Independent: Protestat shpërfaqin mitin për Turqinë stabile

Ka diçka pothuaj komike në mënyrën se si hapat e gabuar të qeverisë turke kthyen një protestë të vogël për ruajtjen e lisave në sheshin Taksim, në protestën më të madhe mbarëkombëtare që është parë ndonjëherë në Turqi, nis një koment mbi protestat në Turqi, britanikja Independent.

Forcat turke të sigurisë bënë gabimin klasik duke u paraqitur në televizion dhe mediat sociale duke hedhur ndaj protestuesve paqësorë ujë me presion dhe sprej djegës. Kjo ka mjaftuar që të provokojë zemërimin.

Gazeta shkruan se ka qenë një kohë kur brutaliteti i forcave të sigurisë është mbajtur larg ekraneve televizive me anë të censurës ose duke i frikësuar gazetarët dhe pronarët e mediave. Por, këta mekanizma nuk funksionojnë më kur njerëzit mund të zgjedhin një mori kanalesh televizive si jashtë ashtu edhe brenda vendit.

Gazeta shkruan se është e habitshme, se si politikanët e shkathët si kryeministri Rexhep Tajip Erdogan dhe ata përreth tij do të mund të bëjnë kaq shumë gabime për një kohë kaq të shkurtër.

Është lehtë të dihet se si Zine el-Abidine Ben Ali i Tunizisë dhe Hosni Mubarak i Egjiptit kanë kalkuluar gabimisht reagimin popullor ndaj represionit në fillim të kryengritjes arabe në vitin 2011, sepse si udhëheqës të shtetit policor qasja e tyre ndaj opinionit publik ka qenë që të injorohet ai, thekson Independent.

Por, gazeta pyet se si Erdogani ra në kurthin e njëjtë.

Një shpjegim i qartë, sipas shkrimit, është arroganca e atyre që janë për kohë të gjatë në pushtet.
Ata i injorojnë këshillat dhe i demonizojnë kritikët.

Nuk ka asgjë turke këtu. E njëjta vlen edhe për Margaret Thatcher dhe Tony Blair që sikur Erdogani, i kanë fituar nga tri palë zgjedhje dhe përballeshin me një elektorat që i fajësonte ata për çdo gjë që shkonte gabim.

Paralelja duhet të tërhiqet në mes të Turqisë dhe Evropës Perëndimore dhe jo në mes të Turqisë dhe shteteve të Lindjes së Mesme.

Një nga shumë arsyet se pse të huajt e kanë vështirë ta kuptojnë Turqinë është se ata imagjinojnë se ajo ka politika të ngjashme me shtetet tjera myslimane në rajon, gjë që nuk qëndron.

Është e vërtetë se Turqia ka pasur katër grusht-shtete ushtarake, që nga viti 1960, që mund të ngjasojë me shtetet si Iraku dhe Argjentina dhe regjimet e tyre brutale, por, Turqia asnjëherë nuk është ndalur së mbajturi zgjedhje të lira dhe asnjëherë nuk është ndalur së qeni shtet demokratik, ku partitë e mëdha kanë marrë pjesë në zgjedhje, dhe rezultati nuk ka qenë i kurdisur si në Egjiptin e Mubarakut apo Irakun e Saddam Husseinit, shkruan Independent.

Gazeta thekson edhe debatin që është bërë për sekularizimin dhe islamin në Turqi, duke theksuar se në zemër të trashëgimisë së Kemal Ataturkut nuk është sekularizmi, por, një nacionalizëm super i nxehtë.
Protestat në sheshin Taksim dhe ngatërresa e Turqisë në luftën civile në Siri kanë sjellë një fund të bisedave për ringjalljen e një Turqie që do të ishte si perandoria osmane sa i përket ndikimit në Lindjen e Mesme, madje edhe në Ballkan dhe në Detin e Zi.

“Kjo gjithnjë është dukur si ekzagjerim i fuqisë ushtarake, politike dhe ekonomike të Erdoganit. Ideja e ‘osmanëve të ri’ ka bartur rreziqe të fshehta që Ankaraja ka qenë e ngadaltë për t’i kuptuar”,vënë pah Independent./Indepedent/REL

Artikulli paraprakGëzim Kelmendi: Sqarim rreth votimit tim për "Marrëveshjen"
Artikulli vijuesShtohet prania e ushtrisë amerikane në Afrikë