O sa mirë me kanë …..Lushtak

Familja Lushtaku mund të mos e këtë traditë biznesin, por kjo asaj po i ec mbarë. Sami Lushtaku, së bashku me djalin e tij dhe djalin e vëllait të tij dinë se si bëhet biznesi, e sidomos si fitohen tenderët. natyrisht, si të fitohet edhe prej komunës së Skenderajt.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi në dhënien një tenderi prej mbi 100 mijë eurosh nga komuna, kompanisë së nipit të kryetarit. Kështu së paku thotë vetë djali i vëllait të kryetarit të komunës, Milazim Lushtaku. Që kur nipi regjistroi firmën e tij për sigurime në vitin 2008, vazhdimisht ka fituar tenderë publik dhe si rezultat tani firma e tij “Security Code” është një prej atyre bizneseve që ka qarkullim vjetor milionësh.

Kompania “Security Code”, pronë e djalit të vëllait të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sami Lushtaku, i cili tash është kryetar i komunës së Skenderajt, ka fituar gjithsej njëmbëdhjetë kontrata me institucionet publike.
Lushtaku i ri, biznesmen, thotë se afërsia familjare me kreun e Skenderajt, i cili njëherit është edhe njeri shumë i fuqishëm në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, nuk u ka ndihmuar gjë në suksesin e biznesit.

Megjithatë, në komunën që e drejton xhaxhi i tij, në vitin 2010 ai kishte fituar tenderin me afat trevjeçar për sigurimin fizik të objektit të shkollës e mesme në Skenderaj.

Këtë kontratë, ortaku i Milazim Lushtakut e sheh veç si punë fati dhe prokurimin e sheh si proces të përkryer. “Në procedurat e prokurimit nuk mund të ndikojë askush. Është një fat të qëllosh çmimin më të lirë të ofruar. Vetëm kjo ka ndikim” thotë Esat Tahiri.

Për më shumë, ai e mohon se ka pasur ndikim edhe në rastin e dhënies së tenderit në komunë të Skenderajt. “Jo, Sami Lushtaku nuk ka pasur asnjë ndikim. Ne kemi qenë kompania më e lirë ofertuese dhe ky ka qenë kriteri i vetëm” shton ai.
Sipas tij, ky fat i ka përcjellë ata edhe në dhjetë institucione të tjera.
Ia nisi punës me gjysmë milion.

Kompania “Security Code”, pronë e nipit të Sami Lushtakut, e nisi punën me qarkullim vjetor gjysmë milioni euro. Ajo po rritet, dhe tash është kompani shumë-milionëshe.

Sipas informatave të nxjerra nga kontratat publike vetëm për vitin 2011, gjithsej 11 sosh, të hyrat kanë qenë afër 3 milionë euro.
Ajo është në pritje të edhe një kontrate tjetër multimilionëshe nga Korporata Energjetike e Kosovës, ku drejtor i prodhimit ishte vetë kushëriri i Kryeministrit Thaçi, Nijazi Thaçi. Tenderi është në procedurë të ankimimit dhe nëse Organi Shqyrtues i Prokurimit vendos në favor të “Security Code” për kontratën me KEK-un, ku kjo kompani është shpallur fituese, atëherë firma e Lushtakut do të nënshkruajnë kontratën për pesë milionë të tjera. Sido që të jetë këto kontrata nuk iu duken shumë pronarëve.

“Ne si kompani kemi konkurruar në më se 70 tenderë dhe prej tyre i kemi fituar këto kontrata. Proporcionalisht nuk janë shumë kontrata të fituara” thotë Esat Tahiri, bashkëpronari tjetër i kësaj kompanie.
Kompania e nipit të Sami Lushtakut duket se tash synon kontratat me shtetin. “Security Code” me bizneset private deri më tani ka vetëm një kontratë të nënshkruar, dhe atë me kompaninë “Ford”, vlera e së cilës nuk është bërë publike.

Kompanitë e tjera të familjes Lushtaku
“Security Code” nuk është letra e vetme me fat e Lushtakëve. Në lojën biznesore ata përdorin disa biznese të tjera.

Vlera e përgjithshme e kontratave publike që ka nënshkruar “Secority Code” është mbi 5.4 milionë euro.
Një kontratë afër gjysmë milionëshe e ka të nënshkruar edhe me Universiteti i Prishtinës ku për dy vjet parashihet të fitojë 450,411.36 euro me ruajtjen e të gjitha objekteve të këtij institucioni.

Janë edhe të paktën katër biznese ku anëtarë të familjes Lushtaku kanë zyrtarisht aksione. Këto biznese, gjithashtu, kanë qenë përfituese të tenderëve publik.
Në kompaninë “Shqiponja” aksionar është vetë Sami Lushtaku me 50 % të aksioneve. Kjo kompani si aktivitet kryesor ka ndërtimet.
Në këtë kompani kishte punuar si menaxher i personelit edhe djali i Sami Lushtakut, Mërgim Lushtaku.
Por edhe ky i fundit po e ndjek udhën biznesore të të atit.

Preportr në hulumtimin e saj “Odat e punësimit familjarë” pati publikuar se Mërgim Lushtaku, i cili është Drejtor i Deparatmentit për Integrime Evropiane në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) ka në pronësi një kompani që merret me shitjen e patundshmërive, emri i së cilës është “Virtyti” me adresë në Veternik-Prishtinë.

Kushëriri i tij që tash po merr tenderë publik, Milazim Lushtaku ka edhe dy biznese të tjera. Ai është pronar edhe i “Arlindi” dhe “ Zippo Bar”.
“Kalaja” e fuqishme e Lushtakëve
Një kompani tjetër e fuqishme e familjes së Sami Lushtakut është edhe “Kalaja”. Kjo firmë në vitin 2010 nga Komuna e Skenderajt ishte shpërblyer me tenderë në vlerë mbi 800 mijë euro.

Kjo kompani ka vazhduar të marr hise nga paraja publike edhe nëpër komunat e tjera. Preportr në hulumtimin e saj ka gjetur se kjo kompani ishte kontraktore edhe e komunës së Drenasit, që bashkë me Skenderajn janë zonë në krye-qendrën e partisë Demokratike të Kosovës.

Madje, sipas raportimit të gazetës “Lajm”, komuna e Drenasit ka bërë gati gjithçka që është e mundur vetëm që ta shpërblejë kompaninë me këtë tender.
Komuna e Drenasit e udhëhequr nga Nexhat Demaku i PDK-së ishte sjellë për afro gjashtë muaj rreth tenderit “Ndërtimi i kullës ’Shaban Polluza”. Shpallja e parë e këtij tenderi ishte bërë në qershor të vitit 2011, ku në “raundin” e parë u shpërblye kompania “Albi Company ”, nga Suhareka me një çmim prej 40, 782.05 euro.

Mirëpo edhe pse kishte fituar këtë tender, kësaj kompanie kurrë nuk iu dha mundësia që të nisë punimet për ndërtimin e Kullës, duke bërë që të qëndrojë kot si kompani fituese deri më datën 19/11/2011, kur edhe ishte anuluar krejt tenderi. Procedurat vazhduan dhe zyra e prokurimit e Drenasit shpalli edhe një tender më datën 21/11/2011.

Në tenderin e dytë u shpërblye kushëriri i Sami Lushtakut, Berati, me kompaninë “Kalaja” për afro 40 mijë euro. Në konkurrencë ishin edhe kompanitë “ Europroject” sh.p.k,që ka konkurruar me 46.618,04 euro, “Pulluza-m” me 39. 923,50 euro, “N.n. Beqiri”, me 36.791,00. “ N.n. Shkëmbi” me 50.000,00 euro.

Kjo kompani në vitin që lamë pas është shpërblyer me një tend
er prej 120 mijë eurosh edhe nga komuna e Mitrovicës, e udhëhequr nga Avni Kastrati, po ashtu njeri i PDK-së.

Kjo kompani në vitin 2010 figuron të ketë pasur edhe leje për eksploatim të pasurive nëntokësore të Kosovës, të lëshuar nga Komisioni për Miniera dhe Minerale.kohaislame

Artikulli paraprakTë papunët, të pa interesuar për punë
Artikulli vijuesVetëvritet një polic kufitar