Pagat e ushtarëve të FARK-ut (Dokument)

0
152

“Nëse shkruaj përsëri d.m.th ende jam gjallë”. Kështu shkruan në ditarin e një ish-ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në fund të ditës numëronte shokët a janë kthyer të gjithë nga beteja.

Por shumë kolegë të tij, në vitin 1999 prisnin në fund të muajit të numëronin paratë për angazhimin që bënin në shërbim të atdheut.

Në një dokument të cilin e posedon Gazeta Fjala, të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në vitin 1999, shihet se një numër i madh eprorësh, komandantësh, ushtarë e civilë kanë marr kompensime të majme.

Sipas këtij dokumenti, 350 marka ishte shuma më e vogël e kompensimeve për ata që kishin vetëm shkollën e mesme të kryer ndërsa komandantët dhe eprorët e lartë merrnin deri në 1000 marka gjermane.

Me urdhër të ish-udhëheqësit të Ministrisë së Mbrojtjes, së Republikës së Kosovës, Halil Bicajt bëheshin pagesat e pjesëmarrësve sipas gradave të tyre.

Grupet e pagesave, siç mëson Gazeta Fjala, ndaheshin në tri, ndërsa në këto grupe radhiteshin kategoritë përfituese.

Grupi i parë përbëhej nga eprorët dhe nëneprorët të cilët gjendeshin në Shqipëri, dhe ndahej në tri kategori: Kategoria e parë, që përfshinte komandantë brigade, epror të lartë, të cilët paguheshin nga 1000 marka gjermane. Kategoria e dytë, përfshinte eproret në vendet tjera të cilët paguheshin nga 800 marka gjermane. Kategoria e tretë, përfshinte nën eprorët të cilët merrnin nga 500 marka gjermane.

Kurse, grupi i dytë, i cili përbëhej nga civilët e FARK-ut që gjendeshin në Shqipëri, ndahej në këto nënkategori: Kategoria e parë, përfshinte civilët në rang të eprorit, të cilët paguheshin nga 800 marka. Kategoria e dytë, paguhej nga 500 marka gjermane. Kategoria e tretë, përbëhej nga ata që kishin përfunduar shkollën e mesme, që merrnin 350 marka.

Gripi i tretë, i përfshinte pjesëtarët që gjendeshin në Kosovë, ndërsa nënkategoritë e saj ishin: Kategoria e parë, eprorët e lartë dhe persona civil me specialitet, që paguheshin nga 1000 marka gjermane. Kategoria e dytë, përbëhej nga eprorët dhe personat civil me fakultet, që merrnin nga 800 marka. Dhe kategoria e tretë, përbëhej nga nënpuntorët dhe personat civil me shkollë të mesme, që merrnin nga 500 marka.

Këtë e ka pranuar për medie edhe koloneli Anton Quni.

Në një intervistë në televizionin Rrokum ai ka treguar për paratë që kanë marrë nga Ministria e Mbrojtjes në atë kohë.

“Unë nuk mund të them se kemi marrë rroga por Ministria e Mbrojtjes, Qeveria e Republikës së Kosovës, për kuadrat ushtarak të cilët kanë marrë përgjegjësi për kryerjen e aksioneve nëpër Kosovë e që ishin të ardhur nga perëndimi, kishin lënë familjet, kishin shkëputur marrëdhëniet e punës, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë përsipër që për familjet e ushtarakëve të kujdeset me një kompensim simbolik prej njëmijë markave”, ka thënë Quni.

Sipas tij kjo çështje ishte e standardizuar për të gjitha kuadrat.

“Është çështje së pari humane, njerëzore sepse çdo ushtarak e ka pas një vendpunim dhe një kompensim i tillë e ka ndihmuar që së paku ai të jetë i shkarkuar nga një obligim për kujdesin ndaj familjes”.

Por, ai ka ngritur si shqetësim edhe më të madh për shpenzim të parave pa limite nga udhëheqësit e lartë ushtarak e që thotë se nuk i jepnin llogari askujt.

“E kam fjalën për kuadro që kishin në dispozicion mjete të mëdha materiale dhe sot nuk gjendet asnjë gjurmë se çfarë kanë bërë me ato para”.

Ai thotë se nuk dihet nëse paratë ishin shpenzuar për shërbime ushtarake apo për interesa të tyre personale dhe ato para kanë përfunduar tek profiterët e luftës.

UÇK nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes, sipas tij, i është nënshtruar rregullave dhe ligjeve dhe për këtë janë bërë transparente të gjitha shpenzimet.

Gazeta Fjala, ka kontaktuar edhe me ish kryeministrin e Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi, por ai ka refuzuar të flas.

“Nuk dua të flas për këtë çështje”, ka thënë Bukoshi, duke bërë me dije se nuk është i gatshëm të hapë debate për të kaluarën./Gazeta Fjala/.kohaislame