Omer Satin u vra nga ortakët shqiptarë?

Mediat turke njoftojnë se po vijojnë hetimet për gjetjen e autorëve të vrasjes së biznesmenit Omer Satin. Nën hetim janë të gjitha problemet që biznesmeni mund të ketë patur, përfshirë bizneset e tij në disa vende të botës, mes të cilave në Shqipëri.

Biznesmeni 54-vjeçar u gjet i qëlluar me disa plumba pistolete pranë një stacioni autobusi në lagjen Atakëj, në Stamboll. Ai kishte dalë nga shtëpia me pretendimin se do të takonte një shok turk, pronar i një lokali në Hungari.

Por në Atakëj, ndërkohë që ai e kishte fikur makinën dhe po priste brenda saj, gjithmonë sipas gazetës turke “Hyrrijet”, iu afrua një person i cili qëlloi mbi të 4 herë. Njëri nga plumbat përfundoi në zemrën e Omer Satin, i cili gjeti vdjekjen e menjëhershme.

Sipas të përditshmes “Hyrrijet”, një nga pistat ku policia ka fokusuar hetimet e saj janë edhe marrëdhëniet që biznesmeni kishte jashtë Turqisë. Gazeta thekson se Satin ishte ortak me disa shqiptarë në një rafineri nafte.

Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në Shqipëri, Omer Satin rezulton se është aksioner 100 për qind në një kompani të quajtur “Al Grup”, të hapur që në vitin 2001 dhe ka 40 për qind në një tjetër kompani të hapur që në vitin 2004, të quajtur “BT International Enginering Services Limitet & Arun Construction Joint Stock Company”, që merrej me tregtinë e naftës, përpunimin, importin dhe eksportin.

Satin ishte aksioner me 40 për qind në këtë kompani, së bashku me shtetasit Rezart Taçi, me 40 për qind, Sinan Jashar Abdula me 5 për qind dhe Riza Ajdin Arun me 15 për qind.

Mediat turke flasin për probleme mes ortakëve dhe sipas të përditshmes turke Hyrrijet”, kjo marrëdhënie mund të jetë dhe një nga pistat e hetimit të policisë turke.

Artikulli paraprakEgjipt, miratohet kushtetuta islamike
Artikulli vijuesSiria në rrugë pa krye?