Organizata Humanitare Merhamet nga Shkupi në bashkëpunim me organizatën humanitare VEFA nga Gjermania, nga sot dhe në dhjetë ditët në vazhdim do të sigurojë ushqim të nxehtë, pako me ushqim dhe mjete higjienike në qendrën tranzitore në Tabanoc, raporton Anadolu Agency (AA).
Ismet Misirogllu nga VEFA e Gjermanisë tha se kanë ardhur për të ndihmuar refugjatët. “Nuk dihet se sa do të qëndrojnë refugjatët në këtë kamp” thotë ai për të shtuar se situata në qendrën tranzitore është e rëndë, por se do të përpiqen të ndihmojnë aq sa munden duke siguruar nevojat themelore.
Pjesë e ekipit të VEFA-s është edhe Jusuf Ajdin, në cilësi të koordinatorit për marrëdhënie me jashtë. Ai njofton se organizata në fjalë është aktive përgjatë “Rrugës Ballkanike” duke ofruar ndihma, ndërsa prezenca e tyre në Tabanoc, siç thotë do të jetë në dhjetë ditët në vijim.
“Kemi donacione nga muslimanët anembanë Evropës të cilat i kemi orientuar për kryesisht ushqime të nxehta, pako me ushqime, mjete higjienike dhe lodra për fëmijë” tha ai.
Vahid Iljazi është pjesë e organizatës humanitare Merhamet e cila është në partneritet me organizatën VEFA. Në deklaratën e tij, tha se sigurojnë mes 500 dhe 600 racioneve me gjëra ushqimore për refugjatët në Tabanoc, ndërsa shton se mjetet higjienike për gjininë femërore janë shumë të nevojshme.
Aktualisht në qendrën tranzitore në Tabanoc gjenden 1030 refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.