Propozimi i presidentit të Republikës, Hashim Thaçi për formimin e një Komision të veçantë për Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk është mirëpritur nga tri subjektet opozitare, Vetëvendosja, AAK dhe Nisma për Kosovën.
Sipas këtyre partive, propozimi i presidentit nuk është serioz dhe është tallje për politikën kosovare.
Lëvizja “Vetëvendosje” e konsideron të panevojshëm krijimin e këtij komisioni, pasi sipas tyre, “Zajednica” ka marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Zëdhënësi i kësaj partie, Adonis Tahiri ka thënë për Indeksonline se më së mirë do të ishte që Kosova të ketë një qeveri të re.
“Zajednica” është kundërshtuar nga 205.254 qytetarë të Kosovës përmes peticionit. Po ashtu, nga qindra mijëra qytetarë kanë protestuar kundër saj gjithandej Kosovës që nga shtatori i vitit të kaluar.
Edhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “Zajednica” i shkel plot 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për ne, “Zajednica” tashmë ka vdekur, dhe nuk do ta lejojmë as Thaçin, as Mustafën, a askënd tjetër, që ta ringjallin. Kosova nuk ka nevojë as për ndarje të reja e as për fuqizim të ndarjeve të vjetra”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një qeveri të re, e cila e shtrinë sovranitetin në të gjithë territorin dhe e çkap shtetin nga strukturat kriminale të partive që kanë udhëhequr deri më sot.
Ndërsa, partia e Ramush Haradianjt propozimin e formimit të këtij komisioni e quan improvizim të Thaçit. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë për Indeksonline se kjo është një tallje me politikën dhe me drejtësinë.
“Si është e mundur qe ai të gabojë deri në këtë masë. Si është e mundur që një Komision të prodhojë diçka mbi bazën e një marrëveshjeje që është në kundërshtim me Kushtetutën, në të gjitha nenet e saj. Kjo është tallje me politiken dhe me drejtësinë. Por duket se Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, u ka lëshu mjekër Gjykata Kushtetuese, e cila përtej mandatit të saj, iu ka sugjeruar atyre se si të dalin prej situatës, dhe u ka propozuar një ‘statut’ për Asociacionin”, ka thënë Nitaj.
Sipas tij, kjo e fundit nuk është në mandatin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ata kanë pasur për detyrë ta vlerësojnë përputhshmërinë e Marrëveshjes për Asociacionin me Kushtetutën e Kosovës, dhe këtu përfundon puna e tyre. Çdo gjë tjetër, është e parëndësishme dhe nuk është në mandatin e Gjykatës. Qysh kur Gjykata Kushtetuese ka rol këshillëdhënës”, ka thënë ai.
Nitaj ka shtuar, duke thënë, se presidenti dhe kryeministri duhet ta kuptojnë se marrëveshja për asociacionin duhet të rishkruhet që të mos ketë nevojë për kurrfarë komisionesh improvizuese.
Ndryshe, i pari i Presidencës, gjatë takimit që zhvilloi me disa deputetë të Parlamentit Evropian ka thënë se themelimi i Asociacionit do të jetë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e saj.
“Si president u zotova që do t’i kryejmë të gjitha punët, duke themeluar edhe komisionin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Një Asociacion që nuk do të ketë aspekt ekzekutiv dhe legjislativ, por që do të jetë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, çështja e themelimit të një komisioni për asociacionin e komunave serbe, sipas “Nismës për Kosovën”, nuk është në kompetencën e presidentit.
Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Bilall Sherifi, ka thënë për Indeksonline se ideja e Thaçit nuk e meriton as të trajtohet pasi që ai nuk është kompetentë për këtë çështje.
“E kam thënë disa herë, po e përsëris sërish, kjo çështje nuk është në kompetencën e presidentit. Ai vazhdon të ndërhyjë në kompetencat e ekzekutivit. Prandaj, nëse ai nuk e din, ata që e këshillojnë, do të bënin mirë t’ia kujtojnë se ai nuk është më kryetar partie dhe as anëtarë i qeverisë së Kosovës, rrjedhimisht nuk është më as kryeministër dhe as ministër. Nisur nga këto që thash, kjo ide e tij nuk meriton fare të trajtohet sepse vjen nga dikush që nuk është farë kompetent për këtë çështje”, ka thënë Sherifi.
Tutje, ai ka thënë se “Nisma” në asnjë rast nuk do të pranoj të bëhet pjesë e këtyre “mallverzimeve”.
“ Nisma në asnjë rast nuk do të pranojë të bëhet pjesë e malverzimeve të tilla. Përkundrazi do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë me tërë fuqinë që kemi. Gjithashtu ftojmë edhe deputetët e kësaj mazhorance që të mos mbështesin këto lojëra të cilat vetëm sa do të ndikojnë në përkeqësimin dhe thellimin e krizës politike”, ka thënë Sherifi për Indeksonline.
Sipas tij,vetëm zgjedhjet e reja të parakohshme do të mund ta rikthejnë legjitimitetin e institucioneve të vendit.