Nga Ibrahim Kalın
Dallimet historike ndërmjet Sunive dhe Shiitëve janë të dukshme dhe duhet të pranohen, por nuk është nevoja të zmadhohen për të filluar luftëra të reja në shekullin e 21-të.
Zonat kryesore në vendet me shumicë muslimane na japin përshtypjen se në botën muslimane po ndodh një luftë e përgjakshme sektare. Ndonëse ka një farë të vërtete në këtë, realiteti është në një farë mënyre ndryshe.
Që nga Siri, Iraku, Bahrejni dhe Libani, bashkësitë muslimane sunite dhe shiite ballafaqohem me një shumëllojshmëri problemesh, përfshirë luftën, tensionet shoqërore, varfërinë, pabarazitë ekonomike, tiraninë, luftërat me porosi, milicitë, e kështu me radhë. Secili problem përbën një shumëllojshmëri sfidash që lidhen me identitetet etnike dhe sektare, por që nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht kështu. Politikat identitare përfshijnë pjesën më të madhe të problemeve duke i kthyer problemet e zakonshme socio-ekonomike dhe politike në pretendime identitare maksimaliste. Tensionet ndërmjet sunive dhe shiitëve në Liban kanë të bëjnë me identitetet sektare aq sa edhe me luftën për pushtet dhe kontroll. Lufta në Siri ka të bëjë pak me Islamin sunit apo shiit. Por ka të bëjë me atë se kush do ta përcaktojë të ardhmen e këtij vendi arab kyç, pavarësisht identiteteve etnike apo sektare të lojtarëve kryesorë.
Luftërat fetare në Europë në shekullin e 16-të dhe të 17-të ndërmjet katolikëve dhe protestantëve kishin të bënin me identitetin po aq sa dhe me pushtetin dhe sundimin. Po ashtu, tensionet e tanishme në botën muslimane kanë të bëjnë me shumë gjëra, pavarësisht ngjarjeve historike që çuan në ndarjen e sunive dhe shiitëve në Islam. Diskutimi se kush e meritonte ta pasonte Profetin e Islamit si kalif i parë, zakonisht njihet si fillimi i dallimeve ndërmjet sunive dhe shiitëve në historinë e hershme islame. Pikëpamja e sunive është se shokët e Profetit e zgjodhën Ebu Bekrin si kalifin e parë duke u bazuar në konsensusin e bashkësisë. Kjo përbën bazën e legjitimitetit fetar dhe politik në zgjedhjen e tij. Ndërsa sipas pikëpamjet shiite, Ali ibn Ebi Talibi duhet të ishte zgjedhur si pasues i Profetit.
Bashkë me disa çështje të tjera, ky dallim i madh mbi çështjen e pasuesit ka luajtur pa dyshim një rol të rëndësishëm në krijimi e degëve të Islamit sunit dhe shiit. Por këto dy shkolla [doktrina fetare, sh.p.] kanë ndarë gjithashtu edhe elementët thelbësorë të besimit dhe civilizimit islam. Në jurisprudencë, shkencë, filozofi, art dhe misticizëm, ato kanë përkrahur njëshmërinë e Zotit dhe dinjitetin e njeriut. Nga imam Xhafar el-Sadiku te Imam Ebu Hanife, nga Ibn Sina te Nasir al-Din al-Tusi, nga Imam Gazaliu te Mulla Sadra, figura të spikatura të shkollës sunite dhe shiite kanë artikuluar idetë kryesore të civilizimit klasik islam. Pyetja që parashtrohet sot është si ta lexojmë këtë histori nga pikëpamja e pajtimit dhe unitetit, e jo të ballafaqimit dhe ndarjes. Dijetarët dhe intelektualët muslimanë kanë një rol të rëndësishme për të luajtur në zhvillimin e një qasjeje përfshirëse ndaj historisë islame dhe në dhënien e një drejtimi të ri për muslimanët sunit dhe shiitë, të cilët po përballen me sfidat e historisë dhe të botës moderne.
Pjesa më e madhe e asaj që na paraqitet sot si konflikt sektar është pasojë e politikave identitare dhe interesave të shteteve kombe. Si pjesa më e madhe e shteteve kombe moderne, shumë shtete kombe muslimane veprojnë në bazë të interesit vetjak duke u munduar të përdorin identitetet etnike dhe sektare. Ndërthurja e rrezikshme e interesave të shtetit komb me politikat e identitetit çon në ndarjen e bashkësive, të cilat në rastin e kundërt do të mund t’i kapërcenin dallimet e tyre në një mjedis socio-politik normal.
Këtu hyn në lojë një faktor kyç që zakonisht neglizhohet, si luftërat, shtetet e dështuara dhe qeveritë e dobëta, të cilat shkaktojnë kosto sociale dhe psikologjike te komunitetet pa marrë parasysh përbërjen e tyre etnike apo sektare. Por, ato përkthen në konflikte sektare për t’i dhënë legjitimitet dështimit të sistemit politik. Nuk është rastësi që lufta në Siri dhe strukturat e dobëta qeveritare në Irak dhe Jemen janë ndër burimet kryesore të tensioneve midis sunive dhe shiitëve në botën muslimane. Grupet e dhunshme ekstremiste dhe organizatat terroriste si ISIS-i po përfitojnë nga lufta në Siri, luftimet e ashpra në Jemen, strukturat e dobëta qeveritare në Irak dhe nga mungesa e një autoriteti qendror në Afganistan, Nigeri dhe Mali.
Disa fanatikë ekstremistë mund të besojnë sinqerisht se po luftojnë për Islamin sunit apo shiit. Natyrisht, ata përmendin dallimet historike të cilave iu referova më lartë. Ata mund të përmendin edhe sulmet e palës tjetër për të legjitimuar veprimet e tyre ekstreme. Por, në shumicën e rasteve, këto luftëra bëhen për pushtet dhe ndikim botëror. Identitetet sunite dhe shiite përdorën kryesisht për të justifikuar atë që në fakt është një luftë për pushtet.
Dallimet historike ndërmjet Sunive dhe Shiitëve janë të dukshme dhe duhet të pranohen, por nuk është nevoja të zmadhohen për të filluar luftëra të reja në shekullin e 21-të. Për këtë është e nevojshme një qasje e dyfishtë.
Së pari, dijetarët muslimanë, intelektualët, autoritetet fetare dhe liderët e komuniteteve duhet t’i drejtojnë pasuesit e tyre drejt rrugës së paqes dhe pajtimit e jo armiqësisë dhe përplasjes. Ashtu si Imam Ebu Hanife (vdekur në vitin 767), themeluesi i shkollës juridike hanefite dhe Imam Xhafer al-Sidik (vdekur në vitin 765), imami i gjashtë shiit dhe themeluesi i shkollës juridike Xhaferije, kanë mbajtur diskutime dijetarësh dhe kanë mësuar nga njëri-tjetri, dijetarët e sotëm muslimanë duhet të mbajnë gjallë një atmosferë afrimi dhe angazhimi. Liderët sunitë dhe shiitë duhet të predikojnë rrugën e moderuar edhe përballë të këqijave dhe fatkeqësive më të mëdha dhe të dënojnë të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm.
Së dyti, luftërat, shtetet e dështuara dhe qeveritë e dobëta në vendet muslimane duhet të zgjidhen që të mos lejohet që ekstremizmi i dhunshëm të përfitojë nga vuajtjet e njerëzve. Kjo kërkon një udhëheqje politike të guximshme dhe mençuri të madhe. Lufta e tanishme në Siri dhe Jemen si dhe sfidat e mëdha të sigurisë në Irak dhe Afganistan do të vazhdojnë të jenë burim paqëndrueshmërie dhe shkatërrimi. Por ato, gjithashtu, do të vazhdojnë të përdorën nga oportunistët politikë dhe grupet ekstremiste për të ndezur tensionet sektare.
Imam Bejhekiu (vdekur në vitin 1066) ka rrëfyer thënien e mëposhtme, e cila i atribuohet Profetit Muhamed: “Kurdo që t’ju vij një ligj nga Libri i Zotit, atëherë nuk ka justifikim për të mos e zbatuar. Nëse nuk është nga libri i Zotit, atëherë është nga praktika ime [suneti]. Nëse nuk gjendet në praktikën time, atëherë shikoni atë që kanë thënë shokët e mij. Me të vërtetë shokët e mij janë si yjet në qiell. Këdo që të ndiqni do të udhëzoheni. Dallimet ndërmjet shokëve të mija janë mëshirë.” Fjalia e fundit është transmetuar edhe si “dallimet në Umetin tim janë mëshirë.” Duke lënë anash debatin mbi zinxhirin e transmetimit të kësaj thënieje, kuptimi i saj është i qartë dhe u flet direkt muslimanëve të sotëm. Të gjithë kemi nevojë ta dëgjojmë urtësinë e tij në mënyrë që t’i shohim dallimet tona si pasuri dhe burim i forcës, e jo si përçarje dhe arsye për mosmarrëveshje.