjeografia e të tjera. E gjithë kjo vlerëson drejtori është në dobi të nxënëseve që e mbarojnë këtu shkollën e mesme, sepse përveç pajisjeve me dituri nga aspekti profesional ata marrin edhe njohuri të përgjithshme. Për realizimin e këtij planprogrami janë të angazhuar 13 profesorë me orarë të plotë pune dhe profesorë të tjerë të cilët punojnë më orarë jo të plotë.
Përveç aktiviteteve të përfshira në plan program nxënëset e kësaj shkolle merren edhe me aktivitete të tjera të cilat organizohen në kuadër të shkollës që përfshijnë pesë grupe të cilat janë të ndara për nga aktiviteti, ku përfshihet grupi letrarë, kori i shkollës, grupi i artizanateve, dhe të gjithë këto janë të rëndësishme dhe mjaft me vlerë për shkollën siç vlerëson edhe drejtori Bahri Aliu.
“Krahas planprogramit që realizohet jam i lumtur që në medrese nxënësit merren edhe me aktivitete tjera dhe në kuadër të aktiviteteve të lira ne kemi edhe grupe të veçnta dhe ate:grupi letrarë, qe merren me shënimin e datave të rëndësishme të medreses dhe me aktivitete të ndryshme. Të gjithë krijimet që dalin nga ky grup botohen në gazetën që del në kuadër të shkollës, e dila botohet dy apo tre herë në vit. Krahas grupit letrarë kemi edhe grupin e korit, grupin e mevludit dhe grupin e artizanateve.“ thotë kështu drejtori i shkollës.
Edhe nxënëset që marrin pjesë në këto aktivitete te lira janë të kënaqura sepse ata mendojnë që në këtë mënyrë do të krijojnë shprehi edhe për punë vullnetare dhe do pajisen me njohuri shtesë përveç njohurive që i mësojnë nga lëndët e përfshira në planprogram.
“Më vjen mirë që shkolla jonë organizon aktivitete të këtilla sepse në këtë mënyrë ne krijojmë shprehinë edhe për punë vullnetare dhe njëkohësisht pajisemi edhe me dituri shtesë”, thotë Larita Rexhepi, nxënëse e vitit të tretë.
Nga ana tjetër edhe nxënëset që mësojnë në këtë shkollë si duket janë të kënaqura nga kushtet në shkollë dhe nga procesi arsimor në përgjithësi. E pyetur nga Zhurnal , maturantia Bushra Shabani shprehet e kënaqur nga përvoja që ka marrë gjatë këtyre katër viteve në këtë shkollë.
“Jam mjaft e kënaqur nga kushtet brenda shkollës por sigurisht edhe nga profesorët dhe profesoreshat tona. Na ndihmojnë, na kanë mësuar shumë mirë dhe unë si një maturante shpresoj që dituritë e fituara këtu t’i shfrytëzoj në shkollimin tim të mëtejmë.” –thotë kështu Bushra Shabani.
Edhe përkundër kushteve kaq të mira drejtori i kësaj shkollë tha që është i nevojshëm një konvikt ku do të qëndronin nxënëset që vinë nga larg, por ende nuk është i mundur realizimi i një konvikti sepse siç theksoi drejtori Bahri Aliu kjo shkollë është hapur nga ana e Bashkësisë Fetare Ismale dhe nuk gëzon të drejtat për investim nga ana e shtetit sepse ajo nuk llogaritet shkollë shtetërorë. Por, megjithatë Aliu theksoi se shpreson që në të ardhemn kjo shkollë të merr statusin sit ë gjithë shkollat tjera të mesme në Tetovë.
Edhe nxënëset e vërejnë mungesën e një konvikti ku nxënësja e vitit të dytë Sumeja Alija përveç mirënjohjes për kushtet e mira që ekzistojnë në këtë shkollë, ajo mendon se është i nevojshëm një konvikt ku do të qëndronin shoqet e saj që udhëtojnë dhe lodhen çdo ditë.
Krahas aktiviteteve arsimore nxënësit e kësaj shkolle shkojnë në ekskurzione që organizohen nga ana e shkollës ku theks të veçantë drejtori i vendosi ekskurzionit dhjetë ditorë që realizohet për maurantet e kësaj shkolle. Ky ekskurzion realizohet në Turqi dhe nxënëset janë të obliguara që të paguajnë vetëm harxhimet për udhëtim sepse pjesën tjetër të harxhimeve i paguajnë bashkëpunëtorët e komunave të ndryshme të cilat ekzistojnë në Turqi dhe me të cilat Medreseja “Isa Beu” ka raporte të mira bashkëpunimi.
I pyetur në fund se cili është synimi kryesorë i kësaj shkolle, drejtori tha shumë qart që Medreseja “Isa Beu” paralelja e vajzave në Tetovë synon së pari të pajis me kulturë të shëndoshë të githë nxënëset që mbarojnë shkollën në të dhe sigurisht që kjo do ishte një bazë e mirë e një shoqërie të shëndoshë.