Takimi i Thaçi-Erdogan intrigon Beogradin

Në kuadër të vizitës njëditore zyrtare në Ankara, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është pritur nga Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin ja iseduar për procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe për mbështetjen e Turqisë në rritjen e numrit të njohjeve, për dialogun Kosovë-Serbi, për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e zhvillimit ekonomik, dhe në fushat tjera me interes të përbashkët. Ky takim ka intriguar mediat e serbe, të cilat takimin Thaçi-Erdogan e kanë cilësuar si “takim sekret”.

Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm në Ankara ka marrë mbështetjen e plotë të Kryeministrit Erdogan që Turqia do të vazhdojë të ushtrojë ndikimin tek vendet e saj mike për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.
“Pavarësia e Kosovës ka prodhuar më shumë stabilitet, paqe, prosperitet dhe integrim dhe në këtë kuadër Qeveria e Republikës së Kosovës do të fuqizojë përkushtimet e saj për thellimin e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO “, ka thënë kryeministri Thaçi, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka njoftuar homologun e tij turk, Kryeministrin Erdogan për procesin e dialogut ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri turk, Erdogan i ka dhënë mbështetje të plotë Kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e këtij dialogu, duke theksuar se kjo është mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjeve praktike mes Kosovës dhe Serbisë.
Në takim është biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e zhvillimit ekonomik. Duke ripotencuar ftesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për investitorët turq për të investuar në Kosovë, Kryeministri Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës kanë bërë reforma substanciale në drejtim të krijimit të kushteve të volitshme për investimet ndërkombëtare në Kosovë.
Ndërkohë mediet serbe kanë raportuar për një takim “sekret” pasi nuk dihet se çfarë është biseduar në këtë takim që ka zgjatur rreth dy orë dhe më pas duke i`u shmangur deklaratave për gazetarët, transmeton Shekulli.online. /kohaislame

Artikulli paraprak36 vjet burg për vrasjen e Imerit
Artikulli vijuesOpozita bojkoton zgjedhjet në Jordani