Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se “marrëdhëniet speciale” ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, janë të “qëndrueshme”, përkundër votimit të britanikëve në referendum për tu larguar nga Bashkimi Evropian.
Në deklaratën e sotme Obama theksoi se “antarësia e Mbretërisë së Bashkuar në NATO mbetet gurthemel vital i politikës së jashtme, të sigurisë dhe asaj ekonomike të Shteteve të Bashkuara”.
“Po ashtu, të tilla janë edhe marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian, që ka bërë shumë në promovimin e stabilitetit, në stimulimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin dhe përhapjen e vlerave demokratike dhe të idealeve në gjithë kontinentin dhe më gjërë”, thuhet në deklaratën e presidentit Obama.