Obama, Putin bisedojnë për Sirinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të rrisin koordinimin në operacionet e vazhdueshme ushtarake në Siri.

Kremlini tha se dy presidentët kanë biseduar në telefon dhe se Putin, i cili ka iniciuar thirjen, i ka kërkuar Obamës të ndihmojë në ndarjen e rebelëve të moderuar të opozitës në Siri nga grupet ekstremiste si Fronti Al Nusra.

Shtëpia e Bardhë tha se Obama ka kërkuar nga Rusia që t’i bëjë presion regjimit sirian për të ndaluar ofensivat.

Biseda është zhvilluar pasi ushtria siriane ka shpallur armëpushim të njëanshëm 72-orësh, i cili duhet të zgjasë deri mesnatën e 8 korrikut.

Disa grupe rebele kanë thënë se do të respektojnë armëpushimin gjatë Festës së Bajramit.

Obama po ashtu i ka kërkuar Putinit të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund eskalimit të luftës në Ukrainën lindore.

Artikulli paraprakPolicia vret edhe një person me ngjyrë në SHBA
Artikulli vijuesTheresa May drejt Kryeministrisë së Britanisë