Organizata Humanitare Hilal e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame, edhe gjatë ditëve të vikendit ishte aktive në teren, në shpërndarjen e ndihmave humanitare për refugjatët e lindjes së mesme të cilët po kalojnë nëpër vendin tonë.
Për shkak të fluksit të madh të refugjatëve dhe prishjes së motit i cili u pasua me rënie të temperaturave dhe reshjeve të shiut, gjendja është rënduar dukshëm. Për këtë arsye, OH Hilal me operativën e vet, është 24 orë në teren për të ndihmuar të gjithë refugjatët dhe për të lehtësuar dhimbjet e tyre.
Ndihmat humanitare shpërndahen që në hyrje të Maqedonisë, nga një kamp i ngritur enkas për të ndihmuar refugjatët, përgjatë tërë rrugës Gjevgjeli – Kumanovë dhe në pikën kufitare, në dalje nga vendi jonë. Nga Oh Hilal bëjnë me dije se vetëm ditën e Shtunë janë shpërndarë ushqime dhe pije për mbi 2500 persona. me këtë ritën do të vazhdohet edhe ditëve në vijim.
Me këtë rast, Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti thotë se: “Përpjekjet tona janë maksimale që tu vijmë në ndihmë këtyre njerëzve që po kalojnë golgotën e jetëve të tyre. Bashkë me Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepin po bëjmë çmos që ti japim fund dhimbjes së këtyre njerëzve dhe mundimeve, të cilët në këmbë e kalojnë nëpër territorin e vendit tonë. Po bëhen të gjitha përpjekjet që në mënyrë të organizuar, me autobusë të organizuar nga Bashkësia Fetare Islame, gjegjësisht OH Hilal, ti transportojmë këta njerëz nga njëri cep i vendit tonë, deri në cepin tjetër. Lusim Allahun Fuqiplotë që të na ndihmojë në këtë përpjekje mjaft fisnike të Reisul Ulemasë, dhe një herë e përgjithmonë ti japim fund mundit të këtyre njerëzve, të paktën sa i përket vendit tonë”.
Sidoqoftë, Bashkësia Fetare Islame ka disa javë që intensivisht përpiqet të merr lejen për ti transportuar refugjatët, ndërsa ekipet e Organizatës Humanitare Hilal, vazhdojnë të qëndrojnë në teren duke ofruar ndihma për refugjatët të cilët janë drejtuar për në vendet e Bashkimit Evropian.