“O Njerëzit e Zotit..!”, thirrja e urtë e Hafiz Sheuqet Boriçit… (3)

Në pjesën e tretë të prezantimit të mesazheve të urta të dhëna nga Hafiz Sheuqet Boriçi, nëpërmjet hytbes së tij, botuar në shkurt të vitit 1940 në revistën “Kultura Islame”, dua të ndalem në ca këshilla të goditura nga urtësia e tij.

Janë mesazhe dhe udhëzime të qëlluara, nëpërmjet të cilave, Hoxha tërheq vëmendjen drejt vlerës së madhe që ka puna e hallallit dhe angazhimi serioz i muslimanëve për ta ndërtuar jetën nëpërmjet sakrificës.

Mendoj se këto mesazhe janë mëse të duhura, sidomos në realitete meskine e të mjerueshme, si këto me të cilat përballet sot rinia shqiptare.

Mungesa e alternativave për zhvillimin e aftësive intelektuale dhe dhuntive hyjnore, mungesa e politikave për zhvillimin e resurseve natyrore, dëmtimi i pasurive natyrore kombëtare, përhapja në masë e pasigurisë, korrupsionit etj, janë alarme, që duhet të na tërheqin vëmendjen për të mos jetuar si parazitë e të izoluar ndaj detyrimeve që i kemi Zotit, jetës, tokës tonë e vlerave tradicionale kombëtare!

Ja, si shprehet Hafiz Sheuqet Boriçi në vijim të hytbes së tij: [Profeti, Paqi dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi Tè, e shfaqi dhe e sqaroi, me të vërtetë, me atë tradisjon të ndershëm e të shênjtë, se ai qi fiton lumninë e të dy botnavet dhe naltësinat e tyre, âsht nji njeri, të cilin e preokupoi rrojtja e tij tu u përgatitë mandej me u kthyë edhe në Banimin e Fundit të tij; ai e la në nji anë përtacësinë dhe papunësinë, u përpoq për me mbledh e me fituë ushqimin e tij dhe çdo gjâ tjetër, mbi të cilën qëndron e mbështet jeta e tij dhe ajo e atyre qi mbështeten mbi të e qi për të cilët ai âsht përgjegjës.

Ai njeri qi përpiqet për me fituë ushqimin e vetvehtes si edhe atë të familjes së tij, do të ketë shpërblimin e nji adhuruesi ascetik.

Feja e jonë kërkon punë prej nesh, kërkon që muslimani të jetë i shtrênjtë dhe hije-rëndë dhe jo parazit mbi të tjetët, i poshtër dhe i ofenduëm. Kushdo qi e len punën dhe mërzitet për me punuë dhe me fituë shûjtën e tij, ai e ka humbë shpresën, kështu qi gjendja dhe fundi i tij âsht rrënim humbje e zhdukje!

Llukmani A.S., i tha të birit: “Merr prej botës atë që mund të mbërrish dhe lene tepricën e fitimit tënd për Botën e Fundit dhe mos e refuzo kohën kryesisht, se bâhesh parazit dhe barrë mbi qafët e burravet tjerë!”

Përsëri, i tha: “Kënaqu dhe mjafto me fitimin hallall dhe mos rri në vorfëni, se asnji herë nuk âsht vorfënuë njeri e qi të mos i kenë râ mbi kryë këto tri vetija: skllavëria në fenë e tij, dobësimi ose ligështimi i mendjes së tij dhe e treta, zhdukja e burrënisë së tij!”] – (Revista “Kultura Islame”, viti 1, fruer-mars, 1940-XVIII, (Muh.-Safer, 1358), nr. 6-7, f. 268-269).

– vijon, inshallah –

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 gusht 2016

Artikulli paraprakIndonezi: Hafizja e verbër do të shkoj në haxh pa pagesë
Artikulli vijuesMbledhësi i mbeturinave regjistrohet në fakultet në moshën 72 vjeçare