Rezultatet e një kërkimi të Agjencisë gjermane të Mjedisit tregojnë se pajisjet teknologjike nuk kanë jetëgjatësinë që duhet të kishin, ndërsa edhe njerëzit fiksohen me modelet e reja.
“Shumë pajisje kanë jetën e shkurtër dhe nga pikëpamja ekologjike kjo gjë nuk është e pranueshme”, deklaroi presidentja e kësaj agjencie, Maria Krautzberger që, siç transmeton TCh, tha se kërkesa në rritje për pajisje të reja përdor burime të vlefshme ndërsa edhe ndot atmosferën.
Megjithatë, Krautzberger tha se njerëzit priren që të blejnë pajisje të tjera, edhe pse ajo aktualja është funksionale.
“Njerëzit i zëvendësojnë pajisjet aktuale me të rejat edhe nëse ato janë funksionale”, tha ajo, duke rikujtuar fikësimin e njerëzve për modelet e reja.
Ky studim tregon se pajisjet më të shtrenjta jo domosdoshmërisht kanë jetë më të gjatë.