Në kohën kur Kosova po përballet me provokime të vazhdueshme nga shteti serb, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar qe pozitë e opozitë t’i lënë mënjanë dallimet dhe të bëhen bashkë.
Mirëpo, kjo deklaratë nuk është mirëpritur nga partitë opozitare. Opozitarët thonë se Thaçi është personi i fundit, i cili mund të kërkojë një gjë të tillë.
Për zëdhënësin e AAK-së, Muharrem Nitaj, kjo çështje më shumë duhet t’i shtrohej pyetja se sa është e mundur që pozita t’i bashkohet opozitës në qasjen ndryshe ndaj dialogut dhe Serbisë në përgjithësi.
“Opozita është ajo që po kërkon edhe qasje ndryshe edhe unitet në veprime. Ndërsa Qeveria me veprimet ose mosveprimet e saj e ka sjellë situatën në një stad shumë të pafavorshëm për Kosovën”, ka thënë Nitaj.
E, Sekretari i Përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë për Indeksonline se Thaçi për të forcuar pushtetin e tij personal lejoi forcimin e Serbisë në Kosovë. Thirrja e Thaçit, sipas tij, nuk ka për qëllim mbrojtjen e Kosovës nga Serbia, por mbrojtjen e vetes së tij dhe të pushtetit të tij personal.
“Hashim Thaçi, si përgjegjësi kryesor për tërë këtë degradim të shtetit tonë është njeriu i fundit që mund t’i tregojë opozitës apo kujt do tjetër se çka duhet të bëjë, ndërsa është i pari që duhet të jep llogari dhe përgjegjësi për forcimin e shtetit të Serbisë brenda Kosovës. Ai i cili për të mbajtur dhe forcuar pushtetin e tij personal lejoi forcimin e Serbisë në Kosovë , nuk ka të drejtë më t’i tregojë askujt se çka duhet të bëjë. Jam i bindur se edhe kjo thirrje e tij nuk ka për qëllim mbrojtjen e Kosovës nga Serbia por mbrojtjen e vetes së tij dhe të pushtetit të tij personal”, ka thënë Sherifi.
E lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti ka deklaruar se përgjigja e duhur ndaj Serbisë dhe ajo më efektive kundër provokimeve të këtij shteti është ndërprerja e dialogut.
“Përgjigjja e duhur ndaj Serbisë dhe më efektive kundër provokimeve të Serbisë është ndërprerja e dialogut. E kemi theksuar edhe më herët se treni e muri janë provokime që rrënjët i kanë në negociatat e padrejta e të pabarabarta me Serbinë, negociata pa kushte e pa asnjë parim”, ka thënë Hoti.
Sipas tij , qartas është e ditur se Thaçi, bashkë me Tahirin dhe Mustafën, janë përgjegjës për çdo koncesion të dëmshëm të Kosovës, që ka rezultuar nga këto negociata./Indeksonline/